E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hidink: “Kujdes nga Leo Mesi!” Guardiola: “Rrethoni Drogbanë”

Veterani i gjysmëfinaleve, Lampard: “Barça-Çelsi, një magji futbolli”. Katalanasit kanë një vijë sulmuese të klasit botëror: Mesi-Eto-Henri

Trajneri i Çelsit, Gus Hidink ka vetëm një njeri në mendjen e tij, përpara se skuadra e tij të ndeshet në mitikun “Kamp Nou” me Barcelonën në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve (direkt në Vizion Plus dhe Tring TV). Dhe ky njeri është Lionel Mesi. Shumë biseda në javët e fundit janë fokusuar në faktin se cili nga mbrojtësit “Blu” duhet të markojë argjentinasin, por Hidink e pranoi se detyra nuk është aspak e lehtë. “Unë mendoj se shumë ekipe kanë dëshmuar se është shumë e vështirë t’i bllokosh ata, janë të aftë të shënojnë. Linja e parë e tyre është e klasit botëror: Henri ka klasin e tij, eksperiencën, Eto’o-në e kam pasur si lojtar të ri te Reali i Madridit, kur ai ishte vetëm 17-vjeç, dhe tashmë ia ka bërë një progres përshtypjelënës, teksa ka fituar edhe tituj e ka grumbulluar eksperiencë. Dhe sigurisht, një djalosh si Mesi, të cilën e kisha parë disa vjet më parë gjatë një turneu për Argjentinën. Ai ka një të ardhme të madhe, dhe brenda një kohe të shkurtër do të jetë një lojtar i kompletuar. Unë e pëlqej shumë mënyrën sesi ai luan. Duket shumë i thjeshtë në lojën e tij, por në të vërtetë është diçka e komplikuar. Ne kemi disa opsione për ta mbuluar Mesin, por nëse atij do t’i vendosim dy lojtarë për mbuluar do të ishte një dështim, pasi një tjetër lojtar do të ishte i lirë, i gatshëm për të na dëmtuar”.
BARCELONA
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, do të preferonte të përqendrohej te statistikat, që tregojnë se ekipi që ai drejton është skuadra që ka shënuar më shumë në Ligën e e Kampioneve, 29 gola, teksa ai kërkon finalen në sezonin e parë si trajner, teksa ka marrë pjesë si lojtar po me këtë klub në vitin 1992 dhe 1994.
Çelsit i duhet të mbrohet më mirë se sa dy ekipet e fundit që vizituan Barcelonën – Olimpiku i Lionit dhe Bajerni i Munihut, që pësuan respektivisht pesë dhe katër gola – për të siguruar për herë të dytë një vend në finale. Ekipi londinez ka marrë zëmër nga dy barazimet në dy vizitat e fundit në “Kamp Nou”, ndërkohë që ka në drejtim Gus Hidinik, ky i fundit nën drejtimin e PSV Eindhoven ka fituar edhe humbur në dy gjysnmëfinalet disa edicione më parë. Qendërmbrojtësi i Barcelonës, Zherard Pike u dërgoi një “shënim paralajmërues” shokëve të ekipit të tij, për të mos ta hequr në asnjë çast vëmendjen nga sulmuesi i Çelsit, Didier Drogba. Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë ka shënuar nëntë gola në 12 ndeshjet e tij të fundit, dhe është një nga lojtarët më të vështirë në botë për t’u mbuluar. “Ai është sulmuesi më i keq që mund ta mbrosh”, - tha Pike për “El Mundo”. “Ai është një atlet, por është shumë inteligjent kur e ka topin nën kontroll. Është një nga sulmuesit më të kompletuar në botë, është i fuqishëm, i mirë në ajër, i shpejtë dhe shumë i mirë në gjuajtje. Çelsi sulmon shumë tani, dhe nën drejtimin e Hindikut, ka shënuar shumë gola”.
MAGJI ARGËTUESE
Frenk Lampard, një nga lojtarët titullar të Çelsit, është një veteran i ndeshjeve midis ndeshjeve kundër Barcelonës, pasi ka qenë pjesë e gjashtë përballjeve kundër formacionit katalanas. Lampard beson se do skuadra e tij do t’ia dalë kundër një gjiganti si Barcelona: “Kur shorti na çiftoi me Barçën, përpara se në të ndesheshim në çerekfinale me Liverpulin, unë e ndjeja se ajo që do të ishte gjysmëfinalja më e bukur që çdokush mund të imagjinonte”, - tha specialisti i gjuajtjeve të lira për faqen zyrtare të UEFA-s, uefa.com. “Atmosfera në stadiumin e tyre dhe fakti që do të luash kundër Barçës, një skuadre që luan një futboll të bukur, është një eksperiencë argëtuese, dhe sa herë që ajo vjen të luajë në ‘Stamford Brixh’, ndeshja shndërrohet në një eksploziv. Kjo ndeshje është gjithmonë shumë e vështirë. Unë mendoj se Lionel Mesi në gjashtë muajt e fundit ka dëshmuar se ai është lojtari më i mirë në botë, por kur luani kundër Barçës, nëse ju nuk do të jeni në top-formë, atëherë Mesi, Ksavi dhe Iniesta do të jenë mbi ju”, - tha mesfushori 30-vjeçar i Anglisë, që merr pjesë në gjysmëfinalen e pestë në gjashtë sezonet e fundit.

LIGA E KAMPIONËVE
GJYSMËFINALET

NDESHJET E PARA
28.04.2009, 20:45
Barcelona-Çelsi
29.08.2004, 20:45
Mançester J.- Arsenal

NDESHJET E KTHIMIT
04.05.2009, 20:45
Arsenal- Mançester J.
05.05.2009, 20:45
Çelsi- Barcelona

Kokë më kokë

Sezoni 2005-2006
Raundi i parë
Çelsi-Barcelona 1-2
Barcelona-Çelsi 1-1
Kualifikohet Barcelona

Sezoni 2004-2005
Raundi i parë
Barcelona-Çelsi 2-1
Çelsi-Barcelona 4-2
Kualifikohet Çelsi

Sezoni 2004-2005
Çerekfinalet
Çelsi-Barcelona 3-1
Barcelona-Çelsi 5-1
Kualifikohet Barcelona

RRUGA E BARCELONËS

Barcelona avancoi në gjysmëfinalen e tretë në katër sezonet e fundit, pas një rezultati të përgjithshëm 5-1 në çerekfinale kundër Bajernit të Munihut (4-0 në shtëpi, 1-1 jashtë). Më parë kishte mundur Lionin me rezultatin e përgjithshëm 6-3 (1-1 jashtë, 5-2 në shtëpi. Në fazën e grupeve Barcelona doli në vendin e parë, duke pasur këtë bilanc: 4 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje.

RRUGA E ÇELSIT

Çelsi zuri një vend në gjysmëfinale pas një “trileri” në çerekfinalet kundër Liverpulit, duke fituar 7-5 në rezultatin e përgjithshme kundër formacionit të Benitezit: 3-1 jashtë, 4-4 në shtëpi. Më përpara blutë e Londrës mundën Juventusin 3-2 në rezultatin e përgjithshëm: 1-0 në shtëpi, 2-2 jashtë. Çelsi zuri vendin e dytë në grup: 3 fitore, 2 barazime, 1 humbje.

Mesi i “artë”
Me tetë gola e katër asistë, sulmuesi i Barcelonës, Lionel Mesi, është favoriti kryesor për të fituar “Këpucën e artë” në Ligën e Kampioneve për këtë edicion.

Goli i Canës
Midis golashënuesve të këtij sezoni të Ligës së Kampioneve ndodhet edhe kapiteni i Olimpikut të Marsejës, Cana. Loriku shënoi në fazën e grupeve kundër Liverpulit.

Ndeshja e kthimit
Takimi i dytë gjysmëfinal i këtij çifti do të luhet në “Stamford Brixh”, më 6 maj. Fituesi do të luajë me ekipin që do të arrijë të kualifikohet nga përballja Mançester-Arsenal.

Finalja e Romës
Barcelona e ka fituar dy herë Ligën e Kampioneve, ndërkohë që Çelsi ishte finalisti i humbur i sezonit të kaluar në Moskë. Finalja e këtij edicioni do të luhet në Romë, më 27 maj.

Pak statistika

Barcelona ka këtë bilanc të përgjithshëm kundër ekipeve angleze: 20 fitore, 15 barazime, 15 humbje. Në ndeshjet e luajtura vetëm në Spanjë: 13 fitore, 9 barazime, 2 humbje.
* * *
Çelsi ka këtë bilanc të përgjithshëm kundër ekipeve spanjolle: 11 fitore, 6 barazime, 6 humbje. Në ndeshjet e luajtura vetëm në Spanjë: 3 fitore, 2 barazime, 5 humbje.
* * *
Barcelona shpreson se do të ketë në anën e saj përveç lojës edhe fatin, kur katalanasit do të përballen me Çelsin në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve.
* * *
Formacioni spanjoll humbi në dy sezonet e fundit përballë skuadrave angleze, me Mançester Junaitid në edicionin 2007-2008 me me Liverpulin në atë 2006-2007.
* * *
Barça nuk ka mundur të fitojë në katër ndeshjet e fundit në shtëpi kundër ekipeve angleze.
* * *
Barcelona ka fituar katër nga nëntë ndeshjet e mëparshme gjysmëfinale në Ligën e Kampioneve. Çelsi ka fituar një nga katër gjysmëfinalet e diskutuara.

28 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›