E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimet e Rënda, 380 përgjime vetëm për 2008-n

Kush është përfshirë në rrethin e përgjimeve për të ndaluar të dyshuarit. Kërkesat e Prokurorisë, midis të cilave ka pasur dhe kontestime nga togat e zeza

Laureta Rryçi

Tiranë - Janë cilësuar si AS-i nën mëngë i Prokurorisë dhe Gjykatës së Krimeve të Rënda. Prej tyre u ka ardhur “gjëma” dhjetëra grupeve kriminale, që tashmë ndodhen përtej hekurave. Bëhet fjalë për përgjimet. Shifrat flasin se në Shqipëri kjo metodologji cilësohet si prova kyçe ku “kryqëzohet” i pandehuri. Burime pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda pohuan dje për gazetën “Albania” se nga janari deri në ditët e para të dhjetorit është dhënë vendimi për 380 përgjime, të gjitha të ardhura në formë sekrete, nëpër dosje të veçanta, fillimisht me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe më pas, në shumicën e rasteve, kanë marrë miratimin edhe të gjyqtarit që i ka cilësuar të ligjshme ato. Burime shpjegojnë se në shifrën 380 janë të përfshira kërkesa për përgjim që janë bërë për persona që nuk kishin dijeni se ishin nën vëzhgim dhe për të arrestuarit kur ndodheshin në ambientet e paraburgimit.
Përgjimet
Prokuroria e Krimeve të Rënda, për arrestimin e shumë grupeve kriminale, ka dërguar një numër të konsiderueshëm kërkesash për përgjim. Në varësi të informacioneve paraprake varion dhe kërkesa për përgjim. Shifrat tregojnë se ka pasur muaj ku mund të jenë bërë edhe vetëm katër kërkesa, ashtu siç nuk kanë munguar edhe muajt që ka pasur një bum kërkesash. Nga janari deri në dhjetor Gjykata e Krimeve të Rënda ka cilësuar si të drejta më shumë se 300 përgjime. Sipas burimeve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, këto kërkesa janë pranuar për përgjime për shumë persona që ende nuk ishin arrestuar. Këto përgjime janë përdorur për ta si prova të pakontestueshme, si në masën e sigurisë, ashtu edhe gjatë procesit gjyqësor. Por nuk mungojnë edhe përgjime të tjera, të cilat rezultojnë të jenë bërë kur të pandehurit kanë qenë në ambientet e paraburgimit pak çaste pas arrestimit.
Refuzimet
Jo gjithmonë përgjimet mund të konsiderohen të ligjshme. Për gjykatën është shumë e rëndësishme që institucioni i akuzës të respektojë rregullat që janë të përcaktuara në ligjin e përgjimeve. Ka dhe nga ato raste kur gjykata vendos të rrëzojë kërkesën e prokurorisë. Gjatë këtij viti kjo ka ndodhur vetëm në disa raste, që janë një përqindjeje të vogël e të gjitha kërkesave. Sipas burimeve nga gjykata, më pak se 70 kërkesa të prokurorisë nuk janë pranuar. E thënë ndryshe, këta persona i kanë shpëtuar përgjimit qoftë edhe për një moment.

Rregullat e ligjit Kur përgjohemi

Me kërkesën e prokurorit ose të dëmtuarit akuzues, gjykata autorizon përgjimin me vendim të motivuar për rastet e lejuara me ligj, kur ai është i domosdoshëm për vazhdimin e hetimeve të filluara dhe kur ka prova të mjaftueshme për vërtetimin e akuzës. Kundër vendimit të gjykatës që refuzon kërkesën mund të bëhet ankim i veçantë. Kur ka arsye të bazuara për të menduar se nga vonesa mund t'i vijë një dëm i rëndë hetimeve, prokurori vendos përgjimin me akt të motivuar dhe njofton gjykatën menjëherë, por jo më vonë se njëzet e katër orë. Gjykata, brenda dyzet e tetë orëve nga vendimi i prokurorit, bën vleftësimin me vendim të arsyetuar. Kur vleftësimi nuk bëhet në afatin e caktuar, përgjimi nuk mund të vazhdojë dhe rezultatet e tij nuk mund të përdoren. Vendimi për përgjimin tregon mënyrën e kryerjes dhe kohëzgjatjen e veprimeve, e cila nuk mund t'i kalojë pesëmbëdhjetë ditët. Ky afat, me kërkesë të prokurorit, mund të zgjatet nga gjykata sa herë është e nevojshme, për një periudhë prej 20 ditësh kur procedohet për krime dhe 40 ditësh kur procedohet për krime të rënda. Për kryerjen e përgjimit prokurori vepron vetë ose me anën e një oficeri të policisë gjyqësore. Në regjistrin që mbahet në prokurori shënohen aktet që urdhërojnë, autorizojnë, vleftësojnë ose zgjasin përgjimet, si dhe fillimin e mbarimin e veprimeve të çdo përgjimi.

Metoda
Veprimet e përgjimit mund të kryhen vetëm me anën e pajisjeve të instaluara në vende të caktuara, të autorizuara e të kontrolluara nga prokurori i rrethit. Komunikimet e përgjuara regjistrohen dhe për veprimet e kryera mbahet procesverbal. Në procesverbal transkriptohet përmbajtja e komunikimeve të përgjuara. Procesverbalet dhe regjistrimet i dorëzohen menjëherë prokurorit dhe brenda pesë ditëve nga mbarimi i veprimeve ato depozitohen në sekretari bashkë me aktet që kanë urdhëruar, autorizuar, vleftësuar dhe zgjatur përgjimin. Kur nga depozitimi mund të dëmtohen hetimet, gjykata autorizon prokurorin që ta shtyjë depozitimin deri në përfundimin e hetimeve paraprake. Mbrojtësit dhe përfaqësuesit e palëve lajmërohen menjëherë për depozitimin në sekretari dhe për të drejtën që kanë për të shqyrtuar aktet e për të dëgjuar regjistrimet. Gjykata, pasi dëgjon prokurorin dhe mbrojtësit, vendos për heqjen e regjistrimeve dhe të procesverbaleve, përdorimi i të cilave ndalohet. Gjykata urdhëron transkriptimin e plotë të regjistrimeve që duhen marrë. Transkriptimet futen në fashikullin e gjykimit. Mbrojtësit mund të nxjerrin kopje të transkriptimeve.

4 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›