E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hidhet nga kati i pestë studentja, rëndë në spital

09/12/2009  Durrës, 21-vjeçarja nga Bulqiza jeton në një apartament me qira, ngjarja pasmesnate

Një studente e universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës është hedhur nga kati i pestë pak pas mesnatës së djeshme në qytetin e Durrësit. Studentja 21-vjeçare me iniciale E.R është nga Bulqiza, ndërkohë që ajo studion në degën Menaxhim-Turizëm në UAMD.

Ngjarja

Sipas burimeve policore, studentja banonte në një dhomë me dy shoqe të tjera në katin e pestë të një pallati 8-katesh në shëtitoren “Taulantia” të Durrësit. Të njëjtat burime kanë bërë të ditur se studentja është hedhur nga dritarja e dhomës rreth orës 02.00 pas mesnate. Nuk dihen shkaqet që e kanë shtyrë 21-vjeçaren që të hidhet nga kati i pestë i pallatit, por sapo është mësuar për ngjarjen aty kanë mbërritur ambulanca e urgjencës së spitalit dhe efektiva të policisë së Durrësit. Studentja është dërguar fillimisht në spitalin rajonal të Durrësit për marrjen e ndihmës së parë, por më pas për një ndërhyrjeje më të specializuar, ajo është dërguar në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Të parët që kanë mësuar për ngjarjen në fjalë kanë qenë banorë të lagjes, të cilët më pas kanë njoftuar edhe repartin e urgjencës dhe policinë për këtë ngjarje. Sipas burimeve nga spitali rajonal i Durrësit bëhet e ditur se 21 vjeçarja E.R ka qenë në gjendje të rëndë për jetën, për shkak të frakturave të shumta që ka pësuar. Në të njëjtën situatë ajo gjendet ende në Spitalin Ushtarak, ku mjekët nuk kanë dhënë ende garanci për jetën e saj. Nuk dihen ende shkaqet që kanë çuar studenten në këtë tentativë vetëvrasje, por mendohet se ajo e ka ndërmarrë këtë veprim në kushtet e depresionit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›