E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, çmimi i bukës në janar 20% më i shtrenjtë

09/12/2009  Prodhuesit: Të na subvencionojë shteti për karburantin dhe energjinë elektrike

FIER- Prodhuesit e bukës në Fier lajmërojnë se do të rrisin në janar çmimin e bukës në treg. Shkak për këtë vendim të parakohshëm janë bërë edhe rritja e çmimit të energjisë elektrike, karburantit, si dhe rritja e çmimit të miellit në treg. Sipas kreut të shoqatës së prodhuesve të bukës në Fier, Kajo Hallkaj, rritja e çmimit të energjisë elektrike në janar parashikohet se do të shkojë në 37% që do të thotë një kosto më e lartë për prodhimin e këtij aktiviteti, gjë që parashikon edhe një rritje të çmimit të bukës prej 20%.

Paralajmërimi

“Ne prodhuesit e bukës duke parë edhe rritjet zinxhir të energjisë elektrike, karburantit, rritjes së çmimit të miellit, zhvlerësimit të lekut në krahasim me dollarin dhe euron, paralajmërojmë se jemi të detyruar të rrisim çmimin e prodhimit të bukës, sepse dalim nën kosto si prodhim. Në rast se ne nuk do të rrisim çmimin në këto kushte, atëherë biznesi ynë falimenton”,-ka thënë Hallkaj. Nëse ne nuk do të subvencionohemi për karburantet dhe energjinë elektrike nga shteti, atëherë rritja e çmimit të bukës do të shkojë në masën 20% që do të thotë se buka popullore 1 kg që tashmë ka koston e 100 lekëve, do të shkojë në 120 lek”. Ndërkohë nga shoqata e prodhuesve të bukës kërkojnë që prekja e tyre nga rritja e çmimit të energjisë elektrike të kompensohet nga shteti nëpërmjet subvencioneve. Deri tani ata nuk kanë marrë asnjë përgjigje mbi këtë kërkesë. “Ne kemi bërë kërkesë si shoqatë për subvencionim nga shteti, ka thënë Hallkaj, por deri tani asnjë përgjigje”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›