E Diel, 1 Nëntor 2026

Hidhet një sasi eksplozivi te bar-restorant “Petrol Paluca” në Lezhë



LEZHË – Një lokal ndër më të mirët e Lezhës është bërë objekt i hedhjes së tritolit orët e para të ditës së djeshme. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Lezhës bëjnë të ditur se incidenti ndodhi në fshatin Rrilë të rrethit Lezhë, te lokali “Petrol Paluca”. Sipas zëdhënëses Elona Nika, lënda eksplozive është vendosur në lulishten e këtij lokali. Si pasojë e shpërthimit janë regjistruar vetëm dëme të vogla materiale në lokalin, pronë e 39-vjeçarit Gj. P., lindur në Pukë dhe banues në Lezhë. Policia bëri inspektimin në vendngjarje dhe tha se është fiksuar në cilësinë e provës materiale një fitil zjarrpërcjellës me përmasa 13 centimetra. Ende nuk ka një autor të dyshuar të hedhjes së eksplozivit, por policia tha se po punon në këtë drejtim. Prokuroria pritet të nisë hetimet për veprën penale të “shkatërrimit të pronës me eksploziv”. Pas dëshmisë së dhënë nga pronari i objektit dhe provave të mbledhura në vendngjarje, po punohet për kapjen e autorëve. Gjatë këtij viti kanë ndodhur një sërë shpërthimesh në Qarkun e Lezhës, si ai para banesës së ish-kryetarit të Gjykatës së Lezhës, një tjetër në qytetin e Rrëshenit dhe një shpërthim me lëndë eksplozive në qytetin e Laçit.

Denoncon burrin në polici: “Më trafikoi si prostitutë në Kosovë”

LUSHNJË – Një grua e re, në moshën vetëm 19-vjeçare, ka denoncuar bashkëshortin e saj pasi e akuzon për trafikimin që i ka bërë në Kosovë, ku ajo “punoi” rreth një vit si prostitutë dhe menjëherë policia ka bërë ndalimin e të akuzuarit. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Fierit bëjnë të ditur se denoncuesja është shtetasja A. B., 19 vjeçe, lindur në Përrenjas dhe banuese në fshatin Gramsh të rrethit Lushnjë. Policia arrestoi dje si autor të dyshuar për “shfrytëzimit të bashkëshortes si prostitute” 27-vjeçarin Haziz Koni. Sipas denoncimit, A. B. për një vit rresht është shfrytëzuar si prostitutë në rrugët e kryeqytetit të Kosovës, në Prishtinë, kryesisht në motele dhe hotele.
Kjo ka ndodhur vetëm pak javë pasi A. B. ishte martuar me Konin. Këto ditë, 19-vjeçarja është kthyer në Shqipëri dhe ka bërë kallëzimin penal në policinë e vendbanimit të saj, Lushnjë. Denoncuesja ka deklaruar se të gjitha fitimet e prostituimit i mblidhte i shoqi. Pas kryerjes së disa verifikimeve policia tha se ka arrestuar të mërkurën në mesditë autorin e dyshuar të trafikimit. Sipas burimeve zyrtare, 19-vjeçara është dërguar në qendrën “Vatra” të rehabilitimit të femrave të trafikuara dhe dhunuara, që gjendet në Vlorë.

4 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›