E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hija e tij në qytet



Roland GJOZA

Ai qytet i vogël buzë gjirit kishte një të marrë. Të gjithë e dinin se kush ishte e askush s'e ngacmonte. Për të huajt i marri ishte bërë kurioziteti i qytetit.
Qe një burrë më një mjekër të gjatë e të thinjur që i varej deri në brez. Flokët e bardhë e të paprerë në vite i bënin shoqëri mjekrës. Askush s'e mbante mend portretin e atij burri nga e kaluara. Ecte duke shtrënguar njërën dorë te zemra mbështjellë grusht, sikur mbante një gjë të shtrenjtë. Po t’i afroheshe trembej, zbythej e belbëzonte: "Mos ma merr zogun."
Askush s’e kuptonte se ç'donte të thosh me ato fjalë, veç të vjetërve të qytetit.

* * *
Ata kishin qenë vetëm tre vetë në familje: Jaku, gruaja dhe djali i tyre çapkën Rudi. Thoshin që fëmija s'linte dy gurë bashkë e ishte hokatar i madh. Në shkollë shkonte një herë në javë dhe atëhere kur shkonte, mësuesit e ngrinin në tabelë më shumë për ta mbetur, sesa për ta kaluar. Por për çudinë e tyre, ai meritonte notën maksimale, kështu që në heshtje ata kishin vendosur ta kalonin e nuk preokupoheshin më për mungesat e tij të gjata. Ndoshta u vinte më mirë të mos e kishin në klasë, se t’u prishte mësimin.
Rudi lexonte orë të tëra i shtrirë përmbys mbi një batanie të vjetër dhe, po ta ngisje kur ishte duke lexuar, bëhej i keq e ikte fare nga shtëpia. Kthehej vonë në darkë, pasi ua kishte bërë zemrën ujë prindërve nga meraku, ose ndonjëherë edhe herët në të gdhirë e u thosh se kishte fjetur te një shok. Prindërit dyshonin se ai flinte përjashta, në natyrë. I ati qe mërzitur shumë nga i biri e turfullonte nga zëmërimi. Rudi u bë 15 vjeç e kishte mbetur po ai. Librat e shkollës s'i prekte me dorë. Në të kundërt, lexonte libra të tjerë e kishte filluar t’i çudiste mësuesit me ca informacionet që sillte e që kishin lidhje të tërthortë me mësimet, gjëra që as ata vetë s'i dinin. Pyesnin njëri-tjetrin: Të solli ndonjë xhevahir Rudi sot? Edhe pse fjalë të thëna me qesëndi, ata e pranonin se djali "plangëprishës" kishte nje dhunti, që nuk e kishin të tjerët.
Thoshin se Rudi shkonte mirë vetëm me të ëmën. E puthte në kokë e i kërkonte falje, sa herë e gjente të dëshpëruar për shkak të tij. Por me të atin qe në luftë të përhershme. I ati qe bindur se nga ai djalë s'do të dilte gjë për haiër e, kur kthehej nga puna, rrugës mendonte vetëm keq për të birin dhe i mbushur me të keqen bënte be që, po ta gjente në shtëpi, do t'ia thyente brinjët.
Ky refren u bë kaq i zakonshëm, sa kur mendohej se e kishte humbur kuptimin e vet, ndodhi e papritura. Një mbrëmje kur djali u kthye vonë në shtëpi, i ati u ngrit nga shtrati dhe rrëmbeu rripin e trashë të pantallonave. I kishte rënë kaq keq, sa djalit i ishin thyer brinjët vërtet dhe i qenë shëmbur mushkëritë. Rudi lëngoi për një kohë në spital dhe vdiq. Pas varrimit të djalit, Jaku erdhi në vete duke kuptuar se qe bërë vrasës i të birit. Kishte filluar të lëshonte të thirrura në oborrin e shtëpisë në mes të natës. Nëna e djalit, e helmuar deri ku s’vente më, u hodh në pusin e shtëpisë pranë një peme manjole. Pas humbjes të së shoqes, burri u bë i heshtur dhe u trembej shikimeve të botës. Çdo mëngjezs këpuste dy petale të bardha manjole e i hidhte në ujët e pusit. Pastaj i vështronte si binin atje në fund thellë, duke u ndarë nga njëra-tjetra si dy gjysma zemre.
Një korb kishte filluar t’i bënte shoqëri çdo mbrëmje. Korbi qëndronte mbi çatinë e shtëpisë e bënte kra! kra! kra!. Me të dëgjuar korbin, Jaku i trembur ikte nga shtëpia e kthehej vonë, vonë. Rrëkëllente njëherësh tre katër gota raki e, ashtu siç ishte pa u zhveshur, futej në rroba. Në të gdhirë i bëhej se dëgjonte derën që hapej dhe në shtëpi e hynte i biri.

