E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, grinden në mesnatë, masakron gruan me çekan

• Masakron gruan pas 3 tentativash të dështuara për t’i dhënë fund jetës së saj. Krimi brenda familjes ka shënuar dje viktimën e radhës në qytetin e Shkodrës.

SHKODER/ RITVAN DIBRA

Terezina Prozhni, 42 vjeç, është vrarë në orët e para të mëngjesit të djeshëm nga bashkëshorti i saj Nik Prozhni. Ngjarja ka ndodhur në banesën e familjes Prozhni, në lagjen “Partizani” të qytetit, ku ata jetonin prej shtatë vitesh, pas transferimit nga fshati Kir i zonës së Dukagjinit. Në momentin e krimit, në shtëpi ndodheshin edhe tre fëmijët e familjes Prozhni, dy djemtë 17 vjeç dhe 8 vjeç dhe vajza 13 vjeçe, të cilët ishin duke fjetur. Mësohet se pas ngjarjes, bashkëshorti vrasës është larguar me shpejtësi nga shtëpia, por vetëm një orë më pas ai ka rënë në prangat e policisë. Sipas policisë, krimi ka ndodhur rreth orës 02:00 të ditës së djeshme në dhomën që familja Prozhni e përdorte si magazinë. Çifti ka debatuar ashpër, debat i cili ka përfunduar në konfrontim fizik. Në këto momente bashkëshorti Prozhni ka marrë një çekan dhe ka filluar të godasë bashkëshorten e tij. Pas goditjeve të forta në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit 42-vjeçarja është shembur përtokë e pajetë. Klithmat e gruas janë dëgjuar nga fqinjët që kanë lajmëruar policinë, forcat e së cilës menjëherë janë vënë në lëvizje për ndalimin e autorit. Bëhet e ditur se, pas një ore ai është vënë në pranga teksa ishte strehuar në shtëpinë e një të afërmi të tij në qytet. Gjithashtu uniformat blu të mbërritur në vendngjarje, kanë bërë edhe sekuestrimin e çekanit, në cilësinë e provës materiale. Bëhet e ditur se mbi Prozhnin rëndon akuza e “vrasjes me dashje”. Për policinë ngjarja është e zbardhur plotësisht dhe e dokumentuar. Pas arrestimit nga forcat e policisë së Shkodrës, Prozhni është pyetur për mënyrën sesi e kishte bërë krimin dhe motivin. Në deklarimet e tij ai ka pohuar se gjithçka e ka bërë për vetëmbrojtje, pasi gruaja e tij ka dashur ta vrasë atë. Sipas Prozhnit, bashkëshortja e tij vuante nga depresioni dhe probleme të tjera mendore. “Gruaja nisi të prishte rrethimin e shtëpisë”, – ka pohuar Nik Prozhni, përpara oficerëve të Policisë Gjyqësore. Ngjarja e rëndë ka shokuar plotësisht të afërmit dhe fqinjët e familjes Prozhni. Ndërsa një i afërm i familjes ka sqaruar se: “Nuk ishte gruaja ajo që kishte probleme mendore, por ishte vetë Nik Prozhni që kishte probleme të tilla”. Sipas tij, prej muajsh Nika i shfaqte shqetësimet e tij. “Rrinte më vete, nuk i fliste njerëzve”, ka pohuar i afërmi i familjes Prozhni. Bëhet e ditur se dy bashkëshortët kanë pasur edhe herë të tjera konflikte, të cilat i kanë çuar ata në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës. Kjo pasi, kryetari i familjes Prozhni ka tentuar edhe tre herë të tjera të vrasë bashkëshorten e tij, një herë me armë zjarri dhe dy herë me armë të ftohta.

Precedenti në Lushnjë
Paraditen e 10 prillit, Feride Çela mbeti e vrarë nga duart e bashkëshortit të saj. Ngjarja e rëndë ndodhi në një nga rrugët kryesore të qytetit të Lushnjës, përpara dyqanit që çifti kishte në pronësi. Pas një debati për motive xhelozie Artur Çela qëlloi tetë herë me thikë mbi të shoqen. Vetëm dhjetë minuta pas krimit, ai ra në prangat e policisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›