Hidi firmos me Alkin në Qipro
Isli Hidi është zyrtarisht lojtar i qipriotëve të Alkit. Portieri i kombëtares ka firmosur dje kontratën 2-vjeçare me klubin e ri, pasi ka kaluar edhe testet mjekësore. Kushtet ekonomike të marrëveshjes janë mjaft të mira: vitin e parë Hidi do të përfitojë 120 mijë euro rrogë, plus 35 mijë euro bonus. Në vitin e dytë të kontratës shpërblimi mbetet i njëjtë, ndërsa rroga bëhet 130 mijë euro. Sipas kontratës, "gardiani" do të përfitojë edhe 50 mijë euro shpërblim nëse Alki e shet te ndonjë skuadër tjetër. 27-vjeçarit i është lënë një makinë e re në dispozicion, apartament dhe ushqimi falas në restorant. Hidi bëhet shqiptari i katërt që luan në elitën e futbollit qipriot pas Beqajt, Haxhit dhe Duros. Gjatë prezantimit ai tha: "Erdha këtu për të punuar mirë dhe të ndihmoj skuadrën të synojë për kreun e kampionatit. Mendoj se është një objektiv plotësisht i arritshëm".