E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthen furra, 3 plagosen

• Shpërthen furra e shkrirjes në uzinën e Ferro–Kromit në Burrel, duke plagosur 3 punëtorë të saj.

BURREL/ ENVER DOÇI

Ngjarja ndodhi në orët e mbrëmjes së djeshme kur në repartin e shkrirjes së kësaj uzine ndodheshin rreth 20 punëtorë të turnit të dytë. Nga shpërthimi janë plagosur rëndë tre prej tyre, ndërsa është rrezikuar edhe plagosja e gjithë punonjësve të tjerë që në momentin e shpërthimit ndodheshin në repart. Sipas policisë, prej shpërthimit kanë mbetur të plagosur metalurgët Ahmet Salia, 50 vjeç, Simon Menga, 48 vjeç dhe Nikolin Biçoku, 48 vjeç. Mësohet se tre të plagosurit kanë qenë në distancë të afërt me furrën në momentin e shpërthimit të saj. Sipas dëshmitarëve okularë në vendin e ngjarjes, rreth orës 19:20 një flakë e madhe ka bërë të largohen nga vend i punës të gjithë punonjësit. “Kemi ikur me shpejtësi të madhe nga frika se flakët do të na përpinin”, kanë pohuar ata. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie të shoqëruara nga grupet e emergjencës, si edhe zjarrfikëse të policisë së Burrelit. Të plagosurit janë nisur menjëherë për në spitalin e qytetit, ndërsa policia ka nisur punën për gjetjen e shkaqeve të shpërthimit. Burime të cilat i referohen punëtorëve të tjerë të uzinës pohuan se, tre punonjësit e lënduar kishin marrë plagë të shumta nga llava e kromit të shkrirë që kishte rënë mbi trupat e tyre. Sipas policisë së Dibrës, shpërthimi ka ardhur nga pakujdesia e punëtorëve. Ndërkohë, sipas metalurgëve, shpërthimi ka ardhur si pasojë e amortizimit të tejskajshëm të furrës. Ndërkohë që burime jozyrtare bëjnë të ditur se, furra e shkrirjes së kromit ka qenë me defekt. Por edhe pse ky defekt ishte evidentuar disa kohë më parë, deri dje nuk ishte marrë ndonjë masë për riparimin e tij, duke paraqitur kështu një rrezik permanent për metalurgët e repartit. Uzina e Burrelit ka rinisur punën në dhjetor të vitit të kaluar. Ajo i është besuar me koncesion firmës italiane Ital-Krom me pronar Mario Apoloni. Vazhdimisht metalurgët janë ankuar për kushtet e rënda të punës dhe mungesën e investimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›