E Shtunë, 31 Tetor 2026

Higjiena, në "sitë" produktet ushqimore

TIRANE-Në prag të sezonit të verës specialistët e Higjienës kanë intensifikuar kontrollet në subjektet që tregtojnë mallra ushqimore për konsumatorët. Në veçanti, sipas specialistëve po kontrollohen ato subjekte që tregtojnë akullore, ëmbëlsira, por edhe ato që shesin produkte bulmeti. Këto kontrolle janë shtrirë pothuajse në të gjitha tregjet e Tiranës, të cilat sipas specialistëve ende nuk janë në parametrat e duhur higjieno-sanitare për tregtimin e mallrave ushqimore.

"Kontrolli nga ana jonë kryhet mbi produktet që janë karakteristike për sezonin, ku përfshihen: akulloret e pastiçerisë, të cilat kanë konsumim të madh në këtë stinë, si dhe uji i ambalazhuar dhe produktet e tjera të bulmetit apo mishit etj. Pra në këtë periudhë intensifikohet puna e Inspektoratit Sanitar Shtetëror për ndjekjen e këtyre problemeve. Kemi një përmirësim të tregjeve në përgjithësi, po nuk mund të them që është ajo që duhet të jetë. Sepse ka problematika për faktin se këto tregje, shumica e tyre janë të pamiratuara nga Inspektorati Sanitar Shtetëror, dhe mënyra e tregtimit në to bëhet në ato kushte që të gjithë i dimë", - thotë Lumturie Hysenllari, shefe e Sigurisë ushqimore për rajonin e Tiranës.

Por një tjetër pikë që specialistët bëjnë apel është fakti që edhe konsumatorët duhet të bëjnë kujdes dhe të ruajnë veten duke blerë në ambiente që tregtojnë produkte ushqimore të sigurta dhe të pastra.

Por nga ana tjetër, specialistë të Drejtorisë së Higjienës sqarojnë se është detyrë e Policisë Bashkiake që të mos lejojë që shitësit ambulantë të ushtrojnë aktivitetin në rrugët e Tiranës, duke shkelur të gjitha parametrat e higjienës.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›