E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hija e Moxhit te Bolonja: Mund të bëhem konsulent

Luçiano Moxhi dhe futbolli i kishin thënë lamtumirë njëri-tjetrit në vitin 2006, kur pas skandalit "Calciopoli" që tronditi Serinë A, drejtësia sportive e pezulloi për pesë vjet ish-drejtorin e përgjithshëm të Juventusit. Që prej asaj periudhe, përveç komenteve në gazetë dhe daljeve të shpeshta në emisionet televizive, pavarësisht ofertave të shumta, Moxhi fshihej pas deklaratës "nuk do të kthehem më në futboll". Por, në periudhën kur drejtonte klubin bardhezi, ai cilësohej si "magjistari i gënjeshtrave" dhe kjo u konfirmua. Në fakt, tre vjet pas skandalit më të madh në sportin më popullor në Itali, "Big Luçiano" pushton sërish faqet e para të gazetave. Puna e tij mund të rifillojë pikërisht nga Bolonja. Familja Menarini është treguar e paaftë në administrimin e skuadrës dhe kërkon njerëz ekspertë, i cili garanton vazhdimësi në rezultate pa shpenzime me blerje të gabuara lojtarësh. Pikërisht këtu hyn në skenë 72-vjeçari, i cili duket se qëndron pas aksionerit të ri që do t‘i bashkohet Renco Menarinit në krye të klubit kuqeblu. Ortaku i panjohur, mendohet se do të blejë 40 për qind të Bolonjës, ndërsa në fund të sezonit të kaluar ai mund të marrë kontrollin e plotë. Moxhi mund të jetë këshilltari i pronarëve, sepse për shkak të skualifikimit nuk mund të luajë rol aktiv në skuadër. "Bolonja është një qytet i bukur, më bëhet qejfi që shumë njerëz kanë besim të flasin me mua", ishin fjalët e tij nga salla e Gjykatës së Napolit, ku po zhvillohej seanca e nëntë dëgjimore e dëshmitarëve për "Calciopoli"-n. Ish-drejtuesi i Juves shpjegoi se është në gjendje "të bëjë konsulenca, të japë këshilla. Madje, do të ishte kënaqësi për mua". Më tej, ai tha: "Gjatë kësaj kohe kam punuar për të gjetur ortakë të rinj për Menarinët dhe në rast se njerëzit e sinjalizuar prej meje do të blejnë aksionet e Bolonjës, atëherë unë do të bëhem konsulent". Ndërkohë, në "pole" për stolin është një tjetër ish-juventin, Antonio Konte, që vetëm pak ditë më parë u largua nga posti i trajnerit të Barit.

Por, emërimi i "Laki Luçianos" si konsulent te Bolonja, ka shkaktuar zemërimin e tifozëve, të cilët ia faturojnë sistemit "Moxhi" rënien e skuadrës nga kategoria në qershor të vitit 2005. Grupimet e ndryshme kanë filluar revoltën kundër këtij skenari: faqet elektronike janë mbingarkuar me protestat e mbështetësve të kuqebluve. Ish-pronari i Bolonjës, Gazoni, njëri prej akuzuesve më të mëdhenj të Moxhit gjatë gjyqit "Calciopoli" shprehet i pakënaqur: "Nuk më pëlqen të mendoj se familja Menarini ka ndërmend t‘ia besojë klubin këtij personi (Luçiano Moxhi). Qyteti nuk e meriton që skuadra e Bolonjës të bjerë deri në këtë pikë". Kundër rikthimit të Moxhit është shprehur edhe kreu i Federatës Italiane (FIGC), Xhankarlo Abete: "Si president i rikujtoj të gjithë atyre që punojnë në sistemin sportiv, që t‘u përmbahen vendimeve të organeve të drejtësisë sportive".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›