E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha "thumbon" Ramën nga Elbasani: Po djeg fondet e shkollave

Kryeministri Berisha, i cili ka nisur tashmë fushatën elektorale me një tur inaugurimesh në të gjitha rrethet e vendit, ka sulmuar dje nga Elbasani kundërshtarin e tij politik, kreun e PS-së, Edi Rama.

Akuza për Ramën

Ai ka sulmuar kundërshtarin Rama gjatë fjalës së mbajtur në Universitetin e Elbasanit. Duke iu përgjigjur deklaratave të Ramës, Berisha ka pohuar se "Qeveria ka akorduar 2.2 miliardë lekë për 12 shkolla të reja në Tiranë, por janë ndërtuar vetëm dy shkolla në periferi të saj, në një territor që nuk i përket Bashkisë së Tiranës". Sipas Kryeministrit, "kjo ndodh sepse ai mblidhte 15 përqindëshin për lejet e ndërtimit, por për shkollat nuk ka 15 përqindësh dhe prandaj ai nuk mund t‘i ndërtojë. Qeveria nuk mund të paguajë gjë, ndaj zotëria i lë nga 40 nxënës në një klasë dhe jep troje për ata që paguajnë 15 përqindëshin".

Reagimi i Shalsit

I shpejtë ka qenë edhe reagimi i Bashkisë së Tiranës, ndaj akuzave që Berisha ka hedhur mbi kryetarin Rama. Nënkryetari i Bashkisë, Eduard Shalsi, ka shpërndarë dje një deklaratë për shtyp, me anë të së cilës i konsideron gënjeshtra deklarimet e Berishës për fondet e dhëna për shkollat. "Ne të gjithë marrim frymë për të jetuar, ndërsa Sali Berisha nuk jeton dot pa gënjyer. Politika e tij e vjetër e gënjeshtrave e shpifjeve u ka ardhur në majë të hundës shqiptarëve. Zgjedhjet janë afër dhe zgjedhja është e qartë! Mjaft më me papunësi, varfëri, korrupsion, gënjeshtra e shpifje bajate", thotë Shalsi në deklaratën e tij.

Inaugurimet

Pjesa tjetër e vizitës së Berishës në Elbasan nuk ka shkaktuar reagimin e askujt, pasi deklaratat kanë qenë ato të zakonshmet në raste përurimesh. Brenda 60 minutash, kreu i qeverisë ka vizituar tri komuna dhe qytetin e Elbasanit. Ai inauguroi përfundimin e punimeve në shkollën nëntëvjeçare në fshatin Katund i Ri, të Komunës Bradashesh, mori pjesë në ceremoninë e fillimit të punimeve për zbatimin e projektit të kanalizimit të ujërave të zeza në fshatin Hajdaraj, të Komunës Shushicë, premtoi fonde për argjinaturën e Shkumbinit në Labinot-Fushë dhe zhvilloi një takim në Universitetin e Elbasanit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›