Operacioni i Antidrogës italiane, 30 shqiptarë në pranga
Operacioni antidrogë i Policisë italiane, i koduar “Ramazan”, ka vënë në pranga 20 shqiptarë. Bashkë me personat e arrestuar Policia italiane ka sekuestruar edhe 32 kilogramë drogë, 5 automjete dhe 62 mijë euro. Policia e provincës Luka, që kreu këtë operacion të quajtur “Ramazan”, e kishte në hetim prej kohësh këtë bandë shqiptare, ku gjithsej ishin 30 persona të hetuar për trafik kokaine dhe heroine. Droga vinte nga Holanda dhe kishte mbërritur në Itali me destinacion final provincën Luka, por edhe provincat e tjera si Pistoja dhe Masa. Ndërkohë bëhet e ditur se kreu i kësaj organizate quhet Artur Lamjka 40 vjeç, banor në Segrominjo in Piano, i cili aktualisht nuk ndodhet në Itali, por në Shqipëri. Ai ishte burgosur dhe dëbuar nga Italia në vitin 2007. Por, pavarësisht nga kjo, ky person vazhdon të drejtojë trafikun drogës falë kontakteve të forta që mban në Veri të Europës, për të trafikuar drogën drejt Italisë. Hetimet për këtë bandë kanë nisur që në vitin 2007, kur tre shqiptarë u arrestuan dhe një sasi droge u konfiskua. Ndërkohë nuk bëhen të ditura emrat e 20 shqiptareve të arrestuar.
Vendimi i qeverisë, dy autokolona italiane do të kalojnë transit në Shqipëri
TIRANË - Qeveria shqiptare miratoi dje lejimin e kalimit transit të dy autokolonave ushtarake italiane përmes territorit të Republikës së Shqipërisë. Vendimi u miratua dje në mesditë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave në selinë e Kryeministrisë.
Ky vendim bazohet në nenin 100 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe të Ligjit nr. 9363, “Për mënyrën dhe procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe për dërgimin e forcave ushtarake shqiptare jashtë vendit”. Bazuar në nenet e këtij ligji, pritet që autokolonat ushtarake italiane të kalojnë në itinerarin Qafë-Thanë pika e hyrjes dhe deri te Porti i Durrësit, që do të jetë edhe pika e daljes. Autokolonat do të shkelin tokën shqiptare në datat 6 dhe 11 dhjetor të këtij viti. Një autokolonë do të jetë e përbërë nga 4 (katër) automjete dhe 8 (tetë) trupa. Për këtë arsye janë marrë edhe masa të forta sigurie. Autokolonat ushtarake italiane, gjatë hyrjes, lëvizjes dhe daljes në nga territori i Republikës së Shqipërisë, të shoqërohen nga njësi të armatosura të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Njoftimi për shtyp i qeverisë shqiptare shton se procedurat për hyrjen, qëndrimin dhe daljen e këtyre trupave në Republikën e Shqipërisë janë parashikuar në marrëveshjen, ndërmjet palëve të Traktatit të Atlantikut të Veriut.
4 Dhjetor 2008