Revolucioni "Milan", çfarë do ndryshojë Leonardo
Kur duhen edhe gjashtë ditë nga nisja e fazës përgatitore të Milan, zbulohen disa detaje të realitetit të ri kuqezi. Të hënën, më 6 korrik, Milan i rikthehet punës. Të rejat për sezonin e ardhshëm nuk janë pak, duke filluar që nga trajneri i ri, Leonardo. Në eksperiencën e tij të parë në stolin e një skuadre, braziliani është guximtar dhe nuk ngurron të ndryshojë modul, duke aplikuar skema të reja për lojën e skuadrës kuqezi. Leonardo ka treguar se do të bindë tifozerinë, duke besuar në modulin 4-3-3 dhe premton se, do ta menaxhojë grupin me profesionalitet dhe pa asnjë preferencë. Ai gjithashtu ka shprehur gatishmërinë për të ndërmarrë edhe zgjedhje të dhimbshme për ndonjë futbollist të grupit, nëse do t‘i konsiderojë ato të dobishme për Milanin. Gjë që përkthehet se, nuk do të ketë asnjë favorizim për senatorët dhe madje do të mbajë një qëndrim të tijin, duke mos pranuar ndërhyrje në vendimet taktike që i përkasin ekskluzivisht trajnerit. Lamtumira e Kaka dhe obligimi për të qenë ekstremisht të kujdesshëm ndaj bilanceve financiare, është prerogativa që i jep një rol shumë më të rëndësishëm grupit të të rinjve dhe skuadrës së dytë, e cila do të shërbejë sistematikisht si një serbator për furnizimin e skuadrës së parë me futbollistë të vlefshëm. Janë të shumtë të rinjtë që në vazhdimësi të sezonit të ardhshëm do të lançohen për herë të parë në Serinë A, duke filluar nga Di Xhenaro, Albertaxi, Zigoni dhe Shtraser. Por ende priten të reja nga merkato. Megjithëse Volfsburg e ka blinduar sulmuesin boshnjak të saj, Milan akoma nuk e ka humbur përfundimisht shpresën për të arritur blerjen e Edin Xhekos.