Ervin Bushati: Ekonomia 2009, konkurron me "Standard Berisha"
Nënsekretari për programin në PS, Ervin Bushati, ka deklaruar dje se ekonomia shqiptare është gjithmonë e në rënie, duke kundërshtuar deklarimet e Kryeministri, i cili flet për suksese. Duke bërë publik opinionin zyrtar të Forumit Ekonomik Botëror, që është tërësisht ndryshe nga ajo që deklaron Kryeministri shqiptar nga Stambolli, nënsekretari për programin në PS, Bushati, ka theksuar se "ekonomia shqiptare konkurron pas standardeve afrikane, duke u renditur në vendin e 108, nga 134 vende në klasifikimin e këtij Forumi". Sipas tij, në renditjen e fundit, që doli vetëm disa ditë më parë nga ky forum, ekonomia e Shqipërisë, e krahasuar me vitin e kaluar, ka rënë dhe dy vende të tjera në tabelën klasifikuese. Ndryshe nga entuziazmi i zotit Kryeministër dy ditë më parë, në vizitën e tij jashtë realitetit shqiptar, tha Bushati, e vërteta mbi gjendjen e ekonomisë sonë është se ajo nuk ka kushtet e përshtatshme të krijuara nga qeveria për të qenë konkurruese dhe e shëndetshme, në veprimtarinë e saj të përditshme dhe të prekshme për secilin nga ne. Për Bushatin, puna dobët e qeverisë "Berisha" e rendit ekonominë tonë dhe për vitin 2009 në vazhdim, pas shteteve si Nigeri, Ganë apo Benin. Përsëri, nën këtë qeverisje, gjendja e mjeruar e ekonomisë dhe infrastrukturës në ndihmë të saj, bën dhe më të vështirë jetën e çdo qytetari shqiptar sot: vështirësi ekonomike që rëndojnë me çmime më të larta dhe të ardhura më të ulëta për çdo familje, që përpiqet të kalojë muajin dhe të sigurojë ushqimin e nevojshëm. Por, tha nënsekretari socialist, programi i ri i PS-së ka në qendër të tij kushte të favorshme për një ekonomi të shëndetshme dhe të garantuar, për të përmirësuar jetën e qytetarëve.