E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moti i keq, Shqipëria e mbuluar nga dëbora dhe ngricat



Shqipëria është përfshirë nga moti i keq, i cili ka bllokuar akset rrugore dhe ka krijuar vështirësi në 80% të territorit. Temperaturat, sipas sinoptikanëve, kanë rënë shumë deri në -6 gradë celsius. Banorë të disa zonave të thella malore mësohet të kenë humbur komunikimin mes tyre dhe me të afërmit, ndërkohë që dje disa makina janë bllokuar në rrugë prej trashësisë së dëborës. Në disa zona, mësohet se trashësia ka arritur deri në 1 metër. Bazuar në informacionet e grumbulluara në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile (QKOEC), rezulton se gjatë 24 orëve të shkuara vendi ka pasur reshje të dendura shiu dhe dëbore. Në zonat veri e verilindore dhe jugperëndimore të vendit mësohet të ketë pasur reshje dëbore, të cilat në disa rrethe kanë qenë intensive, kryesisht në veri, kurse në disa rrethe reshjet kanë qenë më të dobëta. Nga ana e Qendrës së Emergjencave Civile, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, janë marrë të gjitha masat për të kaluar këtë situatë të vështirë, duke vënë në dispozicion mjete të shumta dhe burime njerëzore. Ndërkohë, në veri të vendit kanë vepruar katër helikopterë, nga të cilët një i Ministrisë së Brendshme, një i Ministrisë së Shëndetësisë dhe dy të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes, për të zgjidhur probleme të shkaktuara nga reshjet e dëborës të ditëve të fundit dhe për të ndihmuar në raste emergjencash shëndetësore. Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Brendshme, në sajë të punës së këtyre helikopterëve janë evakuuar disa banorë të bllokuar në aksin rrugor të Qafë-Malit, është evakuuar një person i sëmurë nga Kukësi në Tiranë dhe një person tjetër nga Qafë-Prushi në Tiranë. Strukturat e Ministrisë së Brendshme në bashkëpunim me strukturat e institucioneve të tjera të angazhuara në këtë situatë vijojnë punën e tyre për reduktimin dhe eliminimin e problemeve të shkaktuara nga reshjet e dëborës në shumë zona të vendit dhe janë të gatshëm për zgjidhjen e të gjitha rasteve të mundshme të emergjencave.

Gjendja e territorit

Sipas QKOEC, në Qarkun e Shkodrës ka pasur reshje intensive dëbore. Në komunat e thella malore lartësia e dëborës varion nga 40 cm deri në 1 m. Më problematike situata ka qenë në rrethin e Pukës, ku në disa komuna të këtij rrethi lartësia e dëborës ka arritur në 80 cm. Në Qafë Mali, për shkak të reshjeve të dëborës dhe erës së fortë ka pasur grumbullime bore që kalonin lartësinë 1 m. Ka pasur bllokime të rrugëve për në komunat Shalë, Shllak dhe Shosh, janë bllokuar disa fshatra të komunave Kelmend, Shkrel, të bllokuara janë edhe komunat e Iballës, Qelzës dhe Rrapës ku dëbora ka arritur në lartësinë mbi 90 cm. Në Qafë Mali dëbora e rënë gjatë natës ka arritur në 1 m dhe në disa zona ka kaluar lartësinë e 1.5 m. Sipas burimeve zyrtare, nuk ka pasur raste emergjence shëndetësore dhe nuk ka pasur asnjë aksident rrugor. Në qarkun e Kukësit, shtojnë burimet, gjatë paradites së djeshme ka pasur reshje shiu dhe në orët e pasdites në qytet kanë filluar reshje të dobëta dëbore, kurse në komunat e larta reshjet kanë qenë intensive. Në rrugët nacionale, paradite nuk ka pasur probleme për qarkullimin e automjeteve, kurse në orët e vona të pasdites në rrugën Fierzë-Qafë Mali dhe në segmentin e Qafës së Malit për gati 5 orë rruga ka qenë e bllokuar deri në ndërhyrjen nga borëpastrueset. Në qytetin e Kukësit dëbora ka krijuar një shtresë prej 50 cm, por bashkia e qytetit ka angazhuar një fadromë dhe një borëpastruese për hapjen e rrugëve. Disa nga komunat më malore të këtij qarku janë bllokuar nga dëbora, sepse lartësia ka arritur në 70 cm. Komuna e Zapodit, Grykë-Çajës, Kalisht dhe Arrën janë të bllokuara plotësisht. Në Qarkun e Dibrës kanë filluar reshjet intensive të dëborës gati në të gjithë territorin, por dëbora është e shkrifët. Në disa komuna, në zonat malore të rrethit Bulqizë dhe sidomos në Mat, si në Xibër dëbora ka arritur rreth 30 cm dhe Macukull 40 cm.

