E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hidhet nga ura e Goricës, gjen vdekjen 32-vjeçarja

• BERAT – Dy vetëvrasje tronditën dje qytetin e Beratit. Për ngjarjen e parë të rëndë, policia e Beratit u njoftua rreth orës 22:00, nga një kalimtar.

Ai me celular mori në numrin e sallës operative, duke treguar se në urën e Goricës një grua po hiqte rrobat dhe po bëhej gati të hidhej. Grupi i gatshëm është nisur menjëherë, por aty ka gjetur vetëm rrobat e viktimës së identifikuar si Ermira Doko, 32 vjeçe, banore e lagjes “Çlirim”. Nga ura ajo kishte fluturuar rreth 5 metra, për të përfunduar në ujërat e Osumit. Menjëherë në lumë nisën kërkimet, por prurjet e fuqishme për shkak të reshjeve si dhe errësira nuk lejuan gjetjen e trupit. Kërkimet dështuan dhe gjatë ditës së djeshme për 32-vjeçaren, e cila sipas familjarëve vuante prej kohësh nga depresioni, pas ndarjes me të shoqin. Çifti nuk kishte pasur fëmijë dhe si pasojë e debateve të shpeshta zgjodhën divorcin. Që nga ajo kohë, gruaja kishte pasur dhe probleme ekonomike, duke ia vështirësuar më tepër jetën. Ditët e fundit ajo rrinte e vetmuar, pa dashur të komunikojë me persona të tjerë. Pasojat e kësaj gjendjeje janë mësuar pas vetëmbytjes së saj. Ndërsa polumbarët kërkonin për trupin e 32-vjeçares në Osum, një moshatar i saj u vetëvra. Veprimi ekstrem i Arjan Lulos, banor i lagjes “Muzaka” është ndërmarrë prej tij pak kohë pasi ka dyshuar se vuante nga një sëmundje e pashërueshme. Ai ishte ngjitur në ballkonin e katit të katërt, prej nga është hedhur për të gjetur vdekjen pak sekonda më pas. Mjekët e Beratit i kishin dhënë rekomandim për një vizitë në Tiranë, duke hedhur dyshimet për një sëmundje të rëndë. Por, ende pa marrë konfirmimin e mjekëve, në kushtet e tronditjes ai u vetëflijua.                     d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›