E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga Madridi në Milano, festë e çmendur e Interit

MILANO- Një festë gjigande dhe gëzim i ligjshëm ka përfshirë tifozët e Interit pas fitores 2-0 në Madrid kundër Bajernit të Mynihut. Në kryeqytetin spanjoll, turma të shumta tifozësh zikaltër kanë qenë si të çmendur pas fishkëllimës finale të arbitrit Hauard Ueb. Interistët e prisnin prej 45 vjetësh këtë trofe dhe e bënë realitet pas dygolëshit të Militos në finalen e luajtur në Bernabeu. Sulmuesi argjentinas, që nga Princ shihet tashmë si një mbret, ka qenë heroi i tifozerisë italiane, por elozhet më të mëdha i ka marrë pikërisht strategu i kësaj skuadre, Zhoze Murinjo. Ndërkohë, në fytyrat e tifozëve të Bajernit mund të shihje vetëm zhgënjim, ndonëse ata vetë janë shprehur para kamerave se Interi e meritoi fitoren.

Por, festa e nisur në Madrid nuk ka qenë asgjë përpara asaj të zhvilluar në qendër të Milanos. Piazza Duomo ka qenë e tejmbushur me mbi 50 mijë vetë që shihnin ndeshjen në ekranet gjigandë. Ata e kanë gdhirë nëpër rrugë duke festuar, në një çmenduri totale për një pritje që zgjaste 45 vjet. Emocione, këngë, fishekzjarre, bori makinash dhe tifozë që ulërisnin nga gëzimi. Fitorja e Champions League ka qenë si një ëndërr e kthyer në realitet për tifozerinë zikaltër, e mësuar të jetojë mes triumfeve të rivalëve të Milanit. Tifozët kanë treguar emocionet e tyre përpara kamerave, ndërsa të dielën kanë shkuar direkt në aeroport për të pritur skuadrën bashkë me trofeun. Festime për trofeun e Interit ka patur edhe në Amerikë, në Argjentinë apo Indi, ku ndodhen klube të ndryshme të tifozerisë zikaltër. Të dielën paradite skuadra ka zhvilluar një paradë me trofeun në stadiumin San Siro, ku ishin të paktën 40 mijë tifozë në delir të plotë.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›