E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: E papranueshme heshtja e Prokurorisë ndaj skandalit të rrugës “Rrëshen-Kalimash”



Partia Socialiste e konsideron të papranueshme heshtjen e institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme dhe refuzimin e saj për të nisur hetimet ndaj denoncimeve publike të Partisë Socialiste lidhur me abuzimet financiare të rrugës “Durrës-Kukës”. Duke u nisur nga shembja e tunelit të Kalimashit, shembjeve të shfaqura në pjesë të rrugës, si dhe nga raportimet për rritjen e kostove financiare, deputeti socialist Erion Braçe akuzoi kryeministrin Berisha dhe ministrin e Transporteve Sokol Olldashi se janë të implikuar personalisht në këtë krim ekonomik. “Nisur nga kjo, ne e konsiderojmë të papranueshme heshtjen e Prokurorisë, mungesën e saj ligjore në kryerjen e veprimeve hetimore në dokumentin e këtij dëmi ekonomik kolosal. Është e papranueshme që Prokuroria të veprojë ligjërisht vetëm në rastet e vrasjeve apo të vdekjeve, si pasojë e pasigurisë në punë e sipër në këtë rrugë. Mungesa edhe për më tej e Prokurorisë në kryerjen e veprimeve të domosdoshme hetimore po shton dyshimet e arsyeshme për nënshtrim të saj, daljen jashtë funksioni, për shkak të dhunës që vjen nga kultura qeveritare e pandëshkueshmërisë. Ne, në emër të të gjithë qytetarëve taksapagues, kërkojmë sot me forcë një shpjegim publik nga Prokuroria për arsyet e moskryerjes së veprimeve hetimore në vendin e ngjarjes, në dokumentin e këtij krimi ekonomik”, - tha deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe.

Kostoja
Braçe tha se ndonëse kanë kaluar 35 ditë nga shembja e tunelit të Kalimashit dhe 35 ditë nga mbyllja e rrugës, heshtja e kryeministrit Berisha shton gjithnjë e më tepër bindjen se inaugurimi elektoral i kësaj rruge ka qenë mashtrimi më i madh në 13 vitet e fundit dhe i barasvlershëm me mashtrimin historik të skemave piramidale. Braçe tha se fatura financiare e kësaj rruge po arrin vlerën e 1 miliard eurove, ndërkohë që ai paralajmëroi edhe rritjen e faturës financiare edhe me 1/3 e parave të paguara deri tani. “Fatura financiare e kësaj manovre elektorale, e denoncuar botërisht nga institucionet kushtetuese, ligjzbatuese të këtij vendi, po arrin në vlerën e 1 miliard eurove me taksa! Fatura financiare pritet të fryhet edhe me 1/3 e parave të paguara deri tani, minimumi për shkak të manovrës elektorale dhe dëmit kolosal të ardhur prej saj. Paratë e përdorura për këtë qëllim përbëjnë një dëm kolosal ekonomik për buxhetin e shtetit, boshatisja e të cilit edhe për këtë shkak po shtyn drejt falimentit ekonominë e vendit, po nxjerr në pah pamundësinë financiare të qeverisë: për të shlyer faturat e borxheve joligjore krijuar nga nevoja elektorale. Për të paguar detyrimet ligjore ndaj kategorive në nevojë, të papunë, invalidë etj.”, - tha Braçe.

Akuza

Deputeti socialist Erion Braçe akuzoi kryeministrin Berisha dhe ministrin Olldashi se kanë shkelur rëndë kontratën me kompaninë ndërtuese të rrugës. Braçe tha se për shkak të kësaj shkeljeje, tashmë dëmet që po pëson rruga, si në rastin e rrëzimit të tunelit do të paguhen nga taksapaguesit shqiptarë. “Më hapur se kaq në krim, nuk ka! Ndaj Sali Berisha hesht. Ndaj Prokuroria nuk duhet të heshtë. Ky është një krim tejet i personalizuar te dy njerëz, Sali Berisha dhe Sokol Olldashi. Të gjithë shqiptarët duhet të kuptojnë se për shkak të këtij krimi të personalizuar, për shkak të përfshirjes së një Parlamenti persona në lejen për pagimin me paratë e taksave të dëmit të ardhur nga ky krim financiar, për të fshehur si përherë përgjegjësinë individuale penale, në mes të asaj kolektive të Parlamentit, në kushtet e mungesës së legjitimitetit të këtij Parlamenti, për t’i fshehur paq këta keqbërës”, - përfundoi Braçe.

Kontrata, qeveria duhet të paguajë dëmet për rrëzimin e tunelit

Deputeti socialist Erion Braçe ka zbuluar dje kontratën midis qeverisë dhe kompanisë “Bechtel-Enca”. Në këtë kontratë përcaktohet qartë se përderisa qeveria ka marrë rrugën në dorëzim, atëherë është ajo që duhet të mbulojë financiarisht dëmet që pëson rruga. “Kontrata mes qeverisë e kompanisë ‘Bechtel-Enca’ definicionet në të, përcaktojnë qartë shkakun formal të këtij krimi ekonomik, përgjegjësit, burimin e financimit të dëmit të shkaktuar në këtë rast. Porositësi duhet të përdorë pjesët përkatëse të segmentit të tretë të punimeve kur tuneli është i disponueshëm për përdorim të sigurt për një korsi të trafikut në secilin drejtim. Përndryshe, porositësi nuk duhet të përdorë ndonjë pjesë të punimeve derisa inxhinieri të ketë lëshuar vërtetimin për marrjen në dorëzim për atë pjesë. Kur porositësi përdor pjesën përkatëse të segmentit të tretë dhe porositësi përdor ndonjë nga pjesor e tjera të rrugës interurbane kryesore përpara lëshimit të vërtetimit të marrjes në dorëzim. Pjesa do të mendohet të jetë marrë në dorëzim nga data e përdorimit. Sipërmarrësi nuk do të jetë përgjegjës për kujdesi ndaj kësaj pjese nga kjo data, kur përgjegjësia i kalon porositësit. Nëse kërkohet nga sipërmarrësi, inxhinieri duhet të lëshojë vërtetimin e marrjes në dorëzim për këtë pjesë. Nëse sipërmarrësi pëson kosto si rrjedhojë e marrjes në dorëzim nga porositësi dhe/ose nga përdorimi i një pjesë të punimeve, sipërmarrësi i duhet të njoftojë inxhinierin, të gëzojë të drejtat sipas Nenit 20.1. pretendimet e sipërmarrësit për pagesën e këtyre kostove, plus përfitimin, i cili do t’i shtohet çmimit të kontratës. Pas marrjes së njoftimit, inxhinieri duhet të veprojë sipas Nenit 3.5 (përcaktimet), për të pranuar ose përcaktuar koston dhe përfitimin. Pra, tuneli dhe rruga nuk duhet të ishin përdorur kur elementi bazë, vënë si kusht në këtë kontratë, siguria, më tej elementi identifikues hapja e korsive të sigurta në secilin drejtim të trafikut, të kish ndodhur e garantuar. Po sipas kontratës, nëse kompania ndërtuese pëson kostot në vepër për këtë shkak, në këtë rast kompania gëzon të drejtën për pagesën e këtyre kostove, plus përfitimin, i cili do t’i shtohet çmimit të kontratës”, - zbuloi Braçe.

1 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›