Sandra Bullok: “Nudon e parë doja të bëja para moshës 60-vjeçare”
Pritje e madhe është krijuar për komedinë argëtuese “The Proposal” e cila do të dalë në kinema më 19 gusht në Shtetet e Bashkuara. Protagoniste e kësaj komedie është pikërisht Sandra Bullok, e cila luan rolin e botueses tepër të rreptë, që detyrohet të martohet me asistentin e saj (Rajan Rejnolds) për të rinovuar lejen e qëndrimit. Por në një skenë aktorja del nga dushi dhe është pikërisht skena e saj e parë nudo: “Desha të bëja nudon e parë para se të mbushja 60-vjeç”,- është shprehur me ironi 44-vjeçarja. Në filmin e drejtuar nga An Fletçer, Sandra që luan rolin e Margaret Tate është një nga botueset më të famshme në vend. Kur kupton që leja e qëndrimit po i skadon dhe do t’i duhet të kthehet në Kanada, atëherë bën një kompromis me veten për t’u martuar me asistentin e saj Andreu Pakston (Rajan Rejnolds). Në momentin që ajo do të arrijë qëllimin, edhe martesa do të marrë fund. Por surprizat do të jenë të shumta për çiftin që nuk do ta ketë aspak të lehtë të ndahet. “M’u desh të punoja shumë për rolin e Margaret dhe të përqëndrohesha në sjelljen e një mashkulli nga mënyra sesi punon, mendon dhe shfaqet. Ishte një eksperiencë e bukur megjithatë”,- është shprehur Bullok.
28 Prill 2009