E Diel, 1 Nëntor 2026

Pallati i shembur, nis gjyqi në Gjirokastër

Shtyhet seanca e parë gjyqësore për tragjedinë e 9 nëntorit të vitit të kaluar, ku si pasojë e rrëzimit të një pallati në Gjirokastër mbeten të vdekur tre persona, disa të tjerë u plagosën dhe 15 familje mbetën pa strehë. Dje ishte caktuar të zhvillohej seanca e parë gjyqësore në ngarkim të shtatë të pandehurve, të cilët akuzohen si shkaktarë të shembjes të pallatit pesëkatësh në lagjen "11 Janari", por mungesa e dy prej të pandehurve ka bërë që trupi gjykues të vendosë shtyrjen e seancës për në datën 21 prill. Gjatë seancës së djeshme, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Besard Avduli është njohur zyrtarisht me përfaqësuesit ligjorë që do të marrin pjesë në këtë gjykim, ku për herë të parë ky institucion do të gjykojë njëkohësisht shtatë të pandehur.

Qysh në fillim të seancës, dy prokurorët e çështjes penale, Alfred Saliu dhe Arben Pasho, kanë kërkuar që gjykimi të shtyhet, për shkak se dy të pandehurit, Admir Shehaj dhe Alfred Mamani nuk ishin të pranishëm në sallën e gjyqit. Sipas palës mbrojtëse, Shehaj, ka munguar për shkaqe shëndetësore, pasi prej disa ditësh ai ndodhet i shtruar në Spitalin e Burgut në Tiranë, ndërsa i pandehuri tjetër, Alfred Mamani, i cili sipas vendimit të Gjykatës së Lartë hetohet dhe gjykohet në gjendje sigurie "arrest shtëpie", nuk ndodhej në sallë, pasi nuk ishte njoftuar sipas procedurave ligjore. Në rrethanat e mosqenies të pranishëm në bankën e të akuzuarve të të sipërpërmendurve, kjo kërkesë e përfaqësuesve të Prokurorisë së Gjirokastrës është marrë parasysh dhe pranuar me vendim të ndërmjetëm nga trupi gjykues. Në përfundim, trupi gjykues ka vendosur që seanca tjetër të zhvillohet në datën 21 prill.

Nga hetimet e deritanishme të Prokurorisë së Gjirokastrës, është arritur në përfundimin se pallati pesëkatësh i ngritur në një kodër në lagjen "11 Janari" rreth 20 vjet më parë, u shemb për shkak të punimeve që po bëheshin për ndërtimin e një godine të re me funksion qendër biznesi poshtë themeleve të tij.

Për këtë ngjarje menjëherë pas tragjedisë nga policia dhe prokuroria janë ndaluar dhjetë persona, por prej tyre për dy nga të arrestuarit, prokuroria ka pushuar çështjen, për dy të tjerë gjykimi do të vazhdojë në gjendje të lirë dhe dy tjerë do të gjykohen në kushtet e sigurisë "arrest shtëpie".

Admir Shehaj, përgjegjës në inspektoratin e ndërtimit në Bashkinë e Gjirokastrës, Afërdita Papamihali, ish-sekretare e KRRT-së pranë Bashkisë së Gjirokastrës, Alfred Mamani, ish-shef i urbanistikës në bashkinë e qytetit, Gergji Meçe, inxhinier i firmës "Arti" sh.p.k., Petrit Maksuti dhe Leonard Mustafaj, që të dy inspektorë ndërtimi në Bashkinë e Gjirokastrës do të gjykohen për veprën penale të "shpërdorimit të detyrës", parashikuar nga neni 248 i Kodit të Procedurës Penale.

Ndërkohë, Sotiraq Janora, presidenti dhe drejtuesi teknik i shoqërisë së ndërtimit "Arti", do të gjykohet për veprën penale "shkelje e rregullave në punë", "vrasje në rrethana të tjera cilësuese", si dhe "shkatërrimi i pronës me dashje".

Në seancën e parë gjyqësore ka qenë të pranishëm edhe pjesëtarë të familjeve të dëmtuara nga tragjedia e 9 nëntorit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›