* * *
Truri kishte filluar të riprodhonte skenat e së kaluarës në mënyrën më të pamëshirshme. Thonë që Jaku dyzet vjeçar u shëndrua në plak të moçëm brënda disa javëve. Nuk bënte më për punë. I zoti i dyqanit e pushoi. Tregonin se, në vend që t'i merrte paratë një klienti, kishte zbrazur arkën e dyqanit dhe i kishte thënë, merrini e shtrojeni fëmijën në spital. Blerësi i habitur kishte ikur për atë kohë, pastaj qe kthyer përsëri e kishte biseduar me të zotin e dyqanit. Jaku po degjeneronte me shpejtësi të jashtëzakonshme. Qe kthyer në një pijanec që kundërmonte era alkol që në pikë të mëngjezit.
Pasditeve shkonte te varrezat. Ulej pranë dy varreve e i mbeteshin sytë te fotografija e Rudit. Qe një fotografi që ia pat bërë të birit me detyrim. Djali i shkiste aparatit e nxirrte gjuhën, duke lozur si macja me miun me të atin. Dikur e kishte fiksuar portretin e tij. Edhe tani i dukej sikur djali tallej si atëhere: “Hë, më kap dot? S'më kap !"
Me ata sy të qeshur, djali dukej i lumtur… I lumtur në atë botë, pa babanë. Sikur i kishte bërë puç, duke marrë me vete edhe t’ëmën dhe e kishin lënë vetëm!
Një nga këto pasdite, Jaku qe mbështetur te një qipariz pranë varreve, duke i thirrur pendimit. Pse kishte dashur ta bënte djalin avokat me zor, që t’i sillte shtëpisë para? Djalin s'e kishte vënë dot nën urdhëra apo në zinxhirë. Rudi qe shpirt i lirë dhe atij, Jakut, i qe fiksuar që i biri nuk do të bëhej kurrkushi kur të rritej. Kurrë s'mendoi që do kishte vdekje, kurrë s'mendoi që ajo do t’ia rrëmbente e do ta linte atë vetëm për ta dënuar me kujtimin e së kaluarës. Zoti ishte i pamëshirshëm. I mori edhe gruan. Ai nxori faqoren e rakisë nga gjiri dhe e ktheu. Pastaj shau Zotin. E shau rëndë.
Papritur, iu bë se një qënie e vogël po i ndukte mëngën e xhaketës, që i çikte përdhe. Ai shkundi krahun si të hidhte tutje një mizë të bezdishme. Por ndukja vazhdoi. Një zog i vogël, i zi, po e ngacmonte me çukitjet e tij…
- Po ç'do më marrësh më, mor katran?! Hiqmu këtej! Edhe ti ke pjesë tek unë? Po ik ore largëqoftë e më ler në hallin tim, ik se do t'i thyej brinjët! - tha pijaneci.
Pastaj u bë esëll tek dëgjoi fjalët, që sapo kishte nxjerrë. Kishte kohë pa i shqiptuar ato fjalë. Zogu i zi bëri tutje. Jaku zgjati duart ta ftonte të kthehej, por zogu bëri edhe më tutje. Jakut iu përzje. U ngrit dhe i vajti pas. Po s'e kapte dot.
- Po me mua do luash, ore lanet, ore biri i qoftëlargut! Pse më vjen këtu, që të më bësh më keq se ç’jam? S'më ka mbetur gjë për të të dhënë, veç në të dhënça shpirtin. Shpirti im s'të bën punë ty, se ka helm. Ëh, për shpirtin tim ke ardhur?
Ai ecte e zogu largohej.
- Në qofsh largëqofti, s'të kam frikë. Ku e ke varrin për mua hë? Pizeveng!
Burri nxori faqoren dhe e ktheu përsëri. Zogu iku më tutje e qëndroi te një varr i hapur. Jakut iu bë se pa dy varre e dy zogj. Hoqi këpucën dhe e hodhi në drejtim të zogut. U duk se ajo e goditi të mjerin zog, se ai mbeti aty pa lëvizur. Iu afrua duke iu marrë këmbët u plandos përdhe pranë zogut.
Nuk mbante mend ç'kish ndodhur më tej, por kur u zgjua nga gjumi, e gjeti veten në shtratin e shtëpisë së tij. Qe bërë ujë në djersë e zemra po i rrihte me trokitje të forta , bam, bam, bam, sa i bëhej se dëgjohej në tërë shtëpinë. Qe llahtarisur nga një ëndër.
I qe bërë i biri që i kishte dalë përpara, duke i thënë: Po ç'bëre, o baba, më vrave një herë kur isha gjallë e me vrave përsëri të vdekur!
Qe ngritur e kishte kërkuar një taksi urgjent për në varreza. Kishte vajtur pikërisht në atë vend, duke kërkuar me sy të zgurdulluar përreth. Zogun nuk e kishte gjetur më aty.

* * *
Jaku kishte vite që ecte rrugëve të qytetit të vogël me një krah mbërthyer në gjoks, sikur shtrëngonte një gjë të shtrenjtë. Mjekra e gjatë dhe e bardhë i zbriste deri në brez. Kurrizin ia mbulonin flokët e bardhë. Njerëzit e shikonin e i hapnin rrugë, duke pëshpëritur: Eshtë i çmenduri!

2007

2 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›