Babai denoncon zhdukjen e djalit 14-vjeçar që më 27 nëntor
DURRËS – Një tjetër denoncim për zhdukje fëmijësh ka mbërritur në Policinë e Durrësit vetëm pak ditë pas largimit nga banesa të një të mituri që ishte përfshirë në konflikt me shokët e tij. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se ditën e martë, rreth orës 18:00, në Komisariatin e Policisë së Shijakut është bërë një kallëzim nga Preng Lleshi, lindur në Pukë, por banues në fshatin Ishëm të Durrësit. Sipas tyre, djali i 52-vjeçarit, Pal Lleshi, 14 vjeç, me arsim 8 klasë, është larguar nga banesa që më datë 27 nëntor të këtij viti. Gjatë denoncimit të bërë në polici, 52-vjeçari Lleshi ka deklaruar se as ai dhe as familjarët e tij nuk dinë asgjë për vendndodhjen e djalit të tyre. Pas denoncimit të bërë, Komisariati i Policisë së Shijakut ka bërë menjëherë shpalljen në kërkim të tij, për “largim nga banesa”. Pas kërkimit, dosja me materialet i kanë kaluar Prokurorisë Durrësit, e cila do ta ndjekë këtë çështje në ditët në vazhdim.
Identifikohet autori i plagosjes së policit të Pyjores së Shkodrës
SHKODËR – Pas disa orë hetimi, policia arriti të identifikojë dhe shpallë në kërkim autorin që plagosi punonjësin e Policisë Pyjore të Shkodrës mëngjesin e së hënës. Burimet zyrtare pohojnë se kanë shpallur në kërkim shtetasin Gëzim C., 39 vjeç, banues në fshatin Vrakë të Malësisë së Madhe, pasi dyshohet se ka masakruar me sende të forta në një pritë shtetasin Zef H., lindur dhe banues në Malësi të Madhe. Sipas dëshmisë së të plagosurit 57-vjeçar, ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrje.
“I dëmtuari, me detyrë Inspektor i Policisë Pyjore, ka reaguar ndaj goditjes duke shtënë në ajër me armën e tij të shërbimit, tip pistoletë model 54”, - pohoi policia. “Nga ana jonë u bë e mundur sekuestrimi në cilësinë e provës materiale, i armës së zjarrit të të dëmtuarit Zef H.”, - tha policia e cila shtoi se “u bë shpallja në kërkim e autorit të ngjarjes dhe se po punohet për kapjen e tij. I dyshuari, përballet në mungesë, me akuzën e “plagosjes së lehtë me dashje”.
Rrëshqitja e makinës i merr jetën shoferit 48-vjeçar
GJIROKASTËR - Një 48-vjeçar humbi jetën mbrëmjen e djeshme pasi automjeti që drejtonte u përplas me një tjetër mjet, në afërsi të pikës turistike të Viroit, 5 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës. "Neim Islami, 48 vjeç, lindur dhe banues në qytetin e Gjirokastrës, i cili drejtonte automjetin tip "Benz", me targa GJ 0564 A, gjeti vdekjen e menjëhershme si pasojë e përplasjes së fortë ballore me një furgon "Benz" me targa FR 2961 C", - tha mbrëmë zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së qarkut të Gjirokastrës, Gentian Mullai. Sipas tij, ekspertët e qarkullimit konstatuan në vendin e ngjarjes vaj të derdhur, gjë që mendohet të jetë edhe shkaku i këtij aksidenti tragjik. Dy ditë më parë, në afërsi të fshatit Luzat, rreth shtatë kilometra larg qytetit të Tepelenës, si pasojë e shpejtësisë, humbi jetën një 22-vjeçare nga ky fshat.
4 Dhjetor 2008