Ish- truproja i Azemit, Marjan Gryka: Më siguroni jetën
Ekspertiza mjeko-ligjore rrëzon versionin e Policisë për vetëplagosjen e ish-truprojes së Azem Hajdarit, Marjan Gryka. 37-vjeçari nga Shkodra kërkon të merret në mbrojtje nga policia.
TIRANE- Ish-truproja i Azem Hajdarit, Marjan Gryka kërkon të merret në mbrojtje nga policia dhe strukturat e sigurisë kombëtare, pasi për çdo gjë që do ti ndodh atij apo familjes, do të fajësojë të njëjtët politikanë të lartë të mazhorancës aktuale që u implikuan dhe në "vrasjen e shekullit". Kërkesa e Grykës është bërë pasi ekspertiza mjeko-ligjore ka rrëzuar versionin e ngritur nga policia e Shkodrës, se ish-truproja i deputetit të vrarë të PD-së, ka inskenuar ngjarjen e mbrëmjes së 27 shtatorit, duke u vetëplagosur. Akti i ekspertit mjekoligjor Dr.Dhori Toshi dëshmon se Marjan Gryka është qëlluar me armë zjarri nga një distancë, prej së cilës ai nuk ka patur mundësi të godasë vetëveten. Policia dhe prokuroria e Shkodrës, në vend që të hetonin në lidhje me autorët e këtij krimi, hodhën dyshime krejt të papërgjegjshme se 37 vjeçari Gryka e ka organizuar vet ngjarjen që të dukej si një atentat. Alibia e policisë mbështetej në faktin se vetëm 15 metra larg vendit ku Gryka u plagos, u gjet një armë pa leje tip pistoletë. Policia paraqiti versionin se Marjan Gryka është plagosur me këtë armë, dhe se ajo mund të jetë përdorur prej tij. Grupi hetimor e bazoi alibinë e vet dhe në mungesën e dëshmitarëve okularë që kanë parë ngjarjen, apo autorët e krimit të largohen pas saj. Ish-truproja i themeluesit të Partisë Demokratike, reagoi ashpër pas këtij versioni të servirur për median nga policia e Shkodrës. "Kjo është një tentativë e dytë për të më ekzekutuar publikisht pas dështimit të atentatit të 27 shtatorit në rrugën Zogaj-Shirokë. Për mua, alibia e servirur nga segmente të inkriminuara të policisë së Shkodrës, që synojnë të mbajnë vendin e punës duke u shërbyer atyre që janë implikuar direkt në ekzekutimin e tribunit të demokracisë Azem Hajdari, është më e ndyrë se plumbat që më goditën në trup", tha pas ngjarjes Marjan Gryka.
Ekspertiza
Informacioni i infiltruar në media me burim policinë e Shkodrës, se Gryka kishte organizuar atentatin ndaj vetes synonte të devijonte vëmendjen mbi motivin e vërtetë të ngjarjes. Në të vërtetë publikimi i këtij versioni pa u bërë ende ekspertiza mjeko-ligjore dukej se ishte i qëllimshëm. "Gazeta Shqiptare" ka siguruar aktin e mjekut ligjor Dr.Dhori Toshi, në të cilin dëshmohet qartësisht se si është e vërteta. Në rastet e vetëvrasjeve apo vetëplagosjeve me armë zjarri, rreth buzëve të plagës hyrëse të plumbit janë gjetur shenja të blozës dhe barutit të armës. Në rastin konkret eksperti i mjekësisë ligjore nuk ka konstatuar asnjë shenjë të tillë, në të kundërt do ta kishte raportuar në aktin e dëshmisë mjeko-ligjore me nr.66, të datës 29 shtator 2008. Në këtë akt mjeku ligjor Dr.Dhori Toshi ka specifikuar se "plaga në anën e jashtëme të pulpës është vrimë hyrëse dhe ajo në anën e brendëshme të pulpës është vrimë dalëse".
Kërcënimi
Marjan Gryka, ish-truproja i deputetit të vrarë të PD-së Azem Hajdari, u plagos me armë zjarri tip pistoletë në këmbën e majtë, gjatë një atentati të kryer nga persona të paidentifikuar në aksin rrugor Zogaj-Shirokë. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës së 27 shtatorit 2008, rreth orës 21.30. Menjëherë pas atentatit, Gryka u shtrua në spitalin e Shkodrës, ku iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale. Gryka u kthye në banesën e tij tre ditë më parë, pasi kishte qëndruar tetë ditë i shtruar në spital, nën masa të rrepta sigurie nga policia e Shkodrës.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)