E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lumi i Korçës kërcënon qytetarët me epidemi

09/12/2009  Ndotja, asnjë masë

KORÇE- Lumi i Korçës çdo ditë e më tepër po kërcënon jetën e banorëve të këtij qyteti; përhapja e ndonjë epidemie po bëhet gjithnjë e më evidente; rreziku mbi shëndetin e banorëve po bëhet i pashmangshëm. Për disa vjet me radhë ky lumë nuk ka njohur asnjë lloj pastrimi. Tashmë në ujërat e tij lundron gjithçka: goma makinash, kartonë e plastmase, hedhurina të të gjitha llojeve, inerte dhe mbetje organike, qenë dhe mace të ngordhura, madje, tashmë, pjesë të veçanta të tij shërbejnë si vc publike. Një erë e rëndë kundërmuese përhapet ngado: nëpër oborre shtëpish, në rrugë, në lokale, në biznese private dhe ambientet përreth. Të gjitha këto e kanë kthyer këtë pjesë të Korçës në një zonë krejtësisht të shëmtuar. Kalimi nga njëra anë e lumit te tjetra mbetet një sagë e vërtetë dëshpërimi dhe frike për të gjithë. Lumi i Korçës vjen nga fshati i Mborjes dhe më pas përshkon këtë qytet që nga kreu i tij e deri në fund, duke grumbulluar e sjellë në qytet gjithçka që gjen përpara e gjithçka që hedhin e derdhin sipër tij. Korça, dikur një nga qytet me emër, i njohur për pastërtinë e tij, sot është kthyer ndoshta në shembullin më të keq në shkallë vendi. Bashkia e Korçës, e cila nuk ndodhet shumë larg nga lumi i Korçës ende nuk ka vënë re se çfarë po ndodh me këtë lumë që duhet të administrohet prej saj. Për shumë banorë të qytetit të Korçës, dhe veçanërisht për gjithë qytetarët që jetojnë buzë këtij lumi, në të dy krahët e tij, harresën dhe indiferentizmin e bashkisë së tyre e shohin më shumë se sa një absurditet, pasi tashmë ky lum po kërcënon seriozisht jetën e banorëve dhe po e shëmton Korçën në këtë tmerr të vërtetë jetojnë fëmijët e pleqtë, gratë e të rriturit. Absurditeti merr përmasa të tjera, kur gjithkush konstaton se nuk po merren parasysh as idetë e hedhura prej vitesh nga urbanistët dhe arkitektët e këtij qyteti. Këta të fundit mendojnë se lumi i Korçës është një pasuri e vërtetë e këtij qyteti, por që ky lumë të fitojë vlerat e veta, ai duhet të trajtohet; shpatet e tij duhet të gjelbërohen e të mbillen me pemë; pjerrësive u duhen vënë prita, me qëllim që të krijohen rezervuar të vegjël, ndërsa një fantazi arkitekturore do t’i jepte kësaj zone një pamje joshëse dhe tërheqëse. Nëse do të merreshin parasysh arkitektët, atëherë kjo pjesë e qytetit do të ishte më atraktive, më e gjallë dhe pranë ujërave do të kishte më shumë lokale, por në të vërtetë nuk ka ndodhur kështu. Përveçse nuk është realizuar asnjë nga idetë e urbanistëve, lumi i Korçës është lënë mes papastërtisë që sa vjen dhe rëndohet më tepër. Në të vërtetë, dy vjet më parë, bashkia e qytetit u duk sikur do të kujdesej për këtë lumë, por punën që nisi për pastrimin e tij jo vetëm që e la në mes, por njëherazi hoqi dorë nga ai, duke e harruar krejtësisht. Tashmë banorët e qytetit të Korçës kanë filluar të ngrehin zërin, pasi nuk është vetëm pamja e këtij lumi që i dëshpëron ata, por mbi të gjitha, sepse ujërat e tij po kthehen në një rrezik të mundshëm për vetë jetën e tyre. Tashmë të jetosh pranë këtij lumi është njëlloj si të jetosh pranë një ferri. Historia e lumit të Korçës nis që nga koha e diktaturës, kur këtij lumi iu ndërrua shtrati si për t’i thënë: “Ne nuk dimë të të trajtojmë, të të vlerësojmë, e të përfitojmë vlera nga ujërat e tua, ndaj po të heqim nga brendësia e qytetit e po të nxjerrim në anë të tij për të të lënë në vdekjen tënde”. Dhe e vërteta është se ky lumë tashmë po kërcënon seriozisht me dekompozimin e “vdekjes” së tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›