E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inaugurohen QKRC-ja dhe QRA, shërbimet pas një jave

Prishtinë, 13 gusht - Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi ka inauguruar sot në Gjilan objektin e Qendrës  Komunale për Regjistrim Civil (QKRC) dhe Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve (QRA).
Pas prerjes së shiritit inaugurues, ministri Rexhepi ka premtuar se pas një jave këto dy qendra do t’i hapin dyert për qytetarët.
"Objekti i QKRC-së dhe QRA-s është shumë funksional dhe do t'i plotësojë të gjitha kushtet e domosdoshme, si për punëtorët ashtu edhe për aplikuesit që vijnë këtu. Presim që ky objekt të hyjë në funksion shumë shpejt", ka thënë ministri Rexhepi.
Brenda këtij afati një javor, QKRC dhe QRA në Gjilan do të kompletohen tërësisht me të gjitha pajisjet e duhura.
Projekti për ndërtimin e këtyre dy qendrave është financuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe ka kushtuar rreth 340 mijë euro.
Gjatë vizitës në Gjilan, ministri Rexhepi, i shoqëruar nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Behar Selimi, ka vizituar Stacionin Policor të Gjilanit.
Në takim me krerët policorë është biseduar për gjendjen e sigurisë në rajonin e Gjilanit, e cila është vlerësua të jetë e qetë.
"Ne jemi të kënaqur dhe krenarë me punën tuaj. Ne si Ministri, do të angazhohemi për krijimin e kushteve më të mira të punës në mënyrë që të jeni sa më efikas në ruajtjen e rendit dhe qetësisë", ka thënë ndër të tjera ministri Rexhepi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›