E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hidhet shorti i Ch. LeagueMilan e Reali sërish bashkë

MONTE KARLO- Në Monte Karlo është hedhur shorti për fazën në grupe të Champions League, kompeticioni më i rëndësishëm europian për klube. Grupi më i vështirë këtë herë do të jetë grupi G, ku ndodhen skuadra si Milani, Reali i Madridit, Ajaksi dhe Okseri. Vetëm tre të parat kanë arritur ta fitojnë 20 herë këtë trofe, ç’ka premton beteja epike, siç e tregoi edhe lëvizja e dorës nga Geri Lineker në momentin e kapjes së goglës për Realin. Ndërkohë, Interi kampion Evrope në fuqi do ta nisë nga grupi A, me skuadra si Verder Bremen, Totenhem dhe Tvente e Holandës.

Grupi B është ai më i paparashikueshmi, pasi ndodhen skuadra si Lioni, Benfika, Shalke dhe Hapoel Tel Aviv. Ndërkaq, një short i lehtë për ekipet angleze, që edhe këtë edicion janë 4. Mançesteri ndodhet në grupin C bashkë me Valencian, Glazgou Rejnxhërs dhe Bursasporin e Turqisë. Po ashtu edhe çelsi, do të ndeshet në grupin F me Marsejën, Spartakun e Moskës dhe Zilinën e Sllovakisë, ndërkohë që Arsenali është shortuar në grupin H me skuadra si Shaktjorin e Donjeckut, Sporting Bragën dhe Partizanin e Beogradit. Favoritja kryesore për fitimin e Champions, Barcelona, ndodhet në grupin D bashkë me Panathinaikos, FC Kopenhagen dhe Rubin Kazan. Në grupin E, Bajerni i Mynihut që ishte finalist sezonin e shkuar, do të përballet me Romën, Bazelin dhe rumunët e Kluzh. Finalja e këtij sezoni e Champions League do të luhet më 28 maj 2011 në stadiumin Uembli të Londrës. Ndërkohë, përsa u përket çmimeve të dhëna nga UEFA, ato janë fituar të gjitha nga Interi.

Zhulio Sezar është zgjedhur portieri më i mirë, Maikon mbrojtësi më i mirë, Shnajder mesfushori më i mirë, ndërsa Diego Milito mori trofeun e sulmuesit më të mirë dhe të futbollistit më të mirë të edicionit.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›