E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Hidromorava" kërkon kursimim e ujit të pijshëm

Gjilan/Kamenicë, 13 gusht - Derisa Kamenica ka probleme me ujë të pijshëm, në Gjilan nuk janë paraparë reduktime, është thënë të premtën nga drejtues të kompanisë "Hidromorava" në Gjilan. Mumin Morina, drejtor teknik në Kompaninë Rajonale për ujë dhe kanalizim "Hidromorava" në Gjilan, ka thënë se në Gjilan nuk do të ketë reduktime të ujit të pijshëm, ndërsa Kamenica dhe Vitia kanë probleme për shak se është shtuar numri i konsumatorëve, por nuk kanë ndryshuar kapacitetet e ujit, parandaj edhe ka reduktime të ujit të pijshëm në këto dy komuna të Anamoravës. Ai ka apeluar për kursim të ujit të pijshëm në tërë rajonin.
Në mungesë të burimeve të mjaftueshme të ujit të pijshëm, kamenicasit jo rrallë ballafaqohen me reduktime të ujit, sidomos gjatë ditëve të verës, kur shtohet konsumimi i ujit të pijshëm. Zyrtarë të njësisë së kompanisë rajonale për ujë dhe kanalizim "Hidromorava" kanë kërkuar të premten nga qytetarët që të kursehet uji i pijshëm në Kamenicë, në mënyrë që të ketë sasi të mjaftueshme të ujit për të gjitha lagjet dhe për të gjithë qytetarët.
Afrim Mujaj, përgjegjës i Njësisë së Kompanisë Rajonale për ujë dhe kanalizim "Hidromorava" në Kamenicë, ka thënë se në Berivojcë do të fillojë reduktimi i përkohshëm i ujit të pijshëm nga ora 23:00 të natës në orën 08:00 të mëngjesit, pasi, sipas tij, kjo duhet të bëhet për shkak të furnizimit paralel të lagjeve "Malësia" dhe "çamëria", të cilat kanë kuotat më të larta të konsumit.
Ai ka thënë gjatë këtyre dy muajve, falë bashkatdhetarëve, është ngritur edhe niveli i inkasimeve. Mujaj ka shtuar se në Komuna e Kamenicës në bashkëpunim me kompaninë "Hidromorava" në Gjilan " kanë investuar në blerjen e një pompe uji, e cila ka mundësuar furnizimin me 20 % më shumë të sasisë së ujit për qytetarët kamenicas. Ai ka apeluar te të gjithë qytetarë që mos e keqpërdorin ujin e pijshëm.
Kryetari i Kamneicës, Shaip Surdulli, ka thënë se Kamenica nuk mund ta zgjidhë problemin afatgjatë të furnizimit të ujit të pijshëm përmes burimeve ekzistuese me puse pranë lumit të qytetit. Ai ka nënvizuar nevojën e ndërtimit të një pende në Kremenatë, ku ka ujë të mjaftueshëm, për këtë ka pasur disa matje më herët dhe duhet të fillojë konkretizimi i projektit të ujit të pijshëm për Kamenicën.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›