E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hije skandali në ambasadën shqiptare

Shqipëria, 15 vjet embargo nga Italia

Diplomatët shqiptarë kanë qenë të detyruar të përdorin llogari bankare të Vatikanit për shkak të bllokadës italiane

Ilegaliteti financiar i Ambasadës në Romë për 15 vitet e fundit, shkak një vendim i Gjykatës Civile

TIRANË - Republika e Shqipërisë, gjatë 15 viteve të fundit e ka pasur të ndaluar të kryejë transaksione financiare në Itali. Askush nuk ka folur për këtë situatë të padenjë, por si pasojë e një vendimi gjykate në ngarkim të Shqipërisë pas mosmarrëveshjeve për godinën e ambasadës sonë në Romë, që nga viti 1993 çdo veprim financiar me autor "Republikën e Shqipërisë" ka qenë i ndaluar deri në shlyerjen e një detyrimi prej 900.000 eurosh në favor të një shtetasi italian.

Ky është skandali i radhës në Ambasadën Shqiptare të Romës në Itali, pas atij të arrestimit të shoferit të këtij institucioni me lëndë narkotike në makinën me targa diplomatike. Këtë radhë, skandali është bartur ndër vite, që nga 10 nëntori i 1993 kur një gjyqtar i Gjykatës Civile në Romë, e dënoi Republikën e Shqipërisë me një vlerë monetare që kap shifrën e 900 mijë eurove të sotme.

Ky vendim, sipas gjykatës, është dhënë në favor të shtetasit Luixhi Xhani për "mos pagim të detyrimeve të qerasë për disa muaj" nga shteti shqiptar për ndërtesën e që ai e kishte blerë ku ndodhej e vendosur Ambasada Shqiptare në Romë.

Si pasojë e këtij vendimi, të gjithë zyrtarët dhe përfaqësuesit e kësaj ambasade për 15 vite rresht kanë qenë peng të këtij vendimi, duke mos mundur të kryejnë asnjë veprim financiar nga Shqipëria në Itali ose anasjelltas.

Zgjidhja nga halli ka qenë hapja e një llogarie bankare në shtetin e Vatikanit, nga ku gjatë gjithë këtyre viteve janë kryer të gjitha transaksionet bankare të kësaj ambasade për llogari të shtetit shqiptar.

Të gjitha këto veprime "ilegale" financiare janë kryer nëpërmjet Vatikanit, pasi ekzistonte frika e sekuestrimit të llogarive bankare nga autoritetet italiane në zbatim të vendimit të Gjykatës Civile për llogari të shtetasit Luixhi Xhani.

Kështu që, edhe një veprim më banal, ai i blerjes së kafes për Ambasadën shqiptare nga furnitori i kësaj rezidence, për 15 vite është kryer duke kaluar në shtetin e Vatikanit për të tërhequr paret nga bankat apo bankomatët dhe më pas është blerë kafeja.

Por, jo vetëm kaq, shteti italian duke shfrytëzuar edhe heshtjen inferiore nga ambasadorët shqiptarë në Romë, prej disa vitesh i kishte prerë edhe lidhjet telefonike fikse disa herë përfaqësisë sonë diplomatike. Linja telefonike rikthehej pas ndërhyrjeve periodike deri në nivel politik, por ngërçi llogarive bankare të Shqipërisë mbetej pasi një vendim gjykate i formës së prerë e bënte të pamundur ndërhyrjen. Ndërkohë, pagesat vazhdonin të bëheshin nga bankat e Vatikanit edhe pse këto banka për pagesat e kryera mbanin komisionet e transaksioneve. Për vite me radhë, duke shfrytëzuar edhe evolucionin e mjeteve të komunikacionit, diplomatët shqiptarë gjetën rrugëzgjidhje duke përqafuar masivisht aparatet celulare si një mënyrë për t'i shpëtuar embargos italiane. Situata surreale ka vazhduar aq gjatë saqë më në fund kishte nisur të kthehej në një gjendje të natyrshme.
Por, gjithçka ka filluar të lëvizë, sipas denoncuesit të kësaj ngjarjeje avokatit Genci Çeli, pasi Gjykata Italiane për llogari të këtij vendimi në prill të 2007 ka vendosur sekuestrimin e 50 milionë eurove, të cilat në mënyrë të dyshimtë janë depozituar në 7 banka të ndryshme të Italisë nga një person me pasaportë diplomatike nën emrin e qeverisë shqiptare. Pas depozitimit të këtyre parave, autoritetet italiane kanë vendosur automatikisht bllokimin e tyre, pasi në fuqi ishte ende vendimi për bllokimin e çdo aktiviteti financiar të Republikës së Shqipërisë deri në shlyerjen e detyrimeve ndaj shtetasit Luixhi Xhani, përfitimi i të cilit kishte arritur nga 900 mijë euro në vitin 1993 në 3 milionë euro në vitin 2007. Ishte sekuestrimi i kësaj shume të madhe parash, që i ka detyruar zyrtarët e Ambasadës të "zgjohen nga gjumi" dhe të kërkojnë të drejtën që u takon pas 15 viteve vuajtjeje dhe nëpërkëmbjeje.
Pas disa seancash gjyqësore, marrëveshjeve miqësore "alla shqiptarçe" në kundërshtim me ligjet, nga Ambasada shqiptare në Romë, është arritur që Republika e Shqipërisë të paguajë, rreth 900 mijë eurot e detyrimit të vjetër që datonte nga viti '93 ndaj kërkuesit italian Luixhi Xhani. Por, kjo marrëveshje e paligjshme është denoncuar në Këshillin e Lartë e Drejtësisë italiane dhe në Prokurorinë e Romës nga avokati shqiptar Genci Çeli, i cili ka dalluar një veprimtari të dyshimtë dhe në dëm të interesave të Shqipërisë. Shqipëria nuk duhej të paguante asnjë qindarkë dhe avokati ka dashur që ta çojë çështjen deri në fund, pavarësisht se qeveria shqiptare me të marrë lajmin e mbylljes së çështjes ka lëvruar menjëherë një fond prej 900.000 eurosh për të kryer pagesat dhe për të mbyllur këtë kapitull të turpshëm. Avokati ka dyshuar në zellin e papritur të autoriteteve për të lëvizur në zgjidhjen e pengesave bankare për Shqipërinë pas bllokimit të një shume të madhe prej 50 milionë eurosh që nuk ka lidhje me shtetin shqiptar, por që janë arkëtuar në banka italiane në emër të këtij shteti nga një person i panjohur. Ai ka dashur të vazhdojë seancat gjyqësore, por në mënyrë fare misterioze, pikërisht në momentin kur rreziku për të gërmuar rreth origjinës së 50 milionë eurove të bllokuara, Gjykata Civile e Romës, me kërkesë të qytetarit Xhani, e mbylli çështjen duke e çliruar shtetin shqiptar nga secili prej detyrimeve dhe sanksioneve që kishte mbajtur ndaj tij për 15 vjet me radhë.

Dyshime për aktivitete të paligjshme që kryhen në emër të shtetit shqiptar. Një mosmarrëveshje teknike zbulon hijen e një skandali financiar

Misteret e vilës në rrugën "Asamara" nr.3

Kalvari i dënimit të Shqipërisë dhe përfundimi nën hetim i përfaqësuesve të Ambasadës sonë në Romë

TIRANË- Ka qenë vitit 1992, kur ndërtesa në adresën "Via Asamara" nr. 3, ku prej shumë vitesh ishte vendosur personeli i ambasadës Shqiptare në Romë shitet tek një pronar tjetër, i quajtur Luixhi Xhani. Ky pronar i ri, me blerjen e vilës ngriti pagesën e qeraës së ndërtesës nga 4 milionë lireta në atë kohë, në 40 milionë lireta, që për Republikën e Shqipërisë ishte një shumë e lartë.

Por, kjo mos marrëveshje mes pronarit dhe të dërguarve të Ambasadës shqiptare në Romë zgjati disa muaj, pasi Ministria e Jashtme italiane, duke parë këtë mosmarrëveshje mes qiradhënësit dhe qiramarrësve shqiptarë, i sistemoi këta të fundit në ndërtesën pak metra më tutje ku ndodhet edhe sot në adresën "Via Asamara 5".

Por, pronari i ndërtesës që u lirua nga Ambasada e hodhi në gjyq Ambasadën e Shqipërisë dhe Ministrinë e Jashtme të tij, për "mos pagimin e detyrimeve të qerasë" për tre muaj.

Ky gjyq, u zhvillua në Gjykatën Civile të Romës, e cila në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare si ajo e Konventës së Vjenës, vendosi të dënojë Republikën e Shqipërisë me 800 milionë lireta (rreth 900 mijë euro të sotme) dhe bashkë me të, edhe Ministrinë e Jashtme Italiane.

Ky vendim mori formën e prerë më 10 nëntor 1993, edhe pse pala shqiptare nuk kishte marrë pjesë në asnjë seancë në këtë proces gjyqësor, duke mos njohur autoritetin e Gjykatës të bazuar në ligjet e ekstra-territorialitetit.

Nga dita e marrjes së formës së prerë të këtij vendimi, autoritetet shqiptare nga frika e sekuestrimit të llogarive bankare të Ambasadës në Romë, u detyruan të hap llogari në një nga bankat e shtetit të Vatikanit.


Kjo mënyrë funksionimi financiar zgjati për 15 vite, ndërsa autoriteteve italiane vendimi i kishte mbetur pa u ekzekutuar. Në tetor të 1994, shtetasi italian Luixhi Xhani me anë të një akti-noterial heq dorë nga borxhi që Ministria e Jashtme e tij i ka në lidhje me këtë çështje, duke i kërkuar detyrimin e vendosur nga gjykata vetëm nga Republika e Shqipërisë.


Ky vendim mbeti i pa ekzekutueshëm për 15 vite, deri në mes të muajit prill kur qeverisë shqiptare në 7 bankat italiane i sekuestrohen rreth 50 milionë euro të depozituar nga një person i panjohur, me pasaportë diplomatike, në emër të Republikës së Shqipërisë.

Ky arkëtim nuk ishte kryer nga autoritetet shqiptare, për arsyen e thjeshtë se ato kishin 15 vjet përvojë bllokimesh financiare në bankat italiane për shkak të asaj mosmarrëveshjes së '93-shit. Nuk dihet përse sekuestrimi i kësaj shume në emër të Shqipërisë, por pa dijeninë e Shqipërisë, u kthye në një problem për ambasadën tonë në Romë. Diplomatët shqiptarë me në krye ambasadorin Llesh Kola, të cilët kishin ndenjur në qetësi gjatë periudhës së mëparshme të kohës, pësuan një interesim të papritur për çështjen e bllokimit të fondeve shqiptare në Itali menjëherë sapo kjo shumë e madhe eurosh që u depozitua ndoshta aksidentalisht nga dikush në emër të Shqipërisë, u bllokua nga autoritetet italiane.


Ambasada jonë autorizoi për të ndjekur këtë çështje avokatin shqiptar në Romë, Genci Çeli. Sipas këtij të fundit, ky vendim i Gjykatës Italiane, "është përdorur për të paralizuar Ambasadën shqiptare në Romë, duke i lënë rrugë të lirë poshtërimit, përdhunimit e burgosjes apo vrasjes së 400 mijë shqiptarëve në Itali". Autoritetet tona kishin bërë sehir gjatë gjithë kësaj kohe, dhe u kujtuan të zgjohen vetëm pasi kjo situatë u bë pengesë për një aktivitet të dyshimtë financiar që u krye nga një person privat, i cili përdori emrin e Republikës së Shqipërisë ndoshta pa e ditur se kjo e kishte të ndaluar të depozitonte para në Itali.


Sipas denoncuesit të këtij skandali, avokat Çeli, pas marrjes së autorizimit të Ambasadës më 3 maj 2007 kryen një sërë veprimesh procedurale për të tërhequr dosjen ku Republika e Shqipërisë ishte dënuar me rreth 900 mijë euro.

"Sapo mora vendimin përfundimtar u njoha edhe me aktin-noterial të fshehur deri atëherë palës shqiptare, të shtetasit Luixhi Xhani i cili ia kishte falur këtë borxh Ministrisë së Jashtme, që automatikisht edhe pse vendimi është i paligjshëm ky borxh i falet edhe Republikës së Shqipërisë. Pasi nuk mund të paditet nga një individ një Ambasadë që përfaqëson dhe gjykohet nga shteti nga ajo vjen.

Kjo e drejtë bazohet në nenin 31\1 c dhe nenin 31\3 të Konventës së Vjenës, e firmosur nga të gjitha shtetet"-nënvizon avokati Çeli. Seanca gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi fillon me datë 6 qershor 2007 nga gjyqtarja Girone, ku me anë të një note proteste, Ambasada Shqiptare në Romë thekson paligjshmërinë e këtij vendimi dhe paligjshmërinë e këtij procesi gjyqësor, duke u bazuar në Konventën e Vjenës.

Por, pas tre seancave gjyqësore kur pala shqiptare e përfaqësuar nga avokati Çeli nuk paraqitet në gjykatë, pasi ky proces ishte i parregullt, Ambasadori Kola nën këshillimin e "shefave" të tij, i heq autorizimin avokat Çelit dhe emëron dy avokat të tjerë në këtë çështje.

Avokatin shqiptarë Engjëll Agaçi dhe studion ligjore italiane Polverini Agaçi të cilët, edhe pse e dinin se ky vendim ishte i paligjshëm, hynë në bisedime për një marrëveshje mes palëve.

Deri në atë kohë, avokati i përfituesit të këtij vendimi, Ugo Giurato, dhe shtetasit italian Luixhi Xhiani, kërkonin nga gjyqtarja e ekzekutimit të vendimit t'i jepte 3 milionë euro shtetasit italian, pasi shuma prej rreth 900 mijë euro ishte rritur nga kamatë vonesat.


Por, pas hyrjes në negociata, çuditërisht thekson avokat Çeli, kërkuesit heqin dorë nga 3 milionë euro duke rënë dakord për 900 mijë euro vetëm. Pas kësaj marrëveshjeje, "gjyqtarja Girone thekson në seancën e katërt, se arsyeja e shtyrjes së gjyqit është se palët janë në prag të marrëveshjes",-veprime ky sipas avokatit Çeli i paligjshëm i saj.

Me kërkesë të Ambasadorit Kola, qeveria shqiptarë lëshon një fond duke shkelur ligjin, me vendim të Këshillit të Ministrave që mban datën 23 prill 2008 me numër vendimi 552, ku akordon shumën prej rreth 900 mijë eurove "për përballimin e shpenzimeve për zgjidhjen e marrëveshjes, të procesit gjyqësor me palë shtetin shqiptar dhe ish-pronarin e ndërtesës së vjetër të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Romë si dhe shpenzimet gjyqësore"-thuhet në VKM-në që është zhdukur nga faqja e publikimeve zyrtare në internet.

KALLËZIMI

TIRANË- Sipas avokatit Genci Çeli, kjo marrëveshje e arritur mes palës shqiptare të përfaqësuar nga avokat Engjëll Agaçi dhe studios ligjore italiane Polverini Agaçi dhe palës kërkuese avokatit Ugo Giurato dhe shtetasit italian Luixhi Xhiani, është ligjëruar nga gjyqtarja Girone në mënyrë të kundraligjshme. "Më 22 shtator 2008, duke parë se kjo marrëveshje e paligjshme dhe këto para të qeverisë shqiptare do të përfundonin në xhepat e matrapazëve, vendosa t'i denoncoj pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë Italiane, Dhomës së Avokatisë së Romës dhe Prokurorisë së Romës duke bazuar këtë vendim e marrëveshje të paligjshme në bazë të neneve 31\1 c dhe 31\3 të Konventës së Vjenës me anë të shkresës me numër protokolli 005092"-theksoi avokati Çeli për "Shekullin".


Çuditërisht, dy ditë pas këtij kallëzimi, konkretisht më datë 24 shtator 2008 shtetasi italian Luixhi Xhiani dhe avokatit i tij Ugo Giurato heq dorë shprehimisht nga borxhi i Ambasadës shqiptare në Romë. Pas heqjes dorë, këtë kërkesë të tyre gjyqtarja Girone e ligjëron duke e pranuar mbi bazën e vullnetit të kërkuesit.


Por, më datë 23 tetor 2008, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Lartë të Drejtësisë italiane Carlo Visconti dërgon në adresë të avokatit Genci Çeli përgjigjen e ankesës (kallëzimit) me nr. protokolli P25588\2008 ku pranohet ankesa ndaj gjyqtares dhe njofton se KLD-ja italiane ka dërguar në prokurori të gjithë të përfshirët në këtë marrëveshje të paligjshme. Ndërkohë, prokuroria e Romës më datë 22 shtator 2008 ka filluar procedimin penal për marrëveshjen e paligjshme të Ambasadës Shqiptare në Romë me qytetarin italian Luixhi Xhiani dhe mban numrin e dosjes 7799\08 K me prokuror Bombardierin, nga i cili hetimet po vazhdojnë.

NËN HETIM
Engjëll Agaçi, avokat
Polverini Agaçi, studio ligjore italiane
Ugo Giurato, avokati
Luixhi Xhiani, përfituesi i shumës
Gjyqtarja Girone

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›