Hidrocentrali i Ashtës do të vihet në funksion në 2012
Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, udhëtoi dje drejt Austrisë me ftesë të kompanisë vendase Verbund, e cila ka firmosur me qeverinë shqiptare kontratën për ndërtimin e hidrocentralit të Ashtës një vepër me vlerë 170 milion euro. Qëllimi i këtij udhëtimi ishte prezantimi i projektit ambicioz, i cili do te prodhoje energji për më shumë se 100 mijë shtëpi shqiptare brenda vitit 2012 për ndërtimin e së cilës do të përdoret një teknikë e veçantë me turbina të vogla nga të cilat do të përftohen rrymat më të ulta me efikasitet më të lartë.
Gjatë takimit që ministri Ruli zhvilloi me drejtuesit e Verbund në Vjenë u shpreh se projekti në fjalë është shumë i rëndësishëm për përmirësimin e furnizimit me energji të vendit pa ndërprerje, ndërsa vlerësoi në maksimun seriozitetin e kompanisë austriake. Ashta ka vlerën e madhe që është projekti që dëshmoi vullnetin e qeverisë shqiptare ndaj investitorëve të huaj dhe nga ana tjetër dëshmoi vullnetin e Verbundit për të bërë një ofertë optimale duke e parë atë vetëm si projektin e tij të parë në Shqipëri dhe në atë pjesë të rajonit. Kështu që në mënyrë të veçantë ajo merr tërë vëmendjen dhe kujdesin e të dyja palëve së bashku, ashtu sikurse e merr në familje edhe fëmija i parë dhe e ka këtë privilegj tha ministri Ruli. Verbundi në Europë konsiderohet si një kompani e specializuar në prodhimin e energjisë nëpërmjet hidrocentraleve. Ne kemi në funksionim 100 hidrocentrale dhe 2/3 e tyre i kemi të ndërtuara jashtë Austrisë ndërsa po përpiqemi ta shtrijmë aktivitetin tonë në gjithë kontinentin. Hidrocentrali i Ashtës është një risi në projektet tona kur flitet për teknologjinë që do të përdoret në ndërtimin e tyre ndërsa përsa i përket kontratës me qeverinë shqiptare ne vlerësojmë së tepërmi procedurat transparente të prokurimit dhe më pas përkrahjen që na ka ofruar ajo. Fillimi i ndërtimit të hidrocentralit të Ashtës është programuar në fund të këtij viti dhe nga viti 2012 elektriciteti i gjeneruar në këto impiante do të ushqehet në rrjetin 110KV të Shqipërisë dhe do të furnizojë fillimisht zonën rreth Shkodrës, tha Christian Kern, përfaqësuesi i Verbund.