Sulmet ndaj Ramës, fushatë zgjedhore brenda PD-së
Eljona Ballhysa
Në prag të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, anëtarët e Kryesisë Qendrore dhe sekretarët e kësaj partie janë shpërndarë ditët e fundit nëpër rrethe të ndryshme të vendit, ku kanë marrë pjesë në mbledhjen e strukturave. Në fjalimet e lidershipit të PD-së kryefjalë qëndron sulmi personal ndaj kreut të opozitës Edi Rama. Të njëjtin fjalim ka mbajtur dje nga kuvendi i degës së PD-së së Lezhës, kryeministri Berisha, të njëjtin fjalim ka mbajtur dje nga Malësia e Madhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, të njëjtin fjalim e ka mbajtur dje nga Kuvendi i PD-së së Beratit, Genc Pollo, si dhe Astrit Patozi nga Kavaja. Ndërsa vetëm një ditë më parë akuza të njëjta në fjalimet e tyre kanë përsëritur nga dega e PD-së së Pogradecit, Ridvan Bode, apo Sokol Olldashi nga strukturat e PD-së së Fierit, ndërsa Aldo Bumçi ka folur nga foltorja e zyrës së shtypit të Kuvendit në Tiranë.
Strategjia
Sipas burimeve nga selia blu, anëtarët e Kryesisë Qendrore të Partisë janë shpërndarë në degët e PD-së në rrethe për të bërë përgatitjet e fundit për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së. Sekretarët janë duke përcaktuar delegatët që do të marrin pjesë në mbledhjen e Kuvendit nga ku do të zgjidhet kryetari i partisë, por edhe anëtarët e Këshillit Kombëtar. Detyrat për anëtarët e Kryesisë janë përcaktuar nga vetë kreu i PD-së, Berisha. Ndërsa fushata anti-Rama është një strategji që po përdoret nga të gjithë anëtarët e Kryesisë Qendrore të PD-së dhe sekretarët. Por këtë strategji po mundohen ta shfrytëzojnë sa më shumë edhe deputetët e PD-së. Të gjithë synojnë të afirmohen jo vetëm përpara anëtarëve të degëve të PD-së në rrethet ku ata janë zgjedhur deputetë, por edhe t’i bien në sy kryetarit, në mënyrë që emri i tyre të lakohet si kandidat potencial për ndonjë nga postet më të rëndësishme drejtuese në selinë blu. Disa prej “kandidatëve” synojnë karrigen e Këshillit Kombëtar, disa të tjerë një post në Kryesinë Qendrore, ndërsa të tjerët synojnë postet e sekretarëve ose ndonjë ndryshim të minutës së fundit për postin e ndonjë prej nënkryetarëve të partisë.
Postet
Deputetët e rinj të Partisë Demokratike, që kanë nisur të hedhin akuza kundër Ramës, kërkojnë një vend në Kryesinë Qendrore. Kështu mund të cilësohet, sipas burimeve, përpjekja e deputetes së re Mesila Doda. Ndërsa Bode, me akuzat e lëshuara nga Pogradeci, po mundohet të mos e lëshojë postin e sekretarit të Përgjithshëm në parti. Olldashi, nga ana tjetër, prej vitesh e synon këtë post të rëndësishëm. Ndërsa për Pollon burimet nga PD-ja bëjnë të ditur se po bën fushatë për postin e nënkryetarit të PD-së. Ekzistojnë dy skema për postin e nënkryetarit, ku njëra përfshin mundësinë e shtimit të një nënkryetari të tretë në PD, të cilin Berisha mund t’ia japë Pollos. Daljet publike me akuza të forta kundër kryetarit të PS-së kanë rezultuar të suksesshme për të bërë karrierë brenda PD-së. Në këtë mënyrë arriti të marrë postin e kryetarit të Degës së PD-së së Tiranës, Aldo Bumçi, rreth një vit më parë. Edhe Gerdi Bogdani, vetëm për shkak të akuzave kundër Ramës, nga një zëdhënës për shtyp, arriti të merrte mandatin e deputetit. Duket se kjo teori është mësuar shumë mirë nga të rinjtë e selisë blu, ndaj që të gjithë po mundohen ta shfrytëzojnë këtë fushatë akuzash për përfitime personale brenda PD-së.
Berisha në Lezhë: Mosnjohja e zgjedhjeve na nderon
Kryeministri Sali Berisha ka vlerësuar maksimalisht zgjedhjet e 28 qershorit, duke i konsideruar ato si arritja më e madhe në karrierën e tij politike. Kreu i qeverisë e ka bërë këtë deklaratë nga foltorja e Kuvendit të PD-së së Lezhës, ku përsëriti edhe njëherë akuzat drejtuar kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama. “Ne ia dolëm të votojmë me dinjitetin më të madh të kohës së sotme. Kjo është trashëgimia më e shkëlqyer që u lëmë shqiptarëve. Ne duhet të jemi krenarë për këtë. Zgjedhjet e 28 qershorit janë arritja me e madhe në karrierën time”, - tha Berisha në fjalën e tij. Sipas tij, arritje është dhe fakti që zgjedhjet i firmosi edhe opozita me komisionerët e vet. “Ne duhet të jemi fatlumë se zgjedhjet tona për herë të parë i ka firmosur opozita, me 20 mijë komisionerët e vet socialistë të ndershëm. Prandaj janë zgjedhjet më të bekuara”, - vazhdoi Berisha. Mosnjohja që Partia Socialiste po u bën zgjedhjeve duke shkaktuar kështu edhe bllokimin e punës në Kuvend, për kryeministrin nuk përbën asnjë problem. Duke iu drejtuar në distancë kreut të socialistëve, Edi Rama, Berisha tha se mosnjohja e zgjedhjeve vjen nga mendësia e diktatorit Enver Hoxha dhe se kjo vetëm sa e nderon kryeministrin në detyrë. “Të them dy fjalë, zoti Rama: mosnjohja e zgjedhjeve nga ty vetëm na nderon. Kurrë mos i njih”, - është shprehur kreu i PD-së.
Topalli nga Malësia e Madhe: “Nuk merremi me ultimatume masonësh”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë një takimi në strukturat e PD-së së Malësisë së Madhe, deklaroi se Shqipëria e fitoi betejën me zgjedhjet dhe se humbësit nuk i njohin ato. “Shpreh hidhërim që zoti Rama nuk i njeh zgjedhjet”, - theksoi Topalli. Ajo shtoi më tej se Partia Demokratike nuk do të merret me ultimatume masonësh, duke pasur parasysh ultimatumin e vendosur nga opozita për hapjen e kutive të votimit. “Rama është përfaqësues i klaneve të Pezës dhe i masonëve. Ne nuk merremi me ultimatumet e masonëve”, - theksoi kryeparlamentarja. Sipas saj, Rama nuk përfaqëson më Partinë Socialiste dhe se nuk mendon për qytetarët shqiptarë, por për egon personale. “Rama për 11 vjet ka qenë jo kryetar, por kryeministër i Bashkisë së Tiranës. Edi Rama nuk mendon për qytetarët, nuk ka menduar për nënën dhe gratë e tij, ndërsa me egoizmin personal do të shkatërrojë forcën politike që drejton”, - është shprehur Topalli.
1 Dhjetor 2009