E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana mban rekordin e çmimit të shitjes me pakicë të karburanteve



Asnjë automjet me doganë të falsifikuar nuk është targuar dhe pajisur me certifikatë pronësie nga autoritetet shqiptare, në gjashtë muajt e parë të këtij viti. Sipas drejtuesve të Shërbimit të Transportit Rrugor (SHTRR), ky tregues lidhet me kontrollet e vazhdueshme për të parandaluar këtë fenomen. Drejtori i Përgjithshëm i SHTRR-së, Kreshnik Bozho, deklaroi dje për mdiat se, “në bashkëpunim edhe me administratën doganore, nëpërmjet sistemit ‘ASYCUDA++’ (sistemi i autorizuar i të dhënave doganore) janë kontrolluar ‘on-line’ të gjitha deklaratat doganore të mjeteve që hyjnë për herë të parë në vendin tone”. Sipas Bozhos, në këtë 6 mujor janë kontrolluar “on-line” në sistemin ASF2 (sistem i Europolit me informacion të hollësishëm për mjetet e trafikuara në 168 vende anëtare), 4223 mjete që kanë hyrë për herë të parë në Shqipëri, nga të cilat rezultuan të trafikuara 42 mjete të prodhuara vitet e fundit. "Për këto mjete nuk janë dhënë lejet e qarkullimit dhe certifikatat e pronësisë, ndërsa dosjet përkatëse janë dërguar në ministrinë e Brendshme për procedime të mëtejshme", - tha Bozho. Ai shtoi më tej se numri i mjeteve me doganë të falsifikuar është ulur gjatë tre viteve të fundit. Në vitin 2005 numri i mjeteve me doganë të falsifikuar rezultoi 782, ndërsa në vitin 2007 ky numër u ul në 38.

Kompania austriake "Verbund" do të ndërtojë me koncesion HEC-in e Ashtës

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës shpalli si fituese të tenderit për ndërtimin me koncesion të Hidrocentralit të Ashtës në qarkun e Shkodrës, kompaninë austriake 'Verbund'. Kjo kompani është krijuar që prej vitit 1947 dhe zotëron rreth 90 hidrocentrale me një fuqi 6000 MW dhe një prodhim 22.8 bilionë kilovat-orë. Vlera totale e investimit për ndërtimin e hidrocentralit të Ashtës, me një fuqi të instaluar 40-70 MW, është llogaritur nga firma austriake në shumën prej 167 milionë euro. Kohëzgjatja e ndërtimit të tij parashikohet në 36 muaj. Në tenderin e zhvilluar në 13 qershor të këtij viti për ndërtimin e këtij hidrocentrali, paraqitën ofertat e tyre konsorciumi i përbërë nga dy kompani "CNR & Electrabel" si dhe kompania "Verbund". Komisioni i vlerësimit të Ofertave në METE ka vlerësuar me 95.33 pikë ofertën e dhënë nga "Verbund" dhe me 59.21 pikë konsorciumin "CNR & Electrabel". Ndër kriteret kryesore ishin çmimi më i lirë i energjisë elektrike që do ofrohet për tregun dhe sistemin shqiptar, cilësia teknike e ofertës, fuqia e instaluar, standardet teknike dhe sociale me të cilat do të ndërtohet ky projekt, si dhe koha e ndërtimit të HEC-it. Qeveria Shqiptare përgatiti dhe publikoi në datën 14 janar, 2008 projektin koncesionar për ndërtimin e HEC-it të Ashtës, në formën e një propozimi të kërkuar me konsulencën e IFC-së.

Kompania e prodhimit të avionëve “EADS”, e interesuar për tregun shqiptar

Kompania europiane për aeronautikën dhe mbrojtjen hapësinore “EADS”, ka shprehur interes për të shtrirë aktivitetin e saj edhe në Shqipëri. Kryeministri Berisha ka pritur dje në një takim të posaçëm përfaqësuesit e kompanisë europiane “EADS”, të kryesuar nga zëvendëspresidenti Jens Siebrecht, bënë të ditur burime zyrtare të Qeverisë. Sipas burimeve të mësipërme, në takimin me Kryeministrin Berisha, përfaqësuesit e “EADS” vlerësuan Shqipërinë si një vend me potencial të lartë biznesi. Ata përcaktuan piketat e projekteve, të përqendruara në prodhimin e avionëve civilë dhe ushtarakë dhe sigurimin e pjesëve të këmbimit. Kryeministri Berisha u njoh me projekt-propozimet e korporatës “EADS” dhe vlerësoi vendimin e drejtuesve të saj për të investuar në Shqipëri. Kreu i qeverisë i garantoi investitorët se do të kenë mbështetjen e qeverisë për të konkretizuar projektet e tyre.

1 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›