Hidhet nga ura për t'i shpëtuar ushtrisë, rrezikon jetën
Viktor Përdora, ka mbetur i dëmtuar pas hedhjes nga një urë e lartë, kur pa se po e ndiqnin për ushtar
MIRDITË-Një i ri 22-vjeçar, i kthyer nga emigracioni, për t'i shpëtuar ndjekjes policore që e kërkonte si të listuar për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, ka "fluturuar" nga një urë hyrje në afërsi të tregut të qytetit të Rrëshenit për të rënë në ujërat e lumit , duke lënë gojëhapur qindra shitës e kalimtarë. Shkak si u mësua më pas ishte tentativa për t'i shpëtuar veshjes me teshat jeshile të ushtarit.
Ngjarja ndodhi rreth orës 09.00 të paradites së djeshme, kur i riu 22-vjeçar, i quajtur Viktor Përdoda, në prani të qindra njerëzve dhe për habi të policëve që e ndiqnin ka kryer spektakël të vërtetë në një hedhje nga ura, duke rënë në zhavorrin e lumit. Pasi ka rënë atje për momentin në gjak të nxehtë e sipër ka mundur të ecë edhe 10 metra më tutje, por më pas ka rënë gati pa ndjenja në një pjesë balte ndanë lumit. Dhjetëra shitës janë gjendur pranë tij për t'i dhënë ndihmë, duke e dërguar në spitalin e Rrëshenit, ndërsa policia e ka ndërprerë aksionin e ndjekjes së tij.
Mësohet se djali, nga fshati Shpërdhazë i komunës Kaçinar, emigronte prej disa vitesh në Greqi, për të ndihmuar familjen ekonomikisht, ndërsa kishte pak ditë që ishte kthyer pranë familjes, pa e ditur se dhe ai do të bëhej pre e ndjekjes policore për ta dërguar në ushtri. Në fakt prej kohësh në rekrutimin e të rinjve që nuk kanë kryer shërbimin ushtarak angazhohet dhe policia e rendit sipas një marrëveshjeje në mes dy ministrive, asaj të Mbrojtjes dhe të Brendshme, gjë që e ka kthyer policinë në "gjahtarë" ushtarësh të rinj, pasi këta të fundit nuk preferojnë ta kryejnë ushtrinë në kohën dhe moshën e duhur. Kësisoj degët e rekrutimit kanë të listuar qindra emra të tillë, mes tyre emigrantë të shumtë që kanë kaluar vite të tëra nga momenti kur i duhet t'i drejtohen këtij lloj shërbimi. Pikërisht njëri prej të listuarve ka qenë dhe i riu Viktor Përdoda.
Dhe pikërisht dje, ndërsa furgoni i grupit të gatshëm të policisë së Mirditës kishte dalë për të gjetur të rinj për ushtarë, ka pikasur Përdodën në afërsi të tregut të qytetit. Ata i kanë bërë shenjë, ndërsa ai duke e pikasur si rrezik se mund të përfundonte ushtar, ia ka mbathur i ndjekur nga disa policë, deri në afërsi të urës, ku nuk ka nguruar të ngjitet në parmakët e saj dhe të hidhet prej andej pa e llogaritur se ç'mund ta priste poshtë saj.
"Ne pandehëm se policia po ndiqte ndonjë person në kërkim, por kur pamë djalin që u hodh nga ura shkuam ta ndihmojmë atë. Pasi e pyetëm me gjysmë zëri mësuam se donin ta merrnin ushtar. E nxorëm nga balta dhe e nisëm për në spital, ndërsa policia nuk u mor më me të",- thonë tregtarët. Ai kishte rrëfyer se ishte me dokumente të rregullta në Greqi dhe pas pak ditësh do të nisej sërish. Por nëse do të shkonte ushtar i rrezikoheshin dokumentet. Sipas dëshmitarëve ai ka treguar se e njëjta gjë i kishte ndodhur dhe me policinë greke, teksa kapërcente një urë kur kishte hyrë ilegalisht. Në spitalin e Rrëshenit ai është marrë menjëherë në trajtim të veçantë nga mjekët. Mjeku S. Kola thotë se pacienti ka shembje në të gjithë trupin, ndërsa ka thyer njërën këmbë në pjesën e poshtme. Ndërkohë që ka edhe dëmtime në pjesën e shtyllës kurrizore dhe për këtë kërkon trajtim të specializuar. Policia ka bërë me dije se ka qenë në kërkim të rekrutëve. "Nuk është se ndaj tij kemi bërë ndonjë ndjekje të veçantë, por thjesht i jemi afruar me makinë. Nuk e prisnim të hidhej nga ura, qe shumë lart dhe e rrezikshme",- thanë burimet policore.