Dortmundi, asnjë koment për Bakajn
Ndonëse Elis Bakaj ka deklaruar publikisht se është në bisedime me skuadrën e Borusias së Dortmundit, vetë ekipi gjerman nuk ka bërë ende asnjë koment rreth kësaj çështjeje. Mediat gjermane e kanë zbuluar interesimin e skuadrës gjermane pikërisht nga mediat shqiptare, ndërsa u kanë kërkuar një prononcim drejtuesve të Borusias. Por këta të fundit kanë preferuar të qëndrojnë në heshtje, pa e mohuar marrëveshjen me futbollistin e Partizanit. Sipas "Revier Sport", Bakaj cilësohet si një alternativë shumë e vlefshme në fazën ofensive të skuadrës, e cila po bëhet gati të blejë edhe Delron Baklein. Kjo gazetë ka bërë të ditur se Baklei do të ketë një vend në formacionin titullar, ndërsa Bakaj, falë teknikës dhe shpejtësisë që ka, mund ta zëvendësojë atë në minutat e fundit të ndeshjes. Por të gjithë vazhdojnë të jenë në pritje të një komenti zyrtar nga Borusia.