E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokurori: Hetimet e Hagës në “qendrën” e transplanteve

• Katër vjet më parë, 15 hetues të dërguar nga Gjykata e Hagës kanë ardhur në Shqipëri për të vërtetuar praninë e “klinikës”, ku kryheshin transplante organesh të serbëve.

BURREL/ ENVER DOÇI

Ky fakt, fillimisht i menduar si sajesa të palës serbe, është cituar në librin e ish-prokurores së Krimeve të Luftës, Karla del Ponte, i nxjerr aktualisht në botim. Megjithë akuzat e mjegullta, tashmë të quajtura trillime të Pontes, kërkime ka pasur realisht. Dëshmitar i verifikimit të “qendrës së transplanteve”, është prokurori i rrethit të Matit, Arben Dyla, në atë kohë i urdhëruar për të shoqëruar grupin e prokurorëve të huaj. Kur libri “Gjuetia, kriminelët e luftës dhe unë”, i Pontes ka dalë në shitje në Itali e Zvicër, Dyla rrëfen të vërtetën e kërkimeve në fshatin e thellë Shulbatër të Klosit. Megjithëse numri një i akuzës nuk ka mbajtur ndonjë ditar, ai kujton se “hetimi” i prokurorëve të Gjykatës së Krimeve të Luftës është kryer në pranverën e vitit 2004.
Ardhja e të huajve
“Më telefonojnë nga Prokuroria e Përgjithshme dhe më thonë se, do të vinin në Burrel disa hetues ndërkombëtarë. Nuk më thanë as objektin e hetimit dhe asnjë detaj tjetër. Pasditen e të nesërmes mbërrijnë në qytet hetuesit e huaj. Ishin nga vende të ndryshme të botës dhe si përkthyes shërbente një shqiptar nga Maqedonia. Hetuesit ndërkombëtarë na thanë para nisjes se, ata synonin të hetonin rreth disa varreve serbe në këtë zonë. Sipas tyre, ushtria kosovare i kishte vrarë e varrosur ato në territorin e Matit. Na thanë se, kërkonin një banesë karakteristike të zonës, në të majtë të rrugës nacionale. Nisëm udhëtimin dhe herë pas here ndalonim për të pyetur miqtë e huaj për shtëpinë që ato kërkonin”, tregon Dyla. “Në të hyrë të komunës Gurrë makina e parë la rrugën kryesore dhe i drejtohet fshatit Shulbatër. Me sa kuptova ata kishin në mjetet e tyre foton dhe vendin ku ndodhej shtëpia që kërkonin të hetonin”. Rreth orës 09:00, 5 automjete, me hetues të huaj, punonjës të policisë së Matit dhe vetë prokurori i Matit mbërrijnë në oborrin e shtëpisë së Abdulla Katuçit. Familjarët e tij kanë shtangur kur kanë parë një numër kaq të madh të huajsh dhe forcash policie në derën e tyre. Nuk kanë kuptuar fare çfarë po ndodhte. Asokohe u tha se policia shqiptare në bashkëpunim me Interpolin kërkonin të gjenin persona në kërkim dhe armë në këtë banesë të vjetër.
Familja Katuçi
“Iu prezantova kryefamiljarit, tregon Dyla. Pastaj i prezantova dhe personat e tjerë me të cilët unë shoqërohesha. I thashë se hetuesit e huaj kanë ardhur të verifikojnë një çështje të tyren në këtë banesë. Megjithëse i tronditur nga ajo që po shihte, Katuçi nuk kundërshtoi dhe afroi bashkëpunimin e tij deri në përfundim të hetimeve të asaj dite të lodhshme”, vijon prokurori i Matit. Policia ka bërë rrethimin e banesës dhe ka kërkuar që asnjëri nga pjesëtarët e familjes Katuçi të mos lëvizë pa lejen e tyre. Pa nisur ende nga kontrolli i banesës Arben Dyla ka pyetur Katuçin nëse ai kishte pasur në shtëpinë e tij ushtarë të UÇK-së apo qytetarë kosovarë dhe nëse pjesëtarë të kësaj familjeje apo të afërm kishin qenë ushtarë të UÇK-së. “Abdullai na tha se, nuk kishte pasur kurrë mysafirë nga Kosova në shtëpinë e tij dhe se dy djem i kishte emigrantë jashtë vendit”. Dyla kujton se një hetues amerikan i ka treguar atij qëllimin e vërtetë të verifikimit që kryhej në këtë banesë, duke pohuar se synohej verifikimi i një qendre ku kryhej transplanti i organeve. Pas pyetjeve që iu bënë Katuçit, hetuesit kanë nisur nga puna. “Nisëm kontrollin e plotë të banesës, çdo dhomë e cep të saj. Nuk kemi lënë gjë pa lëvizur. Në fund të oborrit të shtëpisë, mes plehrave, hetuesit gjejnë disa shishe të boshatisura peniciline apo streptomicine. I morën në duar dhe pyesnin me hollësi sesi  kanë përfunduar aty. Abdullai sqaroi se, në fshat nuk kishte qendër shëndetësore dhe se injeksionet të sëmurët e kësaj shtëpie i realizonin në shtëpi”. Detaji tjetër që prokurori Dyla nuk e harron dhe nuk e lë pa përmendur është ai se në mes të rrobave të shumta të familjes hetuesit ndërkombëtarë gjetën një beze, me ngjyrë të bardhë. “E morën në duar dhe po diskutonin me njëri-tjetrin. Përkthyesi na tha se, sipas hetuesve kjo copë përdoret kundër sëmundjeve ngjitëse. Ndërkohë Abdullai ka sqaruar se ajo rreckë e vjetër dhe e papërdorshme për familjen Katuçi i përkiste kohës së diktaturës, të cilën e përdornin si mbulesë tavoline kur ne hanin bukë”.
Njollat e gjakut
Në orët e mbrëmjes Arben Dyla është bërë dëshmitar i një tjetër detaji të panjohur për të. Hetuesit e huaj i ishin rikthyer njërës nga dhomat, në katin e parë të banesës. “E shihni këtë solucion? Aty ku ka pasur njolla gjaku ky solucion bëhet fosforeshent. Në reaksion me rruazat e gjakut ai jep këtë shenjë”. Dhe vërtetë mbi dysheme dukeshin harta fosforeshente. Duket sikur hetimet kanë rinisur nga e para. Prokurori është detyruar të pyesë gjatë çfarë kishte ndodhur në këtë dhomë. “Pyeta familjarët nëse kishin prerë bagëti apo pula në këtë dhomë, pasi ajo para dy-tre vitesh kishte qenë e pashtruar fare. U lodhën gjatë familjarët të kujtojnë çfarë kishin prerë në këtë dhomë, por dukej se ishte e kotë. Pak rreth gjysmë ore nusja e shtëpisë së Katuçëve ka rrëfyer se 6 vite më parë, në këtë dhomë kishte lindur fëmijën, ku si pasojë e hemorragjisë mund të kenë mbetur njolla. Sipas prokurorit kur dhoma është shtruar me çimento, bashkë me zhavorrin është bashkuar edhe dheu i dyshemesë me njolla gjaku. Dhoma fqinje ku solucioni dha harta fosforeshente ishte shtruar me dërrasa. Hetuesit e huaj kanë kërkuar ta shkatërrojnë dyshemenë, duke thënë se “përse ajo është shtruar në këtë mënyrë”, me pretekstin se diçka fshihet poshtë dërrasave. Prokurori i Matit nuk ka pranuar të dhunohet banesa e Katuçëve, duke argumentuar se kjo nuk ishte e bazuar në ligj dhe se nuk kishte prova e fakte për të ndërmarrë një veprim të tillë.
Pas orës 21:00 të asaj dite janë ndalur verifikimet dhe është realizuar kthimi në qytetin e Burrelit. Të nesërmen hetimet kanë vazhduar dhe për pak orë, derisa hetuesit u kthyen pas, pa lënë asnjë proces-verbal për këto kontrolle.

“Hetuesit donin të zhvarrosnin të vdekurit”

Arben Dyla tregon se ditën e parë të nisjes së verifikimeve për ekzistencën e qendrës së transplanteve, prokurori i Matit dhe grupi i gatshëm i policisë kanë mbërritur në varrezat e fshatit Shulbatër. Banorë të shumtë kanë lënë shtëpitë dhe kurioziteti i ka shtyrë të afrohen pranë varrezave të të afërmve të tyre. Të huajt bënin fotografi dhe filmonin pa pushim. Sipas Dylës pikërisht gjatë këqyrjes së varrezave të fshatit nuk kanë munguar edhe replikat. Banorët e fshatit kanë treguar me emra të gjithë varret, edhe ato që nuk ishin bërë me pllaka. Ndërkohë hetuesit e Gjykatës së Krimeve të Luftës kanë kërkuar të bëhet zhvarrimi i disa të vdekurve. “Kjo nuk mund të bëhet, ka këmbëngulur prokurori i Matit, Arben Dyla. Së pari, se nuk ka shkaqe dhe fakte ligjore për të kryer një veprim të tillë dhe së dyti në traditën e shqiptarëve zhvarrimi është një veprim jo normal”. Ka mjaftuar argumenti i prokurorit Dyla që hetuesit të tërhiqen nga aventura e tyre për zhvarrimin e banorëve të fshatit. Në këto momente kanë reaguar edhe banorët. Ata janë habitur sesi aludohet se në këto varreza kishte serbë.

Ish-zëdhënësja: Del Ponte, asnjë provë

Karla del Ponte, ish-prokuroria zvicerane e Krimeve të Luftës në ish-Jugosllavi ka nxjerrë së fundi librin e saj, “Gjuetia, kriminelët e luftës dhe unë”, duke sjellë dhe reagimin e ashpër jo vetëm të kosovarëve, por dhe opinionit mbarëkombëtar. Ajo thekson në libër mbi ekzistencën e një qendre transplanti në një zonë të Shqipërisë verilindore, ku janë marrë organe të shtetasve serbë, për t’i shitur në botë, kryesisht në vitin 1999. Përballë këtyre thënieve, kurrë të faktuara, ka reaguar dhe ish-zëdhënësja e saj Florence Hartman. Në një intervistë për gazetën zvicerane “Le Temps”, ajo citohet të ketë thënë se, “Del Ponte nuk ka as provën më të vogël për një trafik të mundshëm organesh që u janë marrë të burgosurve nga luftëtarët e Kosovës. Ajo po na zhyt sot në orët më të errëta të propagandës”. Aktualisht, Del Ponte është ambasadore e Zvicrës në Argjentinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›