Qarkullimi i mjeteve

Ministria e Brendshme dhe Qendra e Emergjencave Civile u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve të përdorin zinxhirë në disa akse rrugore, pasi është i pamundur kalimi normal pa përdorimin e tyre. Sipas burimeve zyrtare, qarkullimi i mjeteve paraqet probleme, sepse dëbora ka ngrirë dhe rrugët janë të rrëshqitshme. Po bëhen përpjekje nga komuna për të futur fadroma për pastrim dhe trajtim me skorje. Në qytetin e Peshkopisë dëbora ka arritur rreth 15 cm dhe vazhdon të bjerë, në qytetin e Burrelit është 15 cm, kurse në Bulqizë 8 cm, por nuk ka probleme. Të gjitha akset rrugore janë të hapura. Në segmentin rrugor Qafë Bualli–Krastë kalimi bëhet me zinxhirë. Komunat Lurë, Kalaja e Dodës, Selishtë, Ostren e Trebishtë janë të kalueshme, por me zinxhirë. Lartësia e dëborës është rreth 30 cm. Nuk ka pasur raste urgjencash mjekësore apo aksidente rrugore. Gjithashtu, mësohet se nuk ka pasur probleme në rrethet Lezhë dhe Kurbin të këtij qarku. Reshjet e shiut nuk kanë qenë intensive dhe hidrovoret kanë punuar me kapacitet të plotë. Dëbora e rënë në këto rrethe nuk ka mbajtur se ka qenë e shkrirë. Problemet janë shfaqur në komunat e rrethit të Mirditës, ku janë bllokuar rrugët e fshatrave me qendrat e komunave, si komunat Kthellë, Fan dhe Orosh. Mësimi në shkollat e këtyre komunave është ndërprerë për shkak të dëborës që arrin në rreth 60 cm. Reshje dëbore ka pasur kryesisht në disa komuna të rrethit të Librazhdit dhe Malësisë së Elbasanit. Aksi më problematik ka qenë Elbasan–Tiranë, kryesisht Qafa e Krrabës ku lartësia e dëborës i kaloi të 40 cm. Edhe në këtë aks rrugor, qarkullimi i mjeteve bëhet dhe këshillohet të vazhdojë të bëhet me zinxhirë.

Jugu

Dëbora ka mbuluar një pjesë të madhe të territorit në jug të vendit, duke arritur deri në zonën e Mallaksatrës. Kështu, sipas burimeve, në qarkun e Gjirokastrës dëbora ka filluar në territorin e këtij qarku qysh në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme me reshjet jo shumë intensive, të cilat janë shtuar në orët në vazhdim. Probleme janë krijuar në qytetin e Gjirokastrës, ku dëbora ka arritur një shtresë prej rreth 30 cm. Për shkak të relievit të vendosjes së qytetit, pjerrësisë së madhe dhe rrugëve të shtruara me kalldrëm, janë krijuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve dhe njerëzve. Më problematike janë komunat Pogon e Zagori, të rrethit të Gjirokastrës dhe Komuna Frashër e rrethit të Përmetit, në të cilat dëbora ka arritur në rreth 70 cm. Po dje, në orët e para të mëngjesit kanë filluar reshje të dobëta të dëborës në Qarkun e Korçës. Në zona të caktuara dëbora ka lartësinë 25 cm, por reshjet intensive kanë qenë në orët e pasdites, kryesisht në rrethin e Kolonjës. Të gjitha rrugët qarkullohen normalisht. Në Qafë-Thanë, Qafë-Plloçë dhe Qafë-Qarr lartësia e dëborës ka arritur në rreth 15 cm dhe mjetet qarkullojnë vetëm me zinxhirë për shkak të ngricës dhe akullit. Më problematik ka qenë aksi rrugor Ersekë–Leskovik– Tre Urat, sepse lartësia e dëborës është 25 cm dhe ka ngrirë. Në Qarkun e Vlorës ka probleme vetëm në Qafën e Llogorasë, ku dëbora ka arritur trashësinë rreth 50 cm. Ndërmarrja e rrugëve nacionale ka vendosur një mjet borëpastrues në këtë aks rrugor, i cili po punon për të mos lejuar bllokimin e rrugës. Nga Policia Rrugore janë marrë masat që të mos lejohet qarkullimi i mjeteve pa zinxhirë në këtë aks rrugor.

Masat e marra

Në Qarkun e Shkodrës, për tre akset rrugore kryesore të Pukës janë angazhuar pesë mjete borëpastruese. Gjithashtu janë angazhuar forca dhe mjete të komisariatit të policisë së Pukës. Dje, sipas burimeve zyrtare, kanë ndërhyrë edhe dy mjete borëpastruese të ushtrisë të dislokuara për këtë qëllim. Aksi Kukës-Fushë Arrës është i hapur për makinat e lehta me zinxhirë. Rrugët nacionale në qarkun e Kukësit po trajtohen me kripë dhe skorje. Në qytetin e Kukësit janë angazhuar dy mjete për hapjen e rrugëve.

Në Qarkun e Korçës mjetet borëpastruese po punojnë në akset problematike dhe rrugët po trajtohen me skorje dhe kripë. Rrugët nacionale në Qarkun e Dibrës po trajtohen me skorje dhe kripë. Ndërmarrjet e kontraktuara dhe njësitë vendore kanë angazhuar mjete dhe forca për të hapur akset lidhëse me komunat. Gjithashtu, në Qarkun Lezhë po punohet me mjete në Aksin Milot–Qafë Benë dhe në aksin Kurbnesh–Lurë. Ndërmarrja e mirëmbajtjes së rrugëve po trajton me skorje dhe kripë segmentin rrugor të Virojit dhe në veçanti Qafën e Muzinës, ku problemet e rrëshqitjeve janë prezente nga dëbora e ngrirë në Qarkun e Gjirokastrës. Në Qarkun e Elbasanit janë angazhuar 2 mjete, një mjet borëpastrues nga Ndërmarrja e Mirëmbajtjes së Rrugëve Nacionale dhe një mjet tjetër tip fadrome është vënë në dispozicion nga Ministria e Mbrojtjes. Gjithashtu, për të bërë të mundur kalimin e mjeteve në Qafën e Krrabës, kanë ndihmuar dhe forcat e Policisë Rrugore. Ndërmarrja e rrugëve nacionale në Qarkun e Vlorës ka angazhuar mjete për mbajtjen hapur të aksit të qafës të Llogorasë. Policia Rrugore ka marrë masa për moslejimin e mjeteve pa zinxhirë në këtë aks.

Akset rrugore

Aksi Pukë-Fushë-Arrëz-Kukës është i hapur, por kalimi bëhet vetëm me zinxhirë

Aksi nacional Peshkopi-Skuraj është i kalueshëm, por duhet të përdoren zinxhirët

Aksi Pogradec-Korçë është i kalueshëm

Aksi Gjirokastër-Sarandë është i kalueshëm

Aksi Tiranë-Qafë Krrabë-Elbasan është i kalueshëm, por nevojitet përdorimi i zinxhirëve

Berisha, urdhër Emergjencave: Zhbllokoni rrugët

Kryeministri Sali Berisha i kërkon Shtabit të Emergjencave Civile, që të marrë të gjitha masat për të zhbllokuar akset kryesore të vendit, si rezultat i motit të ftohtë që ka përfshirë Shqipërinë. Përmes zëdhënëses Juela Meçani, kreu i qeverisë tërhoqi dje vëmendjen për të mundësuar komunikimin e komunave të bllokuara me akset kombëtare, në një kohë kur shumë komuna të vendit kanë mbetur të izoluara nga dëbora. Berisha urdhëroi që të mos mungojë asistenca mjekësore, në rast nevoje. Meçani vuri në dukje se Kryeministri po ndjek me vëmendje situatën e rënduar nga reshjet në shumë zona në veri dhe jug të vendit. “Kryeministri i ka kërkuar Shtabit të Emergjencave Civile që të marrë të gjitha masat për të mundësuar kalueshmërinë në akset kryesore të vendit dhe për të mbikëqyrur në vazhdimësi segmentet rrugore problematike, për të garantuar një komunikim të vazhdueshëm të Shtabit të Emergjencës me komunat e bllokuara nga reshjet e dëborës, si dhe mundësimin e komunikimit të komunave të bllokuara me akset rrugore kombëtare”, - tha Meçani. Sipas saj, prioritet duhet të ketë bashkëpunimi me autoritetet vendore, si dhe asistenca e menjëhershme mjekësore në rast nevoje. Situata aktuale e rënduar nga reshjet dhe stuhitë e dëborës po ndiqet në vazhdimësi nga Kryeministri Berisha.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›