E Shtunë, 31 Tetor 2026

OJF-të, aleancë për Tiranën e gjelbër

 

Dje në Tiranë u krijua Koalicioni për Mbrojtjen e Hapësirave të Gjelbra të Tiranës. Anëtarë të Shoqatës së Ambientalistëve shqiptarë, anëtarë të organizatës "Mjaft", të zyrës së Mbrojtjes së Konsumatorëve, arkitektë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, prezantuan dje krijimin e një aleance të re, e cila ka si objektiv të saj mbrojtjen e kryeqytetit nga ndërtimet e shumta mbi zonat e gjelbëruara. Bëhet fjalë për projektin e fundit të miratuar nga Bashkia, për ndërtimin e disa pallateve shumëkatësh në zonën përreth Liqenit Artificial, Kopshtit Botanik, kompleksit të pishinave si dhe kompleksit të stadiumit "Dinamo". Në një takim të organizuar paraditen e djeshme, ambientalisti i njohur, Sazan Guri, bëri prezantimin e projektit holandez MVRDV për ndërtimin e zonës së madhe urbane, duke kufizuar zonat e gjelbëruara në kryeqytet. Sipas tij, ky projekt ka përcaktuar kufijtë e zonave të gjera, që do të krijonin në kurriz të qytetarëve një qendër të dytë urbane për Tiranën. "Ky projekt i vendimmarrësve lokalë dhe ndoshta edhe atyre qendrorë, jam i bindur që bie ndesh me botëkuptimin e gjithsecilit prej nesh, sepse kemi të bëjmë me fillimin e asgjësimit të hapësirave të gjelbëruara apo të terreneve sportive në Tiranë. Ky është hapi i parë dhe do të shërbejë si pikënisje, për të uzurpuar hapësirat publike të gjelbëruara dhe për t'i kthyer ato në hapësira betonizimi, urbanizimi dhe deri në bunkerizim", u shpreh ambientalisti i njohur. Ndërkaq, përfaqësuesi i Zyrës së Mbrojtjes së Konsumatorëve, Altin Goxhaj, shprehu në takimin e djeshëm vendosmërinë e kësaj organizate për t'u përfshirë në protesta bashke më shoqërinë civile, kundër këtij uzurpimi që po i bëhen hapësirave të gjelbëruara në Tiranë. Gjithashtu ai sqaroi situatën e rëndë për zonën në fjalë, ku deri tani nuk është marrë asnjë masë nga Bashkia e Tiranës për ta rehabilituar, ndërsa befas ajo vendos që në cilësinë e zonave të degraduara t'i kthejë në zona urbane përplot me pallate të reja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›