Shkodër, bllokohet një arsenal predhash e granatash
Operacioni i koduar "Parashuta" ka sjellë dy arrestime dhe kapjen e armëveqë do të trafikoheshin jashtë Shqipërisë
SHKODËR- Bllokohet në Shkodër një arsenal i tërë predhash e granatash të rënda luftarake që do trafikoheshin jashtë Shqipërisë. Një operacion i nisur tre muaj më parë nga policia dhe prokuroria për krimet e rënda me emrin e koduar "Parashuta" ka sjellë dje kapjen në flagrancë të dy personave teksa po transportonin armët. Të arrestuarit e djeshëm janë Blerim Mehaj dhe Flamur Mehaj, të dy nga fshati Trush i Shkodrës. Ata janë kapur teksa po dilnin nga qyteti për në drejtim të Tiranës. Hetimet e para kanë treguar se të arrestuarit e djeshëm mund të kenë bashkëpunëtorë të tjerë në Tiranë ose Fushë- Krujë. Lajmi është pohuar dje nga burimet zyrtare të Policisë së Shtetit.
Sipas tyre, prokuroria për Krimet e Rënda dhe ekspertët e policisë kanë rënë në gjurmë të një trafiku armësh të rënda. Informacionet e tyre tregonin për një sasi armësh që ndodhej në Shkodër por që poseduesit e tyre donin t'i shisnin. Në këtë mënyrë tre muaj më parë ka nisur një hetim i hollësishëm që ka përfshirë ndjekje dhe përgjime telefonash. Burimet pohuan se dy të dyshuarit për këtë trafik ishin Blerim Mehaj dhe Flamur Mehaj. Ata janë mbajtur në ndjekje konstante dhe në orët e vona të së martës është zbuluar se do të nisnin ngarkesën me municione të rënda luftarake. Një grup special i nisur nga Tirana ka vepruar menjëherë duke i zënë pritë dy personave nga fshati Trush i Shkodrës. "Arrestimi i këtyre shtetasve është bërë ditën e djeshme në Bushat/Shkodër, pranë kompleks "Argenti", në momentin kur në bashkëpunim me njëri tjetrin, po trafikonin një sasi të konsiderueshme armësh dhe municioni luftarak",- thanë burimet zyrtare të policisë. Pas arrestimit policia ka nisur kontrollin në makinë ku dhe ka gjetur arsenalin e rrezikshëm të armëve. Burimet pohuan se atyre u janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 35 copë granata dore ofensive dhe defensive, 35 ndezës granatash, 4 granata kundratanku bashkë me ndezësit e tyre, të gjitha të prodhimit kinez, si dhe 80 mijë lekë të përfituara nga trafikimi i armëve.
Hetimet e para kanë treguar se destinacioni i këtyre predhave nuk është Shqipëria. Ato do të silleshin deri në Fushë Krujë ku më pas grupit do u bashkoheshin edhe persona të tjerë që nuk dihet ende se nga janë. Dyshimet bëjnë fjalë për disa persona nga Tirana ose Fushë Kruja, që do të ndihmonin dy të arrestuart e djeshëm në trafikimin e armëve jashtë vendit. Për momentin policia dhe prokuroria nuk kanë mundur ende që të gjejnë emrat e këtyre personave.