E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, tani password-et lihen trashëgimi

Të gjithë e dimë se çfarë janë password-et. Në kohën e globalizimit dhe dixhitalizimit, është e pamundur që ndonjë prej nesh të mos e ketë dëgjuar kurrë më parë fjalën password. Pastaj, askush nuk beson se ka ndonjë njeri që nuk e ka një adresë e-mail-i. I shpejtë, i lehtë dhe shumë i thjeshtë. Posta elektronike është një shpikje e çuditshme, e krijuar mes përzierjes së letrave tradicionale, SMS-ve, korrespondencave komerciale dhe bisedave. Rreth 83 për qind e amerikanëve i kontrollojnë e-mail-et shpesh, duke humbur kohë dhe përqendrimin nga puna, ndërsa 53 për qind e tyre, edhe në shtrat, para se të flenë. Situata nuk është më e mirë edhe në Evropë, edhe pse në shumë vende të saj, përqindja më e madhe e atyre që përdorin e-mail-e, është mes të rinjve më pak se 30 vjeç. Anglezët, për shkak të e-mail-eve humbasin çdo vit rreth 14 milionë ditë punë, ndërsa "Google" ka hedhur në treg një aplikacion të quajtur "E-mail Addic", që i detyron përdoruesit të bëjnë herë pas herë 15 minuta pushim nga mesazhet e postës elektronike. Kompani të tjera të fuqishme si "Microsoft" dhe "Intel" kanë formuar grupe studimi për të gjetur një zgjidhje që mbron ditët e punës së vartësve të tyre nga rritja e paimagjinueshme e numrit të e-mail-eve të ardhura në postën elektronike. Të quajtura ndryshe fjalëkalime, password-et janë fjalë, numra apo shkronja të veçanta që na lejojnë hyrjen në postën tonë elektronike, "Facebook", por edhe në sajte që administrojnë pasuri dhe biznese. Këto "fjalëza" (që shumë shpesh janë emri i nënës, qenit, ose fëmijëve, mund të gjenden lehtësisht nga ata që na njohin mirë), sot janë aq të rëndësishme, sa është menduar që të jenë pjesë e trashëgimive.

Trashëgimtarët e password-eve

Nga posta elektronike tek të dhënat bankare, një mori gjithmonë e më e madhe informacionesh dhe aktivitetesh administrohet nga këto fjalë sekrete. Por lind pyetja se çfarë bën një grua, që pasi vdes bashkëshorti aksidentalisht, merr me vete edhe fjalën sekrete, përmes së cilës do t‘i duheshin të merrte informacione për gjëra që i përkasin edhe asaj. Nuk bëhet fjalë për t‘u futur në sajte, e-mail-e personale, forume apo rrjete sociale, por në llogaritë bankare online, në profilet e sajteve të veprimeve aksionare, apo në sajtet e ankandit, ku në mes janë paratë dhe të mirat fizike. Për këtë arsye, në Amerikë, ka nga ata që duke menduar për të ardhmen, u besojnë fjalët sekrete shoqërive të specializuara për testamentet e burimeve online. Një shembull i tillë është edhe "Legacy Locker", e ngritur në San Francisko, që u ofron klientëve të saj mundësinë për të bërë një testament të burimeve online, duke zgjedhur t‘ua shpërndajë, edhe më shumë personave, aksesin ndaj të dhënave personale dhe rregullin e kalimit të tyre trashëgimtarëve të ligjshëm në rast të ndonjë surprize të pakëndshme. Bashkë me këto të dhëna lejohet të lësh edhe ndonjë letër me të tjera informacione shtesë, që do të dorëzohen në momentin e duhur dhe personave të duhur. Drejtuesit e kompanisë thonë se deri tani ka kërkesa shumë të mëdha dhe se po mendohet të kthehet në një propozim-ligji të vërtetë që do t‘i detyrojë përdoruesit t‘i deklarojnë fjalët sekrete.

Password-et e harruar

Por në rastet kur i ndjeri nuk ka qenë kaq i kujdesshëm, gjithmonë mund të përpiqesh për të gjetur përgjigjen e saktë. Pyetjet sekrete për të gjetur password-et në rast harrese, sipas një kërkimi të bërë nga "Ieee Symposium on Security and Privacy" në këto ditë, janë në fakt shpesh banale dhe intuitive për këdo, jo vetëm për miqtë dhe të afërmit.

Studimi

Sipas studimit të bërë nga kërkuesit e "Microsoft"-it dhe të

"Carnegie Mellon University" në një kampion prej 130 mijë përdoruesish, pyetjet sekrete të përdorura për adresat online mund të gjenden pa shumë vështirësi. Respektivisht në 28 për qind të rasteve kur një person njihet dhe 17 për qind kur nuk njihej fare. Ky është faji i sistemit që shpesh sugjeron pyetje të thjeshta sidomos për të njohurit, por edhe faji i përdoruesve që shpesh duhet të zgjedhin përgjigje më kreative dhe më të vështira (me rrezikun që ta harrojnë vet të parët atë që kanë vendosur).

Disa shembuj

Informacione të tilla si "mbiemri vajzëror i nënës tënde", "qyteti juaj i preferuar", "emri i qenit tuaj", ose "skuadra e zemrës", janë krejtësisht të gjetshëm për një person të famshëm, profilin e të cilit mund ta gjesh te "Wikipedia". Mjafton të mendosh se së fundmi janë dhunuar e-mail-et private të Salma Hajek dhe ish-kandidates amerikane për zëvendëspresidente, Sarah Palin. Ndaj, sot është bërë shumë e lehtë hyrja në postat elektronike dhe të njerëzve të famshëm, ku përgjigjet e pyetjeve kyçe mund t‘i gjesh fare mirë në internet. Sipas një sondazhi të bërë kohët e fundit, të paktën 61% e popullsisë, për të shmangur konfuzionin, përdorin të njëjtin fjalëkalim në të gjitha adresat e tyre. Kush arrin të mbajë mend dhjetëra fjalëkalime, zakonisht është një përdorues ekspert që di të përdorë me finesë gjithçka. Më shumë të rrezikuar janë ata që nuk kanë lidhje me teknologjitë, që zakonisht përdorin dhjetëra fjalëkalime dhe i përsërisin vazhdimisht për të mos i harruar. Ligjet e shumë vendeve i detyrojnë të gjitha kompanitë, të cilat punojnë me kompjuter, të zgjedhin fjalëkalime të vështira për t‘u gjetur. Shmangni zgjedhjen e fjalëkalimeve të lehta, si përdorimi i emrave të njerëzve të dashur ose ditëlindjet, sepse janë informacione shumë të lehta për t‘u gjetur.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›