Policia: Taksisti u hodh i gjallë në greminë
HETIMET/ Ndërsa trupi ka ngecur në disa shkurre, Jetmiri ka zbritur për ta shtyrë në ujë, por më pas është trembur
TROPOJË - Trupi i Avni Sinanit dyshohet të jetë hedhur në greminë ndërsa ishte ende i gjallë. Megjithatë është ekspertiza mjekësore ajo që do të provojë nëse viktima nuk ka vdekur në vendin e kryerjes së krimit në fshatin Tpla, por në brigjet shkëmbore të liqenit të Fierzës në afërsi të Urës së Drinit të Bardhë.
Të premten paradite në Tropojë mbërritën me helikopter një grup ekspertësh mjeko-ligjorë nga Tirana për të bërë ekspertizën e kufomës së Avni Sinanit.
Kërkesa për ekspertizë të specializuar është bërë nga grupi hetimor i kësaj ngjarjeje, pasi kanë dyshuar se viktima nuk kishte vdekur pas goditjeve të njëpasnjëshme të dhënë nga autorët.
Ekspertët e mjekësisë ligjore kanë bërë ekspertizën e kufomës para se të varrosej lidhur me dyshimin e policisë, se viktima pasi është goditur me mjete të forta nuk ka vdekur, por ka qenë pa ndjenja, ndërkohë që është hedhur në greminë duke qenë gjallë.
Por këto dyshime do t'i vërtetojnë konkluzionet e grupit të mjekëve ligjorë të Tiranës. Hetimet e deritanishme kanë arritur të vërtetojnë se në vendin ku është hedhur trupi i Avni Sinanit, të pranishëm kanë qenë të tre autorët: çifti Jetmir e Armelida Hasanpapa dhe vëllai i Jetmirit, Granit Hasanpapa.
Qëllimi i tyre, pasi kanë menduar se Avni Sinani kishte vdekur, ka qenë hedhja e trupit në ujërat e thella të liqenit të Fierzës për të zhdukur gjurmët e krimit. Në ndërtimin e ngjarjes shpjegohet se trupi është nxjerrë nga bagazhi i automjetit nga çifti dhe vëllai i autorit të krimit dhe më pas është hedhur në drejtim të greminës.
Por trupi është penguar në disa shkurre, kështu që vëllezërit Jetmir e Granit Hasanpapa kanë zbritur nëpër shkëmbinj për të arritur qëllimin e tyre, hedhjen e trupit në ujë. Por një dritë e një automjeti u është dukur sikur po vinte nga larg në drejtim të tyre, kështu që autorët e vrasjes e kanë braktisur trupin e viktimës rreth 10 metra pa përfunduar në ujë.
"Përgjigjja e mjekëve ligjorë nëse trupi është hedhur në greminë i vdekur apo i gjallë do të jepet pas dy javësh", ka bërë të ditur shefi i komisariatit të policisë së Tropojës, Hasan Hasanaj. Taksisti Avni Sinani është vrarë duke u goditur me mjete të forta nga Jetmir Hasanpapa në bashkëpunim me bashkëshorten dhe vëllanë e tij Granitin.
Kufoma është transportuar nga vrasësit rreth 100 kilometër për t'u hedhur në një greminë në brigjet e liqenit të Fierzës, tek ura e Drinit të Bardhë, ndërsa automjetit të tij më pas i është vënë zjarri për të humbur çdo lloj gjurme. Vrasja ka ndodhur mesditën e 17 shkurtit, rreth orës 12:00, ndërkohë që viktima është denoncuar si i zhdukur rreth 36 orë më vonë. Forcat e policisë speciale në bashkëpunim me forcat e komisariatit të policisë Tropojë kanë arrestuar autorët e kësaj ngjarjeje, vëllezërit Jetmir e Granit Hasanpapaj, si dhe bashkëshorten e autorit të vrasjes Almerida Hasanpapa. Kapja e bashkëshortëve Hasanpapa është bërë në një pyll në fshatin Zogaj teksa tentonin të arratiseshin për në Kosovë, ndërkohë që bashkëpunëtori tjetër në krim, Granit Hasanpapa, është arrestuar në Qafë-Prushi. Kufoma e masakruar e Avni Sinanit u gjet pasditen e së enjtes, kur në vendin e ngjarjes kanë qenë edhe të arrestuarit Jetmir e Granit Hasanpapaj. Ndërkohë që u gjet edhe automjeti i viktimës me të cilin autorët kanë realizuar krimin i cili ishte djegur plotësisht.