SHKP: 11.000 vende pune do të ndërmjetësohen nga zyrat e punës
Shërbimi Kombëtar i Punësimit bëri të ditur dje se do të ndërmjetësohen 11 mijë vende pune ndërmjet zyrave të punës dhe sipërmarrjeve private në vend. Nga ky ndërmjetësim do të përfitojnë të gjithë ata që janë punëkërkues të papunë, pra që janë të regjistruar në zyrat e punës në mbarë vendin. Ndërkohë që gjatë vitit 2009 do të investohen në total mbi 800 milionë lekë.
Organizata Ndërkombëtare e Punës do të akordojë 600 mijë euro për punësimin e kategorive të caktuara shoqërore, të cilat po përjashtohen nga tregu për shkak të situatës së krijuar. Ndërkohë që pjesa tjetër do të jepet për katër programe të ndryshme të nxitjes së punësimit, që pritet të ulin më tej nivelin e papunësisë në vend, duke punësuar të regjistruarit pranë zyrave të punës.
Punësimi
Drejtorja e Drejtorisë së Punësimit në Shërbimin Kombëtar të Punësimit, znj. Mirela Marto, u shpreh dje se projektet përkatëse të përcaktuara nga qeveria shqiptare do të mundësojnë punësimin e disa qindra punëkërkuesve të papunë. Për këtë arsye janë krijuar tashmë katër programe punësimi, të cilat do të mundësojnë bashkëveprimin mes biznesit privat dhe shërbimit, në mënyrë që të nxitet marrja në punë e kësaj kategorie të papunësh.
Gjatë vitit 2009, Shërbimi Kombëtar i Punësimit, që është nën varësinë e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta do të zhvillojë krahas veprimtarive të tjera edhe një sërë panairesh punësimi në 10 qytete të vendit. Gjatë vitit të kaluar me anë të këtyre panaireve, ku sipërmarrjet private ofronin vendet e mbetura bosh në organikën e tyre, u punësuan më shumë se dy mijë persona, kryesisht të sapodiplomuar, që nuk ishin integruar ende në tregun e punës.
Ndërkohë, vlen të theksohet se politika kryesore që do të përdoret edhe këtë vit është ndërmjetësimi i qeverisë me biznesin dhe jo punësimi në strukturat shtetërore. Por, qeveria shqiptare ka miratuar tashmë në buxhetin e shtetit një fond të caktuar, i cili shërben për subvencionimin e bizneseve që punësojnë kategori të caktuara të papunësh.
Formimi profesional
Ndërkohë, një tjetër projekt vjen nga Organizata Ndërkombëtare e Punës, ILO, që do të investojë në fushën e punësimit shqiptar, 600 mijë euro, në formën e donacionit. ILO ka vendosur që t`i ofrojë shumën në fjalë Shërbimit Kombëtar të Punësimit për formimin profesional të grupeve në nevojë, kryesisht të varfrit, romët, invalidët dhe kategori të tjera që rrezikojnë të mbeten jashtë tregut të punës.
Formimi profesional, me anë të kurseve falas për mësimin e profesioneve të caktuara, bën që këto kategori të konkurrojnë në tregun e punës me një certifikatë të njohur nga Ministria e Punës dhe me njohuri të mjaftueshme për t`u integruar në punë, sipas znj. Mirela Marto. Formimi profesional shërben edhe për emigrimin e punëtorëve sezonalë drejt Italisë, si pasojë e marrëveshjes së fundit mes dy vendeve, ku zyrat e punësimit kanë marrë rolin e ndërmjetësit për dërgimin e forcës së kualifikuar të punës në vendin përtej Adriatikut.
Vitet e fundit niveli i papunësisë ka rënë në vendin tonë, duke arritur për herë të parë që prej rënies së komunizmit nën 12 për qind. Sipas strategjisë së punës, të miratuar nga Këshilli i Ministrave, kërkohet që niveli i papunësisë të bjerë nën 10 për qind brenda pesë vitesh, duke e futur vendin në stadin e ekonomive në zhvillim të shpejtë dhe duke ulur hendekun social në Shqipëri.