E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pedofilia, fëmijët dëshmojnë pro David Braunit në gjykatë

• TIRANE - Dëshmitarët mbrojnë David Braunin në gjyq.

Dy adoleshentë, dikur anëtarë të shoqatës “Fëmijët e Tij” që kryesohej nga anglezi Braun, pohuan sot në gjyqin në ngarkim të tij, se ky ishte sjellë mirë me ta, duke u përpjekur që t’iu siguronte kushte sa më të mira, duke marrë parasysh mundësitë e tij të pakta. Dy adoleshentët që kanë kaluar disa vite në strehën që drejtohej nga Braun, u pyetën për rreth tri orë në një seancë me dyer të mbyllura në procesin që po zhvillohet në Gjykatën e Tiranës. Braun, i arrestuar në maj të vitit 2006, akuzohet të ketë abuzuar seksualisht me dy prej të miturve që kishte strehuar në ambientet e shoqatës së tij, ndërsa dy miqtë e tij; greko-anglezi Dino Christodoulou dhe skocezi Robin James Arnold pritet të ekstradohen nga Londra. Pas këtyre dëshmive pritet që gjykata t’i zhvillojë seancat me dyer të hapura, pasi tashmë ka përfunduar shqyrtimi i provave në të cilat duhet të ruhet privacia e të miturve. Anglezi 52-vjeçar po gjykohet i vetëm në Gjykatën e Tiranës, pasi dosja fillestare në ngarkim të tij është ndarë në tri pjesë. Në të parën po gjykohet Janaq Papaleka, 33-vjeçari nga Erseka, ish-kuzhinier i fondacionit i akuzuar për “moskallëzim krimi”. Ky person ka pranuar faktin se kishte dijeni se në mjediset e fondacionit bamirës “Fëmijët e tij” kryheshin abuzime seksuale me fëmijët që ishin strehuar aty, por që nuk kishte denoncuar. Ndërsa në një tjetër proces, i cili tashmë është i pezulluar, do të gjykohen dy bashkëpunëtorët e Braun, greko-anglezi Dino Christodoulou dhe skocezi Robin James Arnold. Këta dy të pandehur aktualisht ndodhen të arrestuar në Londër për llogari të autoriteteve shqiptare të drejtësisë, ndërsa Gjykata e Faktit në kryeqytetin britanik, ka vendosur ekstradimin e tyre në Tiranë për të qenë të pranishëm në procesin gjyqësor. Tashmë pritet vendimi i Apelit për ta. Braun u arrestua më 16 maj të vitit 2006 pas një kallëzimi penal të depozituar në Prokurorinë e kryeqytetit nga shtetasja holandeze Jacoba Dikken. Sipas Prokurorisë, Braun ka ardhur për herë të parë në Shqipëri në vitin 1999 dhe ishte prekur nga varfëria e fëmijëve romë, ndërsa dy vjet më vonë do të krijonte fondacionin “Fëmijët e tij” për t’iu ardhur në ndihmë këtyre fëmijëve.                       fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›