E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizat, Maqedonia prezanton kushtet për shtetasit shqiptarë

Marrëveshja parashikon lirimin nga vizat për fëmijët, pensionistët dhe ata që kanë viza "Shengen"
Kryediplomati maqedon, Antonio Milloshoski akuzon Shqipërinë te parlamentarët europianë
Këto lehtësime nënvizohen në marrëveshjen që Ministria e Jashtme po punon këto ditë me një grup ekspertësh dhe punonjësish të ministrisë, bëjnë të ditur burime të MPJ për agjencinë e lajmeve INA. Projekt-Marrëveshja do t'i dorëzohet Ministrisë së Jashtme Shqiptare, deri në fund të këtij muaji. Këshilltari Shtetëror për Punë Konsullore në Ministrinë e Jashtme, Savo Sibinovski deklaroi se kjo marrëveshje është një hap përpara liberalizimit të plotë të regjimit të vizave midis dy vendeve dhe heqjen e plotë të tyre. Sipas tij, marrëveshja për regjimin e ri të vizave parashikon që popullata e rajoneve kufitare, në një distancë deri në 50 kilometra, të hyjnë në Maqedoni me Lejekalimi të posaçme, të cilat do të mundësojnë kalime të pakufizuara. Sibinovski tha se planifikohet hapja e një përfaqësie diplomatike të Maqedonisë, në një vend në afërsi të kufirit. Ai tha se qytetarët shqiptarë me origjinë maqedonase, nuk do të lirohen nga ky regjim vizash.
Akuzat e Milloshoskit
Shefi i Diplomacisë së Maqedonisë, Antonio Milloshoski është marrë në pyetje para parlamentarëve evropianë lidhur me regjimin e ri të vizave, i cili zgjoi reagime nga Tirana zyrtare. Milloshoski tha se në Bruksel, gjatë muajit shkurt do të mbahet një takim kryeministror dypalësh, ku pritet të sqarohet problemi sa i përket çështjes së vizave. Ai përsëriti qëndrimin e tij se, me Shqipërinë nuk ka një regjim të ndryshëm vizash, por ka ndryshuar vetëm vendi ku merren ato. "Që prej fillimit të këtij viti, ne nuk jemi më në pozitë për të lëshuar viza në dogana dhe në kufij. Por, sipas ligjit të miratuar nga Parlamenti i mëparshëm, në mars të vitit 2006 dhe për shkak të afateve dhe parimeve që na janë dhënë nga Komisioni Evropian, Maqedonia është sot e detyruar të ndërtojë një rrjet për lëshimin e vizave vetëm në ambasadat dhe konsullatat tona",- tha Milloshoski.
Kryetarja e delegacionit europarlamentar për Evropën Juglindore, ka pyetur se sa e vërtetë është se Shqipëria vetë diskriminon në kufi qytetarët e Maqedonisë që nuk janë shqiptarë. Milloshoski denoncoi mënyrat selektive të Tiranës, e cila, sipas shefit të Diplomacisë së Maqedonisë, nuk ka respektuar ligjin e një viti më parë për heqjen e vizave me fqinjin.
"Për qytetarët e Maqedonisë, "de-jure", qeveria e Shqipërisë hoqi një vit më parë vizat, por "de-fakto", ata kanë vazhduar të kërkojnë taksë-hyrje për ata qytetarë të Maqedonisë që futen në Shqipëri për turizëm, biznes apo arsye të tjera, por atje ka një qasje selektive, sepse taksa e hyrjes iu kërkohet vetëm qytetarëve të Maqedonisë që nuk janë shqiptarë - për maqedonasit, turqit, romët etj.,- por jo maqedonasve me origjinë shqiptare",- theksoi Milloshoski.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›