E Shtunë, 31 Tetor 2026

Po vadiste kanabisin, pranga 49-vjeçarit

 

KORÇE - Vetëm 5 ditë pasi i arrestuan të atin 74-vjeçar për kultivim të lëndëve narkotike, dje u prangos edhe ai vetë për të njëjtën akuzë. Janaq Dono, 49 vjeç u arrestua dje në flagrancë nga policia e Korçës teksa ishte duke vaditur një parcelë me 176 rrënjë kanabis sativa të tjera në fshatin Katund të komunës Vithkuq në rrethin e Korçës. Në pranga ka përfunduar edhe një 55-vjeçar, fqinj i Donos, pasi nuk ka kallëzuar në polici për kanabisin e mbjellë edhe pse kishte dijeni për të. Pas informacioneve të marra forcat antidrogë kanë arritur në fshatin Katund, ku kanë gjetur Donon në parcelën rreth 500 metër katrorë me bimë narkotike në periferi të fshatit. Pas arrestimit të tij, policia ka shkatërruar dhe asgjësuar në vend me anë të djegies gjithë bimët kanabis. Mësohet se Dono prej 10 vjetësh ishte larguar nga Katundi dhe jetonte në qytetin e Korçës. Pas arrestimit ai ka pranuar autorësinë e mbjelljes së bimëve narkotike dhe ka pohuar se, nuk ka pasur bashkëpunëtorë. Pak ditë më parë policia e Korçës arrestoi në të njëjtin fshat Llambi Donon, 74 vjeç, të atin e 49-vjeçarit, pasi kishte mbjellë 70 bimë kanabis në këtë fshat.                                         j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›