E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ivanovic: Nevoja për bisedime mes Kosovës e Serbisë është e madhe

PRISHTINE- “Tensioni politik që ekziston për shkak të qëndrimit të shqiptarëve të Kosovës, se Kosova është e pavarur dhe qëndrimi i fuqishëm i Serbisë se Serbia nuk heq dorë nga Kosova, shkakton tension politik, i cili edhe do të vazhdojë”, - ka thënë sekretari i shtetit në Ministrinë serbe për Kosovë, Oliver Ivanovic, në një intervistë.

“Nën këto kushte nuk ka bisedime për stabilitet. Menjëherë do të ndryshohet teza dhe do të flitet për politikë, në vend se të flitet për sundimin e ligjit, për luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar. Pra, nuk bisedohet për arsim, apo temat tjera që janë kryesore. Për këtë arsye mendoj se edhe njëra edhe pala tjetër, pra edhe pala serbe, edhe shqiptarët e Kosovës duhet të kuptojnë se nevoja për t’u ulur dhe për të biseduar është e madhe”, ka thënë Ivanovic.

Sipas tij, kjo nevojë do të kuptohet pas dhënies së mendimit të GJND-së, me ç’rast “do të ketë mirëkuptim për pjesëmarrjen e të dy palëve për të diskutuar të gjitha çështjet që janë të hapura, e çështje e hapur është edhe statusi, edhe çështjet teknike”.

Ivanovic ka thënë Beogradi nuk mendon për ndarjen e Kosovës, duke qenë se, sipas tij, ndarja do të definohej si çështje përfundimtare, ndërsa në jug të lumit Ibër do të mbetej një shumicë e banorëve serbë.

“Ndarja e pjesës veriore nuk do të ishte zgjidhja. Ajo do të nxiste tensione serioze mes serbëve dhe shqiptarëve dhe nuk do të mbetej pa ndonjë konflikt me veprim të kufizuar. Jam i sigurt se konsekuencat ndaj Maqedonisë dhe Bosnjë e Hercegovinës do të ishin të mëdha”, ka shtuar ai.
(m.a/telegraf/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›