E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hidhet nga dritarja e komisariatit 15-vjeçari

Hidhet nga kati i tretë i komisariatit të policisë, thyen këmbën dhe dërgohet për në Spitalin Ushtarak në Tiranë. 15-vjeçari P.Lleshi ishte shoqëruar të shtunën për t‘u marrë në pyetje si autor i dyshuar i një vjedhjeje që ishte regjistruar në qytetin e Peshkopisë. Mësohet se adoleshenti ka qenë i shoqëruar nga i ati, për shkak të moshës së tij të mitur dhe teksa priste të fillonte seanca e pyetjeve, në korridorin e katit të tretë të komisariatit, ka tentuar të shpëtojë duke u hedhur nga dritarja. Për pasojë ai ka thyer këmbën dhe është dërguar për në spitalin e qytetit, por mungesa e një mjeku ortoped në këtë qendër shëndetësore ka bërë që Lleshi të dërgohet për në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Ndërkohë, mësohet se pas hetimeve paraprake SHKB-ja e Peshkopisë ka arritur në konkluzionin se nuk ka pasur shkelje apo abuzime nga ana e policëve, gjë që konfirmohet edhe nga babai i 15-vjeçarit, i pranishëm në momentin që ka ndodhur ngjarja.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›