E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kombëtarja, gjashtë kandidatë për 300 mijë euro



Pas takimeve në Vjenë me gjashtë trajnerë të huaj kandidatë për të pasuar Ari Hanin në bankinën e Shqipërisë, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, brenda kësaj jave do të përzgjedhë teknikun e ri për tri ndeshjet e mbetura nga fushata kualifikuese e Botërorit 2010 dhe komplet edicionin eliminator të Kampionatit Europian 2012. Kontrata e trajnerit të ri, e cila do të jetë për një periudhë kohore prej 30 muajsh (maj 2009 – nëntor 2011) do të këtë një vlerë prej 300 mijë eurosh, ose e përkthyer më thjesht, 10 mijë euro në muaj. Disa nga emrat me të cilët ka biseduar Duka e ndihmësit e tij, Kasmi e Nuri, janë Luka Bonaçiç (kroat, ish-trajner i Dinamos), Mario Kempes (argjentinas, ish-trajner i Lushnjës), përfaqësuesin e trajnerit Bylent Korkmaz (turk, trajner i Gallatasarajit). Emra të tjerë janë austriaku Herbert Prohaska (54 vjeç), ish-lojtari i Austrisë së Vjenës, Interit dhe Romës në vitet ‘70-’80. ka drejtuar kombëtaren e Austrisë në botërorin Francë 98‘ dhe aktualisht punon si specialist futbolli pranë Federatës Austriake. Një tjetër emër i përfolur është edhe ish-mbrojtësi gjerman, Guido Bukvald, një lojtar i suksesshëm me klube në Gjermani dhe në Japoni. Si trajner ai ka punuar te japonezët e Urava Reds. Trajneri i ri do të drejtojë përfaqësuesen tonë në tri ndeshjet e fundit zyrtare të fushatës kualifikuese të Kampionatit Botëror 2010 ato kundër Portugalisë, Danimarkës (të dyja në Tiranë) e Suedisë në transfertë. Shqipëria ka 6 pikë pas shtatë ndeshjesh dhe ndodhet e pesta në Grupin 1. Përsa i përket agjendës së miqësoreve ato nisin me Gjeorgjinë (10 qershor 2009, në Tiranë), më pas me Qipron, më 12 gusht 2009 dhe e fundit për këtë vit me Skocinë (në tetor ose në nëntor të këtij viti, data nuk është zyrtarizuar).

Bisedon me Dukën, por e “rrëmben” Bajerni

Josef Heinkes, i cili si trajner ka qenë shumë i suksesshëm në drejtimin e klubeve si Borusia Mynshengladbah, Bajerni i Mynihut dhe Reali i Madridit, ishte një nga trajnerët që bisedoi me Dukën në takimet e Vjenës për të zënë vendin e Ari Hanit, por nga dita e hënë ai do të jetë në drejtimin e Bajernit të Munihut. Skuadra bavareze shkarkoi nga detyra e trajnerit Jurgen Klinsmanin, pas humbjes së rekordmenëve të Gjermanisë me Shalke 04. “Më vjen keq që po largohem, por nga ana tjetër duhet të falënderoj klubin, tifozët”, - tha ish-trajneri i Kombëtares gjermane.

28 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›