E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, dëbora rrëzon shtyllat e energjisë

MOTI I KEQ/ OSSH bën të ditur se probleme ka pasur edhe në rrjetin e tensionit të lartë


SHKODËR - Reshjet e dëborës kanë sjellë probleme duke lënë pa energji elektrike disa zona. Sipas drejtorit rajonal të OSSH-së në Shkodër, Nesti Kiri, ka pasur probleme jo vetëm nga njësia e shpërndarjes në Shkodër, por dhe nga rrjeti i tensionit të lartë në Burrel, ku janë dëmtuar 3 linja 35 kv, si dhe gjithë fidrat ajrorë. Dalja krejtësisht jashtë pune e linjave 35 kv Shkodër 2- Velipojë, Shkodër 1 - Malësi e Madhe dhe Koman - Pukë ka sjellë mungesën e furnizimit me energji elektrike të këtyre zonave. Drejtori Kiri ka shtuar se janë dëmtuar të gjithë fidrat ajrorë të nënstacioneve elektrike Shkodra 1 dhe Shkodra 2, të linjës së Lezhës, janë dëmtuar dy fidra ajrorë tek nënstacioni i Rrencit dhe dy fidra ajrorë tek nënstacioni elektrik i Bushatit, fidra këto që janë jashtë pune. Po kështu, problem paraqet dhe rrëzimi i shtyllave si pasojë e borës, ku 8 shtylla të rrëzuara në Shirokë kanë lënë pa energji elektrike lagjet Shirokë e Zogaj në Shkodër. Janë dëmtuar 5 km linjë elektrike në Velipojë dhe janë rrëzuar 5 shtylla 35 kv nga 15 metra të larta secila. Si pasojë, Velipoja nuk furnizohet me energji elektrike përfshirë dhe hidrovorin e Velipojës. Në Malësinë e Madhe është rrëzuar një shtyllë e tensionit të lartë 35 kv, e cila është këputur në njërin krah dhe janë 16 kampata tel elektrik i rënë në tokë. Në ndihmë të njësisë së OSSH në Shkodër, për riparimin e defekteve të shumta të krijuara nga dëbora kanë ardhur dhe brigada pune nga Tirana, Elbasani e Burreli. Lidhur me situatën e krijuar nga reshjet e dëborës, mësohet se vazhdojnë të jenë të pakalueshme dhe të bllokuara akset rrugore Shkodër- Dukagjin, në dy krahët, nga Qafë-Thorja dhe Mali i Shoshit ku dëbora ka arritur në 1 metër. Po kështu të bllokuara janë fshati Rrapsh në komunën e Kastratit dhe Selcë, Qafë-Përdolec, Lëpushë, Vukël e Vermosh në komunën e Këlmendit në Malësi të Madhe. Aksi Bogë - Qafë-Thore ka 80 cm borë dhe është i pakalueshëm. Në rrethin e Pukës janë bllokuara rrugët rurale Pukë- Iballë dhe Pukë- Qelëz. Akset e tjera rrugore janë të kalueshme vetëm me zinxhirë për makina të vogla. Në aksin Fushë-Arrëz - Qafë-Mali - Kukës ka probleme me ortekët që bien dhe bllokojnë rugën në pjesë të ndryshme të saj. Probleme paraqesin rrugët dytësore dhe trotuaret në qytetin e Shkodrës, ku dëbora ka ngrirë dhe ka vështirësuar ecjen e këmbësorëve. Janë vetë qytetarët ata që po përpiqen të lirojnë rrugët para dyqaneve apo banesave të tyre nga dëbora e ngrirë, ndërsa nga bashkia është bërë vetëm lirimi i rrugëve në qendër të tyre.


Ngricat përplasin dy automjete


FIER - Ngricat e rëna gjatë natës kanë shkaktuar një aksident automobilistik në qytetin e Fierit. Sipas policisë rrugore, nga ky aksident nuk ka pasur viktima. Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm në hyrjen e superstradës Fier -Lushnjë. Një mjet i tonazhit të rëndë me targa VL 6627 C ka rrëshqitur nga ngricat e formuara gjatë natës duke u përplasur me një furgon pasagjerësh me targa FR 5351 C, i cili vinte nga Lushnja në drejtim të Fierit. Ky i fundit pas përplasjes ka dalë nga rruga. Fatmirësisht nuk ka pasur të plagosur nga personat që ndodheshin në furgon.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›