E Diel, 1 Nëntor 2026

INPO "ekspozon" para pushtetarëve në Ferizaj pusetat pa kapakë

Ferizaj, 13 Gush – Njëzet foto të vendosura në një pano, të pusetave pa kapakë nga OJQ INPO,  është "ekspozita" që e pret çdo pushtetar lokal, i cili del prej komunës së Ferizajt. Kjo performancë e INPO-s pason pas disa reagimeve publike që ka bërë kjo organizatë  për mungesën e kapakëve të pusetave në rrugët e qytetit të Ferizajt. Duke iu bashkangjitur edhe  reagimeve të shumta që kanë ardhur  nga qytetarët, mediat dhe OJQ-të e ndryshme, INPO-ja, të premtën,  ka shënuar në fund të çdo fotoje afatin kur eventualisht pushteti lokal do t'i përmirësojë apo do t'i vejë kapakët e vjedhur ."Ne nuk përjashtojmë mundësinë që pusetat mund të jenë hequr nga qytetarë të papërgjegjshëm, për t’u shitur për hekur, mirëpo organet përgjegjëse të Kuvendit Komunal duhet të jenë më aktive në terren, të vëzhgojnë gjendjen në rrugë dhe të sigurohen se ato janë të sigurta për mjetet motorike dhe për qytetarët e Ferizajt", pohoi Adem Salihu menaxher i programeve.
 INPO-ja ka  paralajmëruar  zyrtarët komunalë se në vazhdimësi do të përcjell progresin e arritur në zgjidhjen e këtij problemi dhe panoja me foto të pusetave pa kapakë do të qëndrojë në shesh të qytetit derisa të vendosen kapakët.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›