High Definition, përmbushet ëndrra e Tanit
"Top Channel" mban premtimin dhënë themeluesit të saj Dritan Hoxha për transmetimet shqiptare high definition. Gati një vit nga humbja e Tanit, realizohet ëndrra e tij për regjinë HD, që transmetoi festivalin "Top Fest 6" dhe sfidën e kombëtares shqiptare me ekipin e Milanit. Nata finale e të vetmit festival të muzikës moderne shënoi edhe një erë të re në transmetimet televizive. Për herë të parë, një eveniment u transmetua dhe u regjistrua në formatin HD. Regjia e madhe lëvizëse ishte vendosur në oborrin e pallatit të sportit "Asllan Rusi". Nga pulti i regjisë, Bojken Lako kontrollonte lëvizjen e kamerave dhe në përgjithësi gjithë mbarëvajtjen e spektaklit. Në një kënd të regjisë, kryeinxhinieri Redi Neziri kontrollonte tërë transmetimin. Regjinë lëvizëse në HD e kishte montuar me duart e veta. "Top Fest 6" ishte për të prova e madhe. Me profesion inxhinier, Redi Neziri së bashku me dy tre-persona të tjerë është dora e vjetër, një nga ata me të cilët Dritan Hoxha ngriti televizionin. Ai kujton se ideja e parë për të futur formatin High Definition në Shqipëri ka lindur rreth 2007-ës, pasi u kthyen nga një panair gjigant në Las Vegas. "Aty u vu re se teknologjia HD po përhapej në televizionet më të mëdha. Aty u hodh mendimi i parë se ne duhet të shikonim në të ardhmen për këtë teknologji", tregon Neziri. Kjo teknologji, e lakmuar në të gjithë botën, bazohet në një pastërti të madhe të imazhit të transmetuar. Kjo ishte e dukshme në spektaklin e madh të natës finale të "Top Fest". Redi Neziri kujton se rezultati edhe për ta ishte surprizë. Ishte një eksperiment i vështirë, të cilin ata kërkonin ta kryenin me çdo kusht. Por, ndërsa në botë ideja për të dalë në transmetim të pastër të imazhit zhvillohej paralelisht me teknologjinë televizive High Definition, ndërkaq në Tiranë, një tjetër ide e Tanit, ajo e transmetimeve dixhitale përmes një platforme me pagesë, ishte shndërruar në një realitet të suksesshëm. Një vit pas vizitës në panairin e Las Vegasit, në 2008-ën, ai e plotësonte paketën "DigitAlb" me 6 kanale HD. Në këtë moment, tregon Redi Neziri, që gjatë "Top Fest 5" u hodh ideja që "Top Channel" të fillonte prodhimin e programeve të veta në HD. "Një vit më parë, në 2008-ën, është prodhuar në standardin 16-9 për standardin HD dhe impakti ishte i mrekullueshëm. Nga ai moment, unë kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me Tanin dhe ai më tha se ‘Top Festin tjetër unë e dua HD‘. Kjo ishte një moto, ‘Top Channel‘ duhet të jetë gjithnjë në pararojë", thotë Neziri. Ai mund të mburret me të drejtë se si rrallë ndonjëherë regjinë e madhe HD e ka projektuar dhe instaluar vetë. Kishte një arsye të madhe për ta bërë këtë. "Meqenëse sot teknologjia HD futet në masë dhe kërkesat për prodhime OB Van HD nga kompanitë më të mira në botë janë shumë të mëdha, asnjë nga prodhuesit e mëdhenj nuk e merrte përsipër të sillte dhe të montonte një OB VAN për aq kohë sa kishim në dispozicion. Ne duhet ta mbanin fjalën dhe ‘Top Fest 6‘ duhet të ishte HD, duhet të ishte në maksimumin e vet dhe siç thoshte Tani, një MTV shqiptare. Mesazhet që na vinin gjatë e pas spektaklit na e vërtetuan këtë", tregon ai. Dy ditë pas "Top Festit", një ngjarje tjetër do të paraqiste një tjetër rast ideal për të provuar, kësaj here në sport, transmetimin HD, ndeshja Shqipëri-Milan. Regjia u vendos para stadiumit "Qemal Stafa", kurse kamerat përreth fushës. Përsëri transmetimi shënoi një sukses. "Është një nga OB VAN e parë HD në Ballkan. Ne e shohim veten edhe si një servis që mund t‘u ofrohet kompanive. Mund të jemi krenar që jemi një nga 20 vendet e para që e aplikojnë këtë teknologji", thekson Neziri. Por çfarë thotë logjika e biznesit? Në raportin kosto-përfitim nga qëndron balanca? Redi Neziri përsërit një deklaratë të themeluesit të "Top Medias", sipas të cilit kostoja nuk përfillet përballë një produkti kur bëhet fjalë për televizione, kur flitet për të qenë në majë". "Top Channel" gjithmonë ka tentuar të shohë nga e ardhmja dhe ardhmja është HD.