E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hije aferash me tenderat e shëndetësisë, ankohen firmat

 

zirina llambro

“Tenderat në shëndetësi mbajnë peng jo vetëm pacientët, por edhe institucionet.Skualifikime në mënyrë jo ligjore, procedura jokorrekte dhe dyshime për abuzime. Këto janë pretendimet e disa prej firmave pjesëmarrëse në këto tendra. Duke vënë në dispozicion dokumentet ato hedhin dritë mbi mënyrën si pilotohen për subjekte të veçanta, shuma të mëdha parash për blerjen e pajisjeve mjekësore. Për të mos ndikuar në konkurrencën e mëtejshme gazeta nuk publikon emrat e firmave. “Skandali i radhës ka të bëjë me tenderin me të cilin do të blihen “Materiale mjekësore për neurokirurgjinë. Ndërsa drejtoresha e re e spitalit po shqyrton dokumentacionin, Agjencia e Prokurimit Publik ka shpallur fituesin për këtë tender. Kjo ndonëse nga ish-drejtuesit  dokumentacioni është hartuar në mënyrë të tillë që firmat mund të luanin si të donin. Veç kësaj, për një pjesë të pajisjeve nuk ishin vendosur sasitë e nevojshme që do bliheshin, të cilat duheshin shpallur që përpara hapjes së tenderit”, sqarojnë përfaqësuesit e firmave. Sipas tyre, pasi është bërë ankesë pranë APP-së, përgjigjja u ka mbërritur vetëm kur afati për të ribërë një gjë të tilla ka skaduar. “Për mënyrën si ishte bërë prokurimi ne çuam një ankesë në Agjencinë e Prokurimit Publik. Në përgjigjen që na kthyen ata kërkonin plotësimin e saj, por me një kusht që nëse ankesa nuk korrigjohej brenda 48 orëve, atëherë ajo vlerësohej si e paparaqitur. APP-ja pretendon se pasi ka telefonuar më datë 29 gusht që i binte e premte ora 14.40 dhe nuk ka marrë përgjigje, na ka nisur po atë ditë shkresën me postë. Në fakt numri i protokollit është vënë 29.8.2008, por zarfi që na mbërriti mbante datën 2 shtator. Pra, afati që na ishte lënë për të bërë ankesën ishte skaduar automatikisht”, sqaron përfaqësuesi i njërës prej firmave. Sipas tij, kjo procedurë është e jashtëligjshme dhe për rrjedhojë tenderi rreth 300 milionë duhet të anulohet. Ndërkaq burime të sigurta nga QSU-ja bëjnë me dije se, dy ditë më parë është anuluar edhe tenderi 600 milionë lekë për materialet  e laboratorëve. “Pretendimet tona kësaj here u morën parasysh. Nga ish-drejtuesit e QSU-së për blerje të caktuara nuk ishin vendosur sasitë. Për materiale të tjera kostoja nuk ishte reale. Pas ankesës që bënë disa nga firmat ky tender u anulua”, bëjnë me dije disa nga firmat pjesëmarrëse. Veç QSU-së, ankesa ka edhe për tenderin e “kite dhe reagentë për laborator” në spitalin e Durrësit. Sipas njërës prej firmave pjesëmarrëse, argumentet e skualifikimit janë joligjorë. “Përmendet ligji dhe licenca e posaçme që duhet nga Ministria e Shëndetësisë për të bërë furnizimin me kite e reagentë, ndërkohë që ato futen në grupin e materialeve mjekësore dhe nuk ka licencë të tillë. Pra, argumentet e dhënë janë jo të saktë”, saktësojnë përfaqësuesit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›