E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agjentët e ATF-së, “Gërdeci” në SHBA

• Hetuesit amerikanë të Gërdecit largohen nga Shqipëria.

Fatos Mahmutaj

 Lajmi konfirmohet nga burime të hetimit të çështjes, sipas të cilëve, pasi kompletuan dosjen me foto, materiale filmike, fotokopje të të gjithë dokumenteve dhe kampione të tokës dhe ujit në zonën e repartit të katastrofës ata u larguan drejt vendit të tyre për t’i analizuar faktet dhe për të dalë më vonë me një konkluzion hetimor rreth shkakut të tragjedisë së Gërdecit. Grupi special i hetimit i ngritur nga Prokuroria shqiptare, pasi këqyri për një javë rresht vendngjarjen dhe mblodhi prova të ndryshme për disa ditë me radhë, u largua për t’ua lënë vendngjarjen në dispozicion ekspertëve amerikanë të ATF-së, cilët kryen veprimet e tyre. Ndërkohë, grupi special hetimor njohu dhe vuri në dispozicion të ekspertëve amerikane të gjitha të dhënat e grumbulluara deri në mbërritjen e tyre në Tiranë. Pas kësaj gjashtë ekspertët amerikanë u konsultuan me grupin hetimor të Prokurorisë shqiptare,me rezultatet e hetimit dhe pasi morën një kopje të të gjitha provave dhe tabelën fotografike të vendngjarjes u larguan. Ekspertët e Prokurorisë së kryeqytetit që këqyrën dhe fiksuan të parët vendngjarjen përpiluan një tabelë me rreth 700 fotografi, të cilat i vendosën në një dosje të veçantë duke shënuar edhe legjendat e detajuara për secilën. Pikërisht në bazë të kësaj tabele u skicua në letër vendngjarja, në bazë të të së cilës do të paraqiten edhe provat në procesin e pritshëm gjyqësor në ngarkim të të pandehurve.
Ekspertët
Grupi prej gjashtë vetash që kreu hetime në terren në ish-fabrikën e demontimit të predhave në Gërdec, janë punonjës të kompanisë amerikane ATF, objekt i punës të të cilës është hetimi i incidenteve me eksploziv, shpërthimeve dhe zjarreve të mëdha. Pak kohë më parë, ambasada e SHBA në Tiranë në një deklaratë publike pohoi se qysh nga 1978, ATF ka pasur aftësi për t’u përgjigjur në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar për hetimin e shpërthimeve. Kjo kompani përbëhet nga ekipe që përgjigjen kudo në SHBA, por dhe në ndihmë të qeverive të huaja me hetime jashtë SHBA. Çdo ekip, sipas ambasadës përbëhet nga agjentë të posaçëm veteranë, kimistë të mjekësisë ligjore, teknicienë të bombave, inxhinierë të mbrojtjes nga zjarri dhe ata elektrikë, të cilët kanë ekspertizë origjinën dhe shkaqet për shpërthimet dhe zjarret.
Ekipi
Burime pranë hetimit të çështjes pohuan se, në mjaft raste punuan përkrah ekipit amerikan për të rindërtuar skemën e ngjarjes, për të identifikuar origjinën dhe shkakun e shpërthimit apo shkëndisë fatale të zjarrit, si dhe kryen kontrollin e mbeturinave të incidentit që shkaktoi 300 të plagosur dhe 26 të vdekur. Të gjithë anëtarët e ekipit që punoi në Shqipëri për hetimin pas katastrofës në Gërdec kanë përvojë të gjerë në kryerjen e ekspertizave për të zbuluar origjinën dhe shkakun e shpërthimeve apo zjarreve. Anëtarët e ekipit që punoi në Gërdec janë përfshirë më parë edhe në hetimet mbi incidente të tjera të rënda, përfshi dhe 11 shtatorin në SHBA. Grupi hetimor shqiptar pohon se, tashmë ndodhet në pritje të përgjigjes nga SHBA për rezultatin e hetimit. Ndërkohë grupi shqiptar hetimor po vazhdon procedurat për zbardhjen e tragjedisë dhe grumbullimin e provave në ngarkim të të pandehurve, që ndodhen të arrestuar në qeli. Burime pranë hetimit sqarojnë se, grupi special hetimor është ndarë në disa grupe që po hetojnë në të gjitha pistat e mundshme, në terren si dhe dokumentacionin e grumbulluar.

Prokuroria: Shpërthimi ishte aksidental

TIRANE – Prokuroria paraprakisht mendon se shpërthimet e ndodhura në Gërdec kanë ndodhur si pasojë e një gabimi aksidental. Grupi hetimor konfirmon se ekspertiza mbi shkaqet e shpërthimit ende nuk ka përfunduar, por nga provat e mbledhura deri më tani, është e qartë se gjithçka ka qenë një aksident. Sipas hetuesve, origjina e shpërthimit ka qenë në zonën pranë portës së ish-fabrikës së demontimit të predhave. Prokuroria ka mësuar se në pothuajse gjithë ambientet e ish-fabrikës kishte sasi baruti të lënë përtokë. Mbi këtë sasi baruti mbaheshin grumbuj predhash të çmontuara ose jo. Sipas Prokurorisë, shkëndijat e para të zjarrit të krijuara në afërsi të derës së fabrikës i kanë dhënë flakë predhave që ndodheshin përtokë. Si rrjedhim ato janë aktivizuar e kanë shpërthyer kurse disa prej tyre, kanë goditur kontenierët e barutit që ishin vendosur në oborrin e ish-fabrikës. Në kontenierë ndodhej një sasi e konsiderueshme baruti që kishte dalë nga demontimi, e cila është aktivizuar e ndezur si pasojë e depërtimit të predhave. Prokuroria ka siguruar imazhe filmike të momentit kur predhat godasin kontenierët e mbushur me barut të cilët më pas kanë marrë flakë e kanë shpërthyer në formë kërpudhe duke shkaktuar tragjedinë e 15 marsit 3008. Lidhur me momentin që ka provokuar ndezjen e barutit, Prokuroria po heton në dy pista. E para lidhet me një karrocë transporti e cila ishte dëmtuar dhe u saldua brenda fabrikës duke shkaktuar nxehjen e karrocës e cila pas i dha flakë barutit. Ndërsa pista e dytë që po hetohet është se gjatë momentit të saldimit janë shkaktuar shkëndija të cilat janë bërë shkak për rënien e zjarrit në ish-fabrikën e demontimit. Lidhur me këtë ngjarje, dje në Prokurorinë e Përgjithshme kanë dhënë deklarime tre zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes, mes të cilëve është shefi i Drejtorisë Juridike në këtë institucion. Zyrtarët u pyetën rreth procedurave të ndjekura në momentin e hartimit të urdhrit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe nënshkrimin e kontratave të demontimit mes ndërmarrjes MEICO dhe firmës amerikane që më pas nënkontraktoi kompaninë “Alba Demil” të Mihal Delijorgjit.

700 foto
të fiksuara në vendngjarje pas shpërthimit të fabrikës së Gërdecit përbëjnë tabelën fotografike, që i është bashkëngjitur dosjes hetimore.

6 eksperte
amerikanë të ATF-së këqyrën për disa ditë me radhë vendin e shpërthimit të fabrikës së demontimit të predhave në
fshatin Gërdec.

27 te vdekur
dhe rreth 300 të plagosur shkaktoi shpërthimi i 15 marsit në Gërdec.Si pasojë e eksplozionit u shënuan dëme të
shumta materiale